KQZ-ja është shtojca e arrogancës së Rilindjes/ Militantët e majtë në KQZ, nën drejtimin e ish-kreut të prokurorimeve Denar Biba nuk lejojnë opozitën të bëjnë transparencën e pjesëmarrjes

181

Prof. Dr. Kristaq Kume ish-Kryetar i KQZ-së: 30 qershori është farsë elektorale, jo zgjedhje demokratike

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ: Presioni dhe arroganca e Rilindjes në sinkron me vendimmarrjen e jashtëligjshme të anëtarëve

Denar Biba do të emërojë të gjithë komisionerët dhe numëruesit e votave të zgjedhjeve të 30 qershorit

KQZ-ja është shtojca e arrogancës së Rilindjes

 

KQZ-ja është bërë një mashë e Partisë Socialiste në administrimin e procesit zgjedhor, sepse përbëhet nga 3 anëtarë të zgjedhur nga PS-ja, dhe 1 anëtar nga opozita, që do të thotë se çdo vendim i KQZ-së është (ose paragjykohet i tillë) vendim politik i ardhur nga sirtarët e PS-së. KQZ-ja ditë më parë rrëzoi kërkesën e Opozitës për të pasur komisionerë në KZAZ, sepse, sipas Denar Bibës, zëvendëskryetari i KQZ (kujtojmë që Denar Biba ka shantazhuar edhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, si i dërguari i kryeministrit Rama), PD-ja nuk është më parti parlamentare dhe nuk merr pjesë në zgjedhje. Denar Biba në kundërshtim me Kodin Zgjedhor merr kompetenca kushtetuese, kur përcakton ai se cila është parti parlamentare, duke shpërfillë edhe votën e elektoratit, e cila në zgjedhjet e 2017 I ka dhënë PD-së 43 mandate në parlament. Kaq kontradiktor me veprimet e tij kundërligjore është Denar Biba, sa ka certifikuar me mandatin e deputetit ata kandidatë që janë në listën e PD-së. Denar Biba, si zvkryetar i KQZ-së, duke i mohuar Opozitës të drejtën të ketë komisionerë në KZAZ, kërkon që të gjithë komisionerët t’i plotësojë me militant të partisë së vet, që ta ketë më të lehtë manipulimin e procesit zgjedhor, duke minuar transparencën, besueshmërinë, dhe duke e forcuar dyshimin e të të gjithëve se zgjedhjet e 30 qershorit janë farsë elektorale, votime dhe jo zgjedhje, derisa edhe të gjithë komisionerët e numëruesit e votave do t’i emërojë Denar Biba e KQZ-ja partiake e mazhorancës.

Disa pyetje për Denar Bibën, zv. kryetarin e KQZ-së

  • A mund të shpjegojë Denar Biba, pse pranon të certifikojë deputetë nga lista e PD-së, derisa PD-ja e ka dorëzuar vullnetin e saj politik për të mos qenë në parlament?
  • Pse, njëkohësisht, nuk e njeh PD-së si parti parlamentare, derisa këta deputetë të certifikuar janë nga lista emërore e PD-së?
  • A është Denar Biba institucioni i Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për kushtetueshmërinë e së drejtës së PD-së që të ketë komisionerë në KZAZ?
  • Duke emëruar KQZ-ja të gjithë komisionerët dhe numëruesit e votave nga partia që ti përfaqëson, çfarë transparence dhe besueshmërie do të ketë procesi zgjedhor?

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso: KQZ-ja e interpreton Kodin Zgjedhor sipas interesave partiake

Pas rrëzimit të padisë së PD-LSI, edhe nga Kolegji Zgjedhor, për të pasur anëtarë në KZAZ, përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso u shpreh se ky rast do të dokumentohet dhe do të përdoret si fakt në raportin përfundimtar, për të cilin do të vihen në dijeni edhe aktorët ndërkombëtarë që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve. Ivi Kaso: Në Kod Zgjedhor thuhet se për nivelin e dytë, 2 anëtarë propozohen nga shumica dhe 2 nga forca më e madhe opozitare. Duhet të ketë baraspeshim shumicë dhe opozitë. Nuk ka asnjë kriter që lidhet me zgjedhjet. Po interpretohet Kodi Zgjedhor nga KQZ sikur e imagjinojnë ato. Nuk ka ndodhur ndonjë herë që KQZ nuk e lexon sikur duhet Kodin. Kodi Zgjedhor ka thënë parti e shumicës parlamentare jo subjekt zgjedhor. Ka një afat që e përcakton Kodi Zgjedhor, nëse nuk bëhet Kodi e ka zgjidhjen, pika 5 ku thuhet nëse nuk sillen kandidaturat KQZ ka të drejtë nga shoqëria civile të fusë kandidatë. Synojmë të menaxhojmë procesin delikat të procesit zgjedhor. Nuk ka përse procesi të ketë vetëm një anë. Të mbrohet interesi i qytetareve, të atyre që votojmë dhe jo” tha ai. Ndërsa në përfundim të seancës ku u dha edhe vendimi kundër duke rrëzuar kërkesën, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso deklaroi ‘presim vendimin e zbardhur’.

 

Denar Biba, si zv. kryetar i KQZ-së, duke i mohuar Opozitës të drejtën të ketë komisionerë në KZAZ, kërkon që të gjithë komisionerët t’i plotësojë me militantë të partisë së vet, që ta ketë më të lehtë manipulimin e procesit zgjedhor, duke minuar transparencën, besueshmërinë, dhe duke e forcuar dyshimin e të të gjithëve, se zgjedhjet e 30 qershorit janë farsë elektorale, votime dhe jo zgjedhje

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së

30 qershori është farsë elektorale, jo zgjedhje demokratike

 

-Prof. Kume, me që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi kërkesën e opozitës që të kishin komisionerët e tyre në KZAZ, nga cili kah politik do të jenë këta komisionerë? As nga partia opozitare e re parlamentare, jo, sipas vendimit të KQZ-së?

– Në qoftë se do t’i referohemi Kodit Zgjedhor, numri i komisionerëve në KZAZ, janë 4 nga Partia Socialiste janë 3 komisionerë dhe 2 duhet të jenë nga partitë opozitare. Në kushtet kur Kolegji Zgjedhor dhe KQZ kanë marrë vendim që Opozita të mos ketë komisioner në KZAZ, atëherë komisionarin e 4 e përcakton KQZ, dhe me sa di unë, ajo e ka bërë shpalljen publike.

-Në kushtet që KQZ është me 3 anëtarë nga PS-ja dhe vetëm 1 anëtar i opozitës, a nuk është një mundësi potenciale që anëtari i katërt i KZAZ-ve të paracaktohet me pëlqim partiak?

– KQZ ka shpallur kritere se cilët do të jenë kanididatët