Presidenti Ilir Meta: Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë kanë nisur që në kohën e Skënderbeut

139
Sigal

Presidenti i Repbulikës, Ilir Meta, në një postim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ia ka vendosur sërish theksin marrëdhënieve shumë të mira që vendi ynë ka me Hungarinë.

Sipas Kreut të Shtetit, ato datojnë që në kohën e Skënderbeut, e u thelluan akoma më shumë, në kohën e Mbretëreshës Geraldine Appony.

Meta thotë ndër të tjera, se në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, që do të festohet vitin e ardhshëm, do të kremtohet me të gjithë madhështinë, që sipas tij, meriton kjo lidhje kaq e fortë.


Mesazhi i plotë i Kreut të Shtetit:

Marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore, historike dhe tradicionale mes Shqipërisë dhe Hungarisë kanë rrënjë të forta, sepse u zhvilluan dhe u thelluan nga aleanca strategjike mes Heronjve tanë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janosh Huniadi, për të vazhduar më pas me ndihmën e çmuar hungareze për krijimin e shtetit modern shqiptar më 1912 dhe deri në kohët e sotme, kur Hungaria qartësisht është një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë.

Por në të gjitha takimet e mia në Budapest, nuk mund të mos theksoja se marrëdhëniet mes dy popujve tanë fituan një shkëlqim të veçantë dhe tepër domethënës kur vendi ynë pati fatin e madh të kishte për Mbretëreshë, “Trëndafilin e bardhë të Hungarisë”, shumë të dashurën dhe të paharruarën Geraldine Appony, e cila gjithë jetën e saj ja dedikoi Shqipërisë, begatisë, përparimit dhe europianizimit të plotë të saj, me dashuri dhe besnikëri të përjetshme.

Mbështetur mbi këtë trashëgimi kaq të vyer, jam i bindur se 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Hungarinë, vitin e ardhshëm, do ta kremtojmë me të gjithë madhështinë, që meriton lidhja kaq e fortë mes dy popujve tanë.