Kryeministri Rama: Të ngrihet sa më shpejt baza detare e NATO-s

31
Sigal

Kryeministri shqiptar propozoi krijimin e një samiti mes NATO-s dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor

Të martën nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti një fjalim në takimi i liderëve të Evropës Juglindore. Gjatë fjalës së tij Rama kërkon përshpejtimin e procedurave për ngritjen sa më parë të bazës detare të NATO-s në Porto Romano për të cilën tha se Shqipëria është gati të bashkëfinancojë në këtë projekt dhe se vetë NATO sipas Ramës do të fitojë një tjetër akses në Evropën Juglindore. Kryeministri Edi Rama tha se gjatë takimit ka propozuar ndërtimin e një formati të Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në rajon, por dhe vendet partnere të NATO-s, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që s’janë të pranishme, si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe procesin demokratik të rajonit. “Dëshiroj të theksoj kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkë financuar me NATO-n bazën e re detare të NATOS në Porto Romano, të procedohet sa më shpejt, sepse ne besojmë shumë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo vetëm për Shqipërinë e rajonin, por edhe për vetë NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Evropës për çdo rast. Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024 edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 përqind siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për gjithë vendet anëtare dhe ne do vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për të përforcuar kapacitet tona dhe për të rritur eficencën e forcave tona të armatosura. Mbetemi në frontin e përgjithshëm të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.”,- tha Rama. Kryeministri shqiptar konfirmoi kështu pozicionin e Shqipërisë si një anëtare e përgjegjshme e Aleancës së Atlantikur, si dhe theksoi se Shqipëria do të vijojë të angazhohet për përforcimin e kapaciteteve.