Tryeza e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë bën bashkë Metën, Ramën e Bashën, mungon Nishani

498
Nis tryeza e Reformës Zgjedhore organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendore në nivel të përfaqësuesve të partive politike
Kryetari i PS-se njëkohësisht Edi Rama u ndal tek domosdoshmëria e konsensusit si dhe depolitizimit të komisoneve zgjedhore.
Kryetari i PD-se u ndal tek korrupsioni zgjedhor si problemi më emergjent për tu zgjidhur.
Rama dhe Basha ranë dakord sa i takon çështjes së reklamave.
Nga ana e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta, si kryetar i LSI-së tha se partia e tij do të bëhet model për transparencën. Për këtë përmendi publikimin online të gjithë shpenzimeve të aktiviteteve të kësaj partie, që do të pasohet me transparencën e fushatës. “Është e rëndësishme të disiplinojmë dhe shpenzimet e kandidatëve” tha Meta.
Meta foli dhe për realizimin e reformës në drejtësi.

Sigal

Rama: Konsensusi i domosdoshem

“Elementi i parë është nevoja për të kapërcyer traditën dhe për të depolitiuzar komisionet zgjedhore. Jemi sot në kohë për ta bërë këtë hap. Ky hap është kërkuar dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Nevojë të depolitizojmë komisionet zgjedhore. Nëse për të gjithë reformat e tjera konsensusi është i dëshirueshëm por jo i domosdoshëm për këtë është i domosdoshëm. Reforma zgjedhore duhet të garantojë palët.
Mendoj se kërkon diskutim çështja e reklamave elektorale. Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe është pjesa më e errët në shumë aspekte. Besoj se duke u bazuar më shumë tek analiza jonë e përbashkët sesa tek shembujt, pasi shembujt janë më të ndryshmit, ka vende shumë demokratike që kanë të njëjtin sistem pra që i lejojnë reklamat elektorale pozitive apo negative pa limit, ka vende që i lejojnë në mënyrë të limituar në kohë, ka vende që i ndalojnë. Pra shembujt janë nga më të ndryshmit. Besoj se për ne është e nevojshme të bëhet një diskutim pasi nuk do të ishte në këndvështrimin tim e paudhë që ta shkurtonim këtë zë në shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë.Sigurisht që mund të ketë zgjidhje dhe të ndërmjetme, ne si PS nuk kemi ndonjë formulë të përcaktuar. Në këtë reformë jemi të interesuar që të trajtojmë sëbashku me palët e tjera problematikën në terësi pa imponuar asgjë. Por megjithatë diskutimi në këtë pikë do ja vlente. Doja të nënvizoja dhe domosdoshmërinë për të adresuar në mënyrë më të qartë edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, që krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme por mbetet shqetësim sidomos në zonat më të varfra dhe rastet kur prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo klanit. 

Lulzim Basha:Fund korrupsionit zgjedhor 

Lidhja e krimit me politikën është problem më i madh dhe më unik i korrupsionit zgjedhor. Kjo tryezë dhe hapat që do të hedhin pas kësaj janë vendimtare nëse konfirmohet vullneti politik për të shkuar më tej se gërma e ligjit, për të pastruar listat e ardhshme nga persona të inkrimuar .
Jo vetëm çështja e reklamave, për të cilën bie dakord me kreun e PS-së por për cdo çështje financimi duhet të futet nën lupën e reformës zgjedhore. Të kriminalizojmë cdo donacion që vjen në mënyrë private për të blerë me 5 lekë tenderin e ardhshëm. Modele ka s’kemi pse ti shpikim. Është emergjente të nisim me korrupsionin zgjedhor , të japim një zgjidhje radikale të qëndrueshme dhe afatgjatë

Ilir Meta: Kjo reformë është shumë e rëndësishmë të të bëhet me reformën në drejtësi. Të dyja reformat do të ndihmojnë në forcimin e institucioneve, besimin tek drejtësia dhe një ekonomi më të mirë.

Kryetari i Kuvendit, njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi nisjen e diskutimeve për reformën zgjedhore, duke theksuar rëndësinë që mos kemi më reforma të minutës së fundit, që nuk adresojnë në mënyrë racionale të gjitha shqetësimet që lidhen me procesin. Sipas Metës, është pozitiv fakti që reforma zgjedhore po zhvillohet në një kohë kur me përpjekje të përbashkëta po përmbyllet edhe reforma në drejtësi.

“Ajo që është me e veçantë në krahasim me të kaluarën është se do të kemi kohë. Të gjithë bashkë ta përfundojmë këtë reformë, shumë përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Të mos jetë një reformë e minutës së fundit, pa adresuar shqetësimet në mënyrë racionale dhe por tu dhënë kohën e duhur qytetarëve për të patur kohën e duhur edhe ata për t’ju përshtatur ndryshimeve. Pikërisht se janë këto shqetësime për zgjedhjet, në jemi mbledhur këtu si rrallë herë. Për tu dhënë një përgjigje të qartë shqetësimeve përmes kësaj reforme.”- deklaroi Meta.

