Deputeti Bujar Leskaj: Dialogu fillon nga respektimi i Kushtetutës!

27

Opozita nuk ka bërë gjë tjetër, veç detyrën e saj: ka sjellë në Kuvend frymën e kërkesave dhe shqetësimit qytetar për mënyrën se si po qeveriset vendi

Sigal

Progres Raporti 2023 i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar dy javë më parë, përcolli mesazhin e dialogut politik gjithpërfshirës mes palëve, i cili po harrohet. Raporti theksoi qartë se “Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht me refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit”. Tre ambasadat e shteteve perëndimore, aleate strategjike të Shqipërisë, Ambasada e SHBA-ve, e Britanisë së Madhe dhe e Gjermanisë, reaguan fuqimisht, duke shprehur shqetësimin e tyre dhe duke kërkuar dialog politik mes pozitës dhe opozitës. Dialogu politik fillon së pari, me punën e përbashkët për reformën zgjedhore. Nuk ka bashkëpunim dhe dialog nëse opozita nuk është e përfaqësuar denjësisht në Komisionin e Kuvendit për Reformën Zgjedhore. Opozita është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi deputetët e Rithemelimit dhe grupi parlamentar i drejtuar nga kryetari Gazmend Bardhi, përbëjnë shumicën dërrmuese të deputetëve të opozitës. Ne duhet të zhbëjmë dëmin e pallogaritshëm të shkaktuar nga ndryshimet kushtetuese te vitit 2008 dhe, për këtë, duhet të veprojmë shpejt. Duhet të përmirësojmë kodin zgjedhor, duke lejuar koalicionet parazgjedhore, listat e hapura të kandidatëve dhe duke mundësuar votimin e Diasporës. Gur tjetër themeli i dialogut politik pozitë-opozitë është e drejta kushtetuese e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Neni 77, pika 2, i Kushtetutës, e përcakton qartë dhe pa asnjë ekuivok se: “Kuvendi, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Partia Demokratike, përmes më shumë se 35 deputetëve të saj, pra më shumë se një të katërtës së Kuvendit, ka kërkuar në vijimësi dhe me këmbëngulje hetimin e procedurave dhe vendim-marrjeve publike në investimet strategjike, hetimin e çështjes ‘McGonigal’, e grabitjes së Portit të Durrësit, përmes kontratës skandaloze me Alabar, hetimin e udhëtimeve me charter të kryeministrit, hetimin e skandalit të vjedhjes së të dhënave të TIMS, të kontratave koncensionare në shëndetësi, si dhe të vendimmarrjeve në konflikt interesi. Të gjitha këto tema, objekt hetimi të komisioneve parlamentare të kërkuara nga opozita, janë tema bisedash, komentesh dhe shqetësimi publik sot të çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi. Opozita nuk ka bërë gjë tjetër, veç detyrën e saj: ka sjelle në Kuvend frymën e kërkesave dhe shqetësimit qytetar për mënyrën se si po qeveriset vendi. Sot reforma zgjedhore dhe komisionet hetimore parlamentare, përbëjnë më shumë se kurrë dy kushte “sine qua non” për një dialog politik të shëndetshëm mes pozitës dhe opozitës. Buxheti 2024 i Shtetit shqiptar do të mbahet mend si buxheti më i papërgjegjshëm në historinë e pluralizmit tonë. Ai përbën edhe buxhetin e miratuar më shpejt në historinë e parlamentarizmit botëror, për vetëm pesë minuta! Buxheti i shtetit të sektit Rama në qeverisje u miratua dje me shpejtësi mesatare 1.4 miliardë euro shpenzime dhe 1.1 miliardë euro të ardhura në minutë! Shqetësimi i drejtë i Progres Raportit 2023 të Komisionit Evropian dhe i ambasadave të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, duhet të shtyjë jo vetëm opozitën, por edhe të gjithë shoqërinë civile dhe opinionin e shëndoshë publik të vendit, të kërkojnë me forcë nga maxhoranca një dialog politik konstruktiv dhe realist, si rruga e vetme për t’i dhënë qetësi dhe stabilitet vendit.  Opozita e drejtuar nga deputetët e Rithemelimit ka qenë gjithnjë dhe vijon të jetë për gjuhën e dialogut politik konstruktiv. Është pozita ajo që duhet të zbatojë rekomandimin e Progres Raportit 2023 të Bashkimit Evropian dhe kërkesat e partnerëve tanë strategjikë, përcjellë përmes ambasadave të tyre, duke pranuar rikonfigurimin e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, përsa i përket anëtarëve nga opozita, si dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita. Sapo këto dy kërkesa legjitime të pranohen, opozita rikthehet menjëherë në rolin e saj të natyrshëm dhe të domosdoshëm në një demokraci, si kontrolluese dhe llogarikërkuese e qeverisjes, përmes aksionit parlamentar. Në rast se pozita, deri sot e papërgjegjshme, nuk e bën këtë, atëhere parlamentarizmi dhe vendi do të zhyten akoma dhe më shumë në kaos dhe mungesë të plotë jete demokratike dhe sundimi të ligjit tek ne.