Kryeministri Rama: Britania e Madhe e gatshme për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Prishtinë. Cameron: Shqipëria histori suksesi

17


Vazhdoni me reformat! Partneritet edhe përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë, po ndihmojmë edhe modernizimin e gjyqësorit. Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO.

Sigal

Të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit mbërriti në Shqipëri. Sekretari i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron. Mirëseardhja atij ju urua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. “Kënaqësi të mirëprisja në Tiranë, Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin Lord David Cameron”,- tha ministri shqiptar pak minuta pas takimit.

Më pas ishte Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që priti në kryeministri Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron. Rama e quajti atë një mik të çmuar të Shqipërisë. “Kënaqësi të mirëpres Lord David Cameron, Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, një mik i çmuar i Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht Shqiptarisë”.

Rama: Britania e Madhe, e gatshme për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

Kryeministri Edi Rama tha gjatë një deklarate për shtyp nga kryeministria se gjatë takimit me David Cameron u fol edhe për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin më konkretisht për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. “Kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit. Është një ditë e posaçme, pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri”. Më tej kryeministri Rama foli edhe për një tjetër nismë.

Cameron: Shqipëria histori suksesi

“Shqipëria është vërtetë një histori suksesi!”,- kështu u shpreh gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në mjediset e kryeministrisë David Cameron Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. “Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua që jam në Shqipëri. Një nga arsyet pse dëshiroja të vija dhe më vjen keq që është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim suksesin tuaj. Sepse Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO. Ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundurën dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit. Për këtë dëshiroj t’ju falënderoj juve, për lidershipin tuaj. Jo vetëm, sepse keni fituar më shumë zgjedhje ç’kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të BE-së. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin. Është në fakt një marrëdhënie shumë pozitive edhe nga aspekti i mbrojtjes. Në fushën e mbrojtjes, jo vetëm partneriteti në NATO dhe puna që ne po bëjmë për të arritur tek anëtarësimi i Ukrainës në NATO, por edhe në fakt për mbështetjen e drejtpërdrejtë që ne i japim njëri-tjetrit. Pra një partneritet gjithashtu edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë dhe me kënaqësi ne po ndihmojmë edhe modernizimin e gjyqësorit tuaj. Ndërkohë që ju vazhdoni reformat tuaja”.