Akuzat e Adi Krastës: Rama, kryeministër i dobët, drejt rënies e pasigurisë. Shqipëria u kanabizua qëllimisht

586
“Rama, drejt rrëshqitjes dhe pasigurisë”
Rikthimi i fortë i moderatorit të njohur, Adi Krasta, për zhvillimet politike dhe raportin e kryeministrit me mediat: Shqipëria u kanabizua me qëllim
Ai mund të konsiderohet pa frikë si një nga ikonat e televizionit, që me aftësinë dhe talentin e tij ka mbërthyer për vite të tëra mijëra teleshikues para ekranit, por dje në mbrëmje Adi Krasta zgjodhi studion e emisionit “Studio e Hapur” në “News 24” për një rrëfim krejt ndryshe. Krasta komentoi gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama me gazetarët, por edhe çështje të tjera që shkojnë përtej televizionit, medias e gazetarisë.

Gati dy muaj larg kazanit mediatik, kështu na quan kryeministri ndjehesh ndopak kazan dhe çfarë mendon?
“Zakonisht në bisedat televizive dhe njerëzore në tavolina të ndryshme është e lehtë të mbërrish në atë momentin kur diskuton për njerëz të rëndësishëm siç është edhe kryeministri. Unë kam ardhur me qejf në studion tënde, nuk do kisha dashur që intervista e sotme të ishte në kërkim të atyre titujve të lidhet me një gjykim për kryeministrin që s’është e qëllimi im dhe fusha e ekspertizës. Kam një moto të brendshme që nuk diskutoj figura në rënie, pasi kjo është gjithmonë jo e shëndetshme”.

Është kryeministri në rënie?
“Në këtë vend është e vështirë të rrish në këmbë, ka qenë Noli i palumtur, Konica ka nxjerrë përcaktime të tmerrshëm për këtë vend. Duhet të jesh shumë i kulturuar, i devotshëm dhe i ndershëm që të sigurosh mos rënien e pashmangshme në këtë vend”.

Pse po bie Rama?
“Stigmatizimet janë shenja e të dobëtit, shoh shenja të rrëshqitjes, të pasigurisë”.

E ndoqe në komunikimin me reporterët, i quajti të paditur, ndërsa pyetjet e tyre idiote?
“Politikanët aktivë që janë të lidhur me pozicion natyrisht që janë të pakënaqur kur i bën një pyetje të fortë, shkëputen nga realiteti e për ta thuhet se ka një raport të veçantë me Zotin dhe s’është si gjithë të tjerët. Ka pasur edhe të tjerë që kanë reaguar ndoshta dhe në forma të tjera, pra s’është i vetmi”.

Si do reagoje për të ishe në vend të tyre?
“Ajo vajza që tha në fund, ‘faleminderit dhe mirupafshim’ bëri një mbyllje të zgjuar. Kanabizimi i Shqipërisë ishte ngjarja, batutat dhe grimasat e tjera janë të parëndësishme në raport me rëndësinë që ka ky fenomen”.

Është mënyrë për t’i ikur përgjegjësive kjo e kryeministrit?
“Për mua s’ka rëndësi, kjo është rrethanore, shtypi është mënyrë komunikimi”.

A krijon kjo një lloj psikoze?
“Ka gazetarë të mirë dhe të këqij, ka të devotshëm dhe të padevotshëm, ka që e krijojnë në kafene me miqtë, i sjellin në tv dhe bëhet ai sherri, shamataja. Ka gazetarë të mirë në këtë vend dhe të ligj, të kapur ose jo”.

Mendojnë kështu edhe qytetarët?
“Neve nuk duhet të na interesojë se si stigmatizohet media në këtë vend. Media ka në dorë informimin. Ne duhet të ishim alarmuar se si Erisa Zykaj, një vajzë e talentuar që për fatin tonë është në Bruksel, ka thënë se ky vend pas llahtarisë së Lazaratit kaloi në një tjetër fazë, është mbjellë në çdo pëllëmbë me kanabis. Këtë media e tha. Cili është faji këtu? Media e tha dhe kanë mbështetjen time, kanë respektin tim reporterët. A ka ngjarje më të madhe se mungesa e edukimit, rënia dhe shkatërrimi i shijeve, drama dhe dëshira e madhe për t’u larguar. Të gjithë duan të ikin nga ky vend mizerabël. Gazetarëve në këtë vend iu duhet thënë vazhdoni përpjekjen serioze për të hapur të gjithë panoramën, problematikat e plota me devocion të madh në luftë me veten dhe me presionin. Shqipëria e momentit nuk është e bukur, por gazetaria kështu është kudo, ka gazetarë që janë vrarë për këtë profesion”.

Pse thoni që nuk ka shpresë?
“Në këtë vend nuk ka shpresë, ëndrra është konsideruar një gënjeshtër e madhe. Nëse do kisha mundësi të drejtoja këtë vend, do kisha pasur prioritetet e mia. Por lufta e shkatërron një vend, kanabisi e shkatërron vendin po kështu. Mbjellja e kanabisit bën që fëmijët tanë të pinë hashash në oborret e shkollave. Kanabisi nuk sjell rritje rrogash, pensionesh. Kryeministri dhe ministrat nga ana tjetër kanë të drejtë në deklaratat e tyre. Kjo nuk është personale. Secili nga ne ka të drejtën të luftojë për të vërtetën që njeh”.

Çfarë mendimi keni për çështjen “Tahiri”?
“Unë nuk e kam parë këtë si çështja ‘Tahiri’, por e kam parë si një ngjarje të madhe, një ngjarje të kanabizimit të vendit. Një vendim të madh që është marrë diku, dikur, që të mbillet kanabis. Ajo që ne shohim është territori i këtij vendi, tashmë e konfirmuar nga të gjitha burimet e mundshme, se është kanabizuar me qëllim, nuk mund të jetë vepër e një njeriu të vetëm. Duhet të mbajnë përgjegjësinë të gjithë”.

Mendon se Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, është fajtor? Referuar përgjimeve të autoriteteve italiane, patentave të sekuestruara.
“Në mënyrë absolute do më vinte turp që të mbërrija unë në një konkluzion. Këto janë elementë të hetimit, dhe nuk mund të mbërrihet në konkluzione kafenesh”.

Nuk ka shumë koincidenca kjo histori?
“Gjithmonë kur insistohet, qëllimi i gazetarit është i mirëqenë. Dhe ti po insiston. Kjo është tema më e madhe, më e nxehtë, ky është një skandal i madh kombëtar. Sot po përmende shqiptarin nëpër botë të trajtojnë si një person që mbjell kanabis në ballkon. Njerëzit që kanë në dorë fatet e vendit i çojnë këto vende drejt realizimeve të mëdha, apo drejt dështimeve”.

Marrëdhëniet e tua me kryeministrin…
“Marrëdhëniet me kryeministrin i kam siç i kam patur tërë jetën”.

Keni qenë mbështetës i tij…
“Unë jam shprehur pro ambasadorëve që kërkojnë rotacionin, por kam shtuar se unë jam kundër çdo qeverie, do jem edhe kundër qeverisë që do vijë. Mua më pëlqen të jem kundër strukturave arrogante. Unë mbështes gjithmonë opozitën, këtë e kam pa dilemë. Mua qeveritë nuk më pëlqejnë”.
Sigal