Meta tha ndër të tjera se LSI është një forcë që beson tek transparenca, ndërsa shtoi se procesi i dekriminalizimit sjell edhe eliminimin e korrupsionit zgjedhor. “Të gjithë biem dakord që ka patur progres në të gjitha drejtimet, nuk ka pasur përfshirje brutale të policisë e SHISH si në të kaluarën. Procesi për të blerë vota, karta është një shqetësim serioz por nuk mund të pranoj çdo lloj ekspozimi sikur qytetarët mezi po presin muajin e zgjedhjeve të dalin të treg, që të japin votën. Nëse do ta shikonim në këtë mënyrë nuk i shërbejmë asaj që duhet të arrijmë. Të adresojmë problemet më serioze, kemi hedhur hap për të ashtuquajturin dekriminalizim, s’më pëlqen fare ky term, po politika e polli…Kështu hedhim një hap të rëndësishëm për të eliminuar korrupsionin zgjedhor, eliminimin e të fortëve”.

Sipas Metës, politika shqiptare duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, ashtu siç ai është, pa e quajtur humbjen e zgjedhjeve, turp. “Jetojmë në Ballkan, të mos harrojmë që sfidat elektorale i përjetojmë si ballkanas, që s’pranojmë humbjen se është turp, Ndërkohë në demokraci humbja është mundësi për të mësuar që të fitosh në të ardhmen..Të krijojmë një sistem transparent”.

Kreu i LSi-së, shtoi se “Ne nuk kemi kuptuar që për qytetarin ka rëndësi mesazhi pozitiv për ta, jo mesazhi negativ për kundërshtarin. Kushdo që do më shumë vota të përqendrohet tek mesazhi pozitiv për qytetarin. Qytetarët të denoncojnë tentativën për blerje vote, jam i bindur që akuzat ndaj LSI do vijojnë se unë sado që përpiqem nuk frenoj dot rritjen e LSI. ne kemi në dorë transparencën maksimale, të zbatojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR”.

Më tej, Meta foli për modelin që LSI do të fusë në politikë, atë të transparencës së financave dhe përjashtimit të biznesmenëve nga partia vetëm se kanë para.

“Kemi shumë biznesmenë të përfshirë në politikë, duhet të ketë zë në parlament po të jetë cilësor që sjell ide e mendime, jo prezencë për të mbrojtur interesat vetjake. Ne si forcë do i përjashtojmë. Pas dekriminalizimet për ne si LSI është me rëndësi të heqim konceptin që ka deputet që i shohin zonat e tyre si ndërmarrje private, të zgjidhen për vlerat që kanë jo për shkak të parave. Të shohim mundësinë e listave të hapura që qytetarët të zgjedhin brenda një force politike. Do forconim më shumë parlamentarizmin, do forconim lidhjet me qytetarët”.

Meta deklaroi ndër të tjera se nisie këto zgjedhjet njollosen, kjo është një njollë për Shqipërinë dhe shqiptarët që nuk e meritojnë. “Ne kemi mundësit të hedhim hapa përpara, me reformën territoriale ecëm para, u garantua barazia gjinore në zgjedhjet vendore, shpresojmë që këtë gjë ta realizojmë edhe tek ligji i zgjedhjeve parlamentare. Ne do ta zbatojmë, përfaqësuesit e LSI do jenë në respekt të barazisë gjinore. Kjo reformë duhet të mbështetet fuqishëm edhe nga reforma në drejtësi. Pra kush bën korrupsion e manipulim duhet të dënohet që të tjerët të mos guxojnë të përsërisin të njëjtin veprim. Forcim institucionesh besim tek drejtësia”.

Mungon Nishani

Presidenti Bujar Nishani mungoi në këtë tryezë. 
Tryeza është organizuar në kuadër të realizimit të “një reforme jo në minutat e fundit por në kohën e duhur” për këtë kryetarja e KVV, Gerta Meta falenderoi kreun e LSI-së Ilir Metën për apelet e tij të shpeshta për hartimin e kësaj reforme.
Tryeza ne nivel partiak
Ftesat u janë drejtuar krerëve më të lartë të politikës dhe institucioneve në vend, ndërsa duket se tre drejtuesit e partive kryesore politike, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe Kreu i Shtetit i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.
Veç drejtuesve më të lartë të politikës shqiptare në panel do të jenë dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Europian Romana Vlahutin.
Më herët ishte hedhur ideja për një tryezë të tillë për reformën në drejtësi, por duket që refuzimi që i bëri kreu i Qeverisë Rama përpjekjeve të Presidentit Nishani për të ulur palët politike për gjetjen e një konsensusi bëri të pamundur zhvillimin e një takimi të tillë.