Kriza politike: Qeveria zhvendoset në Elbasan, opozita proteston para parlamentit

541
Sigal

Kryeministri Rama në mediat italiane: Pas protestave në Shqipëri janë fuqi të huaja

Jakup B. GJOÇA

Sot është e planifikuar të mbahet seanca plenare e Parlamentit dhe opozita ka deklaruar se do të organizojë sërish një protestë të madhe përpara Parlamentit. Kjo protestë, siç duket, ka ngjallur njëfarë paniku edhe tek  kryeministri Rama, i cili ka njoftuar që dje, se do të zhvendoset së bashku me qeverinë e tij nga Tirana në Elbasan, në një resort turistik, ku nga ora 18 do të mbledhë ministrat, por edhe kryesinë e PS-së. Mësohet se darka do të nisë në orën 18:30 dhe duket se gjithçka do të ketë lidhje me situatën politike në vend, e tensionuar veçanërisht pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e opozitës. Burimet bëjnë me dije se në darkën e Ramës me ministra dhe anëtarë të kryesisë do të diskutohet mbi përgatitjen e zgjedhjeve, kandidatët dhe kongresin e 23 marsit, ku pritet që të zyrtarizohen kandidaturat e PS-së për kryebashkiakë.

Kryeministri Rama: Nuk jam Duçja

Kryeministri Edi Rama vazhdon të japë intervista për median italiane. Duke folur për italianen “Libero”, ai tha: “Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit, të tërhequr mbi “malin Aventino” siç thoni ju italianët, shprehje e përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti, pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja”. “Duhet të kthehen në Parlament, nëse duan të përballen. Kështu i bëjnë keq vetëm Shqipërisë. Nuk jemi në rrezik destabilizimi e protestuesit para parlamentit nuk kanë popullin pas tyre”. “Dua të çoj vendin tim në Evropë”, përgjigjet Rama.