Mirënjohja e shqiptarve për ambasadorin Ito Avni Ponari

349
Sigal

 

3 vjet kaluan shumë shpejt, pa kuptuar. Ishin vite të veçanta dhe natyrisht vite të një pune intensive nga Ju për forcimin e miqësisë Japoni – Shqipëri . Ju sollët miqësinë Tuaj që ishte aq e përzemërt për të gjithë ne që bashkëpunuam këto tre vite me Ju. Ju sollët edhe miqësinë e popullit dhe qeverisë Japoneze në çdo cep të Shqipërisë. Për tre vite, Ju krijuat miq të rinj dhe fituat zemrat e shumë shqiptarëve që arritën t’Ju njihnin, t’Ju takonin e të bashkëpunonin me Ju. Unë besoj se Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë kontributin Tuaj dhe të Qeverisë Japoneze në të gjitha projektet, si në fushën e shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit, parandalimit të fatkeqësive, projekte mbi shkëmbimet kulturore ndërmjet dy vendeve tona, si dhe investimet ekonomike në tërësi dhe investimet në përmirësimin e kushteve në shkolla në veçanti, në të gjithë Shqipërinë, që nga Bajram Curri, Valbona në Veri e deri në Gjirokastër, Sarandë e Konispol në Jug. I nderuar Ambasador, Ju me familjen Tuaj sollët një frymë të re tek Ne, të cilët e sollët me vete nga toka ku lind dielli.

U përpoqët të përcillni tek çdo Shqiptar mesazhin se një populli të shëndoshë i duhet një demokraci e shëndoshë dhe Japonia është një model që shqiptarët duhet ta kenë në mendje. Ju u përpoqët të sillni nga Japonia investitorë të mëdhenj dhe ja arritët ta realizoni këtë. Në pak vite Ju arritët të sillni tek ne pak Japoni, që ne të kishim mundësinë të merrnim diçka nga kultura, arti dhe virtytet e popullit Tuaj, sepse të dy vendet tona janë popuj të vjetër dhe duhet të jemi krah njëri-tjetrit. Ambasador Ito, unë ju uroj Ju dhe bashkëshortes Tuaj, Grace, suksese në detyrën e re dhe natyrisht uroj nga zemra që të riktheheni përsëri në Shqipëri. Ne do të vijmë t’Ju vizitojmë atje ku do të jeni edhe pas misionit Tuaj diplomatik, sepse unë besoj që miqësia jonë nuk do të mbarojë këtu, por do ta çmojmë edhe më shumë dhe do të mbajmë komunikimin dhe do të takohemi së bashku edhe në të ardhmen.