Largimi i Nasip Naços, Kryemadhi: Risia e LSI është që asnjë nuk është i përjetshëm, LSI parti e të rinjve

282
Sigal

E ftuar në emisionin ‘Cim Peka Live’ në Syri Tv kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi foli mbi ish-ministrin e partisë së saj. Ajo tha se nuk ka asnjë emocion mbi largimet dhe i cilësoi ato si normale në jetën politike. Kjo është një arsye dhe për të cilat bëhen zgjedhjet për të ndryshuar elitat por dhe për zgjedhur njerëz të rinj. Ajo tha se LSI nuk është as e saj, as e Ilir Metës, as e Petrit Vasilit dhe Luan Ramës por e të gjithë anëtarëve të saj dhe mbi të gjitha e rinisë.

 

Zonja Kryemadhi, si ndiheni kur shikoni ministrat e LSI-së të zgjedhur nga Ilir Meta, ikin një e nga një te Edi Rama?

Nuk kam asnjë emocion, fare.

Një gjykim nuk keni për këtë gjë?

Risia që ka sjellë LSI-ja në jetën politike shqiptare është që asnjëri nuk është i përjetshëm dhe aq më shumë pushtetarët . Ne në politikë duhet të japim maksimumin tonë. Në momentin që ne nuk japim, por dëmtojmë, sigurisht që duhet t’i hapim krahun më të rinjve, më të aftëve, më të shkolluarve dhe më me prezencë në jetën politike dhe të një partie politike.

I përjetshëm jo, por edhe kaq të përkohshëm, të rrinë sa të bëhen ministra dhe pastaj të ikin, duam apo s’duam elektorati sigurisht ka pikëpyetje…

Prandaj partitë politike bëjnë zgjedhje brenda partive, zgjedhin strukturat, zgjedhin drejtuesit. Prandaj shqiptarët bëjnë zgjedhje, të ndryshojnë klasën politike, të ndryshojnë Parlamentin, të ndryshojnë qeveritë. Të zgjedhin  njerëz më me shkollë, të zgjedhin njerëz më të ditur. Se mund të jesh edhe pa shkollë, por je njeri i përulur. Mund të jesh njeri me shkollë shumë por nuk di të sillesh me njerëzit. Pra janë qytetarët ata që vendosin. Dhe tjetra, në politikën shqiptare mos u çudisni për hyrjet dhe daljet, nuk ka absolutisht asnjë lloj impakti në jetën e shoqërisë, sepse të jeni të bindur qoftë largimet politike qoftë të individëve të caktuar në LSI, në PS apo në Partinë Demokratike, ju e dini shumë mirë sepse ne kemi figura edhe të Partisë Demokratike që janë larguar edhe pse kanë qenë për 20 vite në pushtet me këtë forcë politike, por kanë ikur në krahët e Edi Ramës. Thelbi kryesor i të gjithë moralit të politikës shqiptare është që të gjithë ne duhet ta kuptojnë që asnjëri nga ne nuk është i përjetshëm. LSI është një parti politike, e cila ecën shpejt, duhet të ecësh me ritmin e saj, duhet të ecësh me filozofinë e saj. Lëvizja Socialiste për Integrim ka një moto: Është partia e të rinjve dhe të rejave. Sado të duam ne, nëse edhe unë bashkë me Petrit Vasilin dhe Luan Ramën që jemi tre më të vjetrit në LSI përsa i përket angazhimit, duhet ta kuptojmë që ajo parti nuk është e jona. Moralisht dhe parimisht LSI është e vetmja parti politike që i qëndron jo vetëm deklaratave të saj, por marrëveshjeve të saj.