Kryebashkiaku Veliaj : Më 1 qershor hapet Kopshti Zoologjik, dhuratë për fëmijët, një tjetër hapësirë argëtimi!

178
Sigal

Kopshti Zoologjik do të hapet më 1 qershor, që përkon me ditën e fëmijëve. Në këtë ditë të veçantë, fëmijët do të marrin një tjetër dhuratë, një hapësirë të re për të kaluar më shumë kohë, e cila do të ketë edhe parqe lojërash, hapësira për piknik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me një grup fëmijësh, inspektoi punimet që janë në fazën përfundimtare, për të mirëpritur më pas kafshët.

“Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të mësuar. Është ndoshta Kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, i rikonceptuar plotësisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët. Ato kafazet e ngushta nuk ekzistojnë më, pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skenat që ne mbajmë mend nga Kopshti Zoologjik që trashëguam”, deklaroi ai.

Veliaj nënvizoi se Kopshti Zoologjik i Tiranës është kthyer në një hapësirë për të gjitha grupmoshat, ku janë mbjellë edhe 1200 pemë. Kryebashkiaku u shpreh se faza e dytë do të pasohet me lidhjen e Kopshtit Zoologjik dhe atij Botanik, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe stafit drejtues të Fakultetit të Shkencave që të mos përziejnë politikën në çdo lloj vendimmarrje.

Kryebashkiaku ftoi edhe ata që kanë qenë skeptik në fillim për të parë transformimin te Kopshti Zoologjik, duke i garantuar se e njëjta cilësi e lartë pune do të bëhet edhe për Kopshtin Botanik.

Vizita në Kopshtin Zoologjik do të jetë një aktivitet, që zgjat përgjatë gjithë ditës, ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për familjarë e fëmijë. Krahas këtyre, në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit