Aksidentet, bilanc i rënduar, tre viktima në një ditë

614
Drejtuesi i një motori tip “Hamer” ka humbur jetën në një aksident rrugor në Himarë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm dhe viktima është një 29 vjeçar nga Tirana. Sipas policisë, i riu ka qenë duke udhëtuar me motor tip “Hamer”, kur ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me shtyllën anësore të rrugës. Është dërguar menjëherë në Spitalin e Himarës në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk mundi të mbijetonte. Mësohet se i aksidentuari është inxhinieri informatik Klajdi Shehu. Shehu mësohet se jetonte në Tiranë, ku ushtronte profesionin e inxhinierit informatik, një nga më të mirët e fushës së tij në vend. Ai ishte shumë i pasionuar pas motorëve. Klajdi Shehu ishte i martuar dhe baba i një vajze. Ndërkohë, po dje një tjetër aksident është shënuar në Lushnjë. Dy persona humbën jetën rreth orës 05:40, ku mjeti tip “Renault”, me targë AA 468 PY, ka dalë nga rruga duke goditur trafikndarësen dhe ka rënë në kanal, në autostradën Lushnjë-Fier. Pasagjeri me inicialet P.Z. 54 vjeç, banues në lagjen “Myslym Shyri” në Tiranë, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa shoferi i automjetit me inicialet F. N. 61 vjeç, banues po në Tiranë është dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë rreth orës 07:25.
Sigal