Kryemadhi: Duhet t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri, të rikthejmë të rinjtë që studiojnë jashtë të kontribuojnë në Shqipëri

196
Sigal

Ditën e sotme, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim në Malësinë e Madhe nga ku tha se, duhet t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri, të rikthejmë të rinjtë që studiojnë jashtë të kontribuojnë në Shqipëri.

“Ne duhet t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri. Ne duhet t’i japim fund urrejtjes politike, sepse ajo nuk na çon përpara, por përkundrazi na kthen mbrapa në ato vitet më të errëta të Shqipërisë.”,- tha Kryemadhi gjatë takimit.

Pjesë nga fjalët e Monika Kryemadhit:

Mirë se ju gjeta të gjithë miqve, shokëve dhe malësoreve që janë sot këtu në takim. Somela, Melisa mirë se ju gjeta dhe mirë se erdhët në LSI. Unë në fakt gjithmonë miqtë më të mirë i kam malësorë. Nganjëherë ideja e malësorit në shumicën e rasteve është sikur janë të egër, por të jesh malësor do të thotë që je besnik, i qëndrueshëm, por ke edhe botë të madhe shpirtërore. Sepse të ndryshosh dhe të ruash vlerat e familjes, të traditës, të historisë, të trashëgimisë, janë gjëra të vështira që në kohën e sotme mund t’i gjesh.

Fjalët janë ndonjëherë shumë pak përpara asaj çka përfaqësojnë të tre zonjat në këtë takim. Unë do të isha shumë e varfër përpara fjalëve që do të thotë vajzat dhe përpara asaj çfarë do thonë të gjithë banorët e Malësisë së Madhe. LSI-ja në Malësinë e Madhe ka qenë gjithmonë një element emocioni, ka qenë element fryme, ka qenë element nxitjeje, inspirimi, angazhimi të të gjithë qarkut të Shkodrës dhe që këtej vinte deri në Tiranë, e nga Tirana shkonte në të gjithë Shqipërinë.

Sot në kuadrin e shpopullimit që po ndodh në të gjithë Shqipërinë, edhe Malësia e Madhe e ndjen. Por në fakt gjëja kryesore që ne shpresojmë, ashtu sikurse Melisa është studente në Angli dhe ka ardhur e kandidon për listën e LSI-së, ne nuk duam t’i kthejmë të rinjtë tanë thjesht sepse duam t’i kemi këtu, por duam t’i kthejmë të rinjtë tanë të kontribuojnë, të ndërtojnë, të jetojnë, të punojnë dhe ta zhvillojnë Shqipërinë.

Ne duhet t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri. Ne duhet t’i japim fund urrejtjes politike, sepse ajo nuk na çon përpara, por përkundrazi na kthen mbrapa në ato vitet më të errëta të Shqipërisë. Ne duhet të shpërndajmë dashurinë, duhet të shpërndajmë solidaritetin, duhet të shpërndajmë bashkëjetesën me njëri tjetrin, ashtu siç kemi ditur dhe dimë gjithmonë ne shqiptarët për të mbajtur njëri tjetrin dhe për t’i qëndruar pranë.