Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti përfaqësues të “Klubit kombëtar të prindërve me fëmijë me CSA dhe PAK”

556
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot përfaqësues të “Klubit kombëtar të prindërve me fëmijë me CSA dhe PAK.  Përfaqësuesit e prindërve të fëmijëve me CSA dhe aftësi të kufizuara i paraqitën Kryetarit të Kuvendit disa kërkesa që lidhen me mbrojtjen  dhe trajtimin më të mirë të nevojave të fëmijëve. Këto kërkesa u janë paraqitur më parë disa ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Ndër të tjera, përfaqësuesit e prindërve të fëmijëve me CSA dhe aftësi të kufizuara kërkuan zbatimin me rigorozitet të legjislacionit për arsimin, për pranimin në institucionet e edukimit të fëmijëve më këto probleme; hartimin dhe zbatimin e programeve individuale sipas nevojave specifike të fëmijëve; fuqizimin e rrjetit të qendrave publike të shërbimeve sepse shërbimet private janë të papërballueshme; terapi e mbështetje për prindërit dhe familjet; akses më të lartë në shërbimet shëndetësore dhe barnat; lehtësime të tarifave të shërbimeve të tjera publike etj.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, pasi dëgjoi me vëmendje kërkesat e përfaqësuesve të prindërve të fëmijëve me CSA dhe aftësi të kufizuara, premtoi se do të angazhohet për rritjen e sensibilitetit të shoqërisë për fëmijët me probleme, për rritjen e përgjegjësisë së ministrive të linjës në trajtimin e tyre si edhe për rishikimin, nëse do të vlerësohet  e nevojshme të kuadrit ligjor për trajtimin e fëmijëve me CSA dhe aftësi të kufizuara. “Si Kryetar i Kuvendit, por edhe si qytetar dhe si prind, do të bëj të gjitha përpjekjet që kërkesat tuaja të gjejnë zgjidhje.”, premtoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.