Presidenti Meta: Pse nuk duhet zbardhur mbledhja e Këshillit të Sigurisë. Argumentet e Kreut të Shtetit

526
Presidenti Meta refuzon kërkesën e PD-LSI, për të zbardhur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë
Shtatë deputetë të opozitës kërkuan nga Presidenti, informacion të detajuar mbi mbledhjen e 11 nëntorit 2016 të Këshillit të Sigurisë, për situatën e drogës
Presidenti Ilir Meta ka rrëzuar kërkesën e 7 deputetëve të PD dhe të LSI për deklasifikimin e mbledhjes së Këshillit Sigurisë Kombëtare të 11 nëntorit të vitit të kaluar ku u diskutua për kanabisin. Meta në përgjigjen drejtuar deputetëve sqaron, se nuk e deklasifikon mbledhjen sekrete, pasi është në kundërshtim me ligjin, ndërsa shton se do të përbënte një precedent me pasoja afatgjata të sigurisë kombëtare.

Gjithashtu Meta shprehet se nuk e pranon kërkesën e deputetëve, për shkak se në këto mbledhje diskutohen informacione të bashkëpunimit me vende partnere dhe institucione ndërkombëtare, ndaj të cilave duhet siguruar standardi i mbrojtjes së informacionit.

Meta thotë se mbledhjet e KS bëhen të mbyllura për të krijuar atmosferë besimi mes anëtarëve. Presidenti në fund të përgjigjes, shprehet, se në rast se vlerësohet se ka prova që i shërbejnë hetimit Prokurori i Përgjithshëm mund të kërkojë dhe të përdorë informacionet e mbledhjeve. “Nëpërmjet kësaj përgjigje ju bëj me dije se nuk e kam aprovuar kërkesën tuaj. Vlerësoj se deklasifikimi dhe publikimi i diskutimeve në mbledhjet e KSK-së (që nuk ka ndodhur asnjëherë) do të përbënte një precedent me pasoja afatgjata për funksionimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm mundet të kërkojë dhe të përdorë për interesa të hetimit informacionin e mbledhjeve të KSK-së në mënyrën e përcaktuar nga ligji” thotë Meta ndër të tjera. PD dhe LSI kërkonin publikimin e të dhënave të raportuara nga institucionet për luftën ndaj drogës me qëllim që të ballafaqohen rezultatet e dhëna. Në atë mbledhje është raportuar për situatën e kanabisit, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Tahiri, që sot është i akuzuar nga prokuroria për përfshirje në dosjen ‘Habilaj’. Në atë kohë mbledhja u drejtua nga Presidenti Bujar Nishani, ndërsa deputetët e PD pohojnë se janë dhënë detaje për implikimin e zyrtarëve të policisë së shtetit.

Presidenti thotë në përgjigjen e tij se është në interesin dhe detyrimin e institucionit të Presidentit të Republikës, t’u afrojë anëtarëve të KSK sa më shumë “garanci besimi”për ta: Këshilluar dhe mbështetur atë në ushtrimin e përgjegjësive Kushtetuese dhe ligjore”. Më tej meta shkruan në letrën drejtuar shtatë deputetëve të PD-së dhe LSI-së se institucioni që ai drejton ka një ndjeshmëri maksimale mbi domosdoshmërinë e forcimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe të kontrollit të kufijve, si dy elemente të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Ai shton se në këtë drejtim mbetet i hapur për bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin dhe Komisionin e Sigurisë Kombëtare në të ardhmen. Por, ndërsa kthen përgjigje negative, Meta i inkurajon deputetët e opozitës së bashkuar për punën e tyre dhe angazhimin maksimal në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo fenomeni tjetër që do të cenonte sigurinë kombëtare. Informacioni i kërkuar nga deputetet e PD-së dhe LSI-së është konsideruar i klasifikuar. Deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI argumentonin në letrën e tyre se ka një ndjeshmëri për situatën e rëndë të trafikut të drogës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në të, e mbi të gjitha, siç thuhet edhe në letrën drejtuar Metës, skandalit të publikuar në media për dosjen “Habilaj”.
Letra drejtuar Ilir Metës është firmosur nga deputetët Flamur Noka, Isuf Çelaj, Xhemal Gjunkshi, Myslym Murrizi, Ervin Salianji, Luan Rama dhe Endrit Brahimllari.
Sigal