AKIP, letër Nishanit: Mos e dekreto ligjin e mbetjeve!

403
Sigal

Gazeta Telegraf/

Pak ditë pas
miratimit në parlament të ligjit të mbetjeve, Aleanca Kundër Importit të
Plehrave (AKIP) i është drejtuar me një letër të hapur Presidentit të Republikës,
Bujar Nishani, duke i kërkuar të mos i dekretojë këto ndryshime dhe të
verifikojë procedurat joligjore që janë ndjekur. Sipas tyre, ky ligj u aprovua
me procedura të përshpejtuara, në mungesë totale informacioni, transparence dhe
pjesëmarrjeje të qytetarëve shqiptarë.


Letra e plotë


Ne si
përfaqësues të AKIP Shqipëri, ju shprehim shqetësimin tonë të madh në lidhje me
aprovimin më së fundmi të ndryshimeve në Ligjin Nr.10 463 datë 22.09.2011 “ Për
menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ndryshime të cilat lejojnë Importimin e
Mbetjeve nga vendet e huaja drejt Shqipërisë. Ky ligj u aprovua me procedura te
përshpejtuara, në mungesë totale informacioni, transparence dhe pjesëmarrjeje
të qytetarëve shqiptarë. Përgjatë gjithë Progres Raporteve të viteve të fundit
Bashkimi Evropian i ka kushtuar vëmendje të veçantë problemeve të rënda në
fushën e mjedisit në Shqipëri. Pikërisht në përgjigje të këtyre Raporteve dhe
aspiratave që ushqen shteti shqiptar për anëtarësimin në BE janë hartuar
Relacione (Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Integrimit) ku garantohet se
aplikimi i: Konventës së Aarhusit; Ligjit Për të drejtën e Informimit; Ligjit
Për Njoftimin dhe Konsultimin publik; Ligjit Për mbrojtjen e mjedisit; Ligjit
Për vlerësimin e ndikimit në mjedis etj i kanë garantuar qytetarët shqiptarë
zbatimin e tre shtyllave, që janë detyrim ligjor në fushën e mjedisit, këto tre
shtylla janë: a) Akses në informacionin mjedisor; b) Akses në vendim-marrjen
mjedisore dhe c) Akses në drejtësi për çështje mjedisore. Të gjitha këto akte
dhe procedura ligjore janë shkelur në mënyrë flagrante përgjatë procedurave të
kalimit të ndryshimeve në Ligjin Nr.10 463 date 22.09.2011   “Për
menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Për këtë arsye, ju drejtohemi që të mos
dekretoni këto ndryshime dhe të verifikoni procedurat jo ligjore që janë
ndjekur.


Me respekt për
AKIP Shqipëri: Kozara Kati, Andi Tepelena, Brizida Gjikondi, Lavdosh Ferruni,
Gjergji Erebara, Aldo Merkoçi, Elsa Ballauri, Elian Tanini, Arlind Kote, Besjan
Pesha dhe Ervin Goci.

Do vlerësonim edhe një konsultim dhe
bashkëbisedim publik me Ju”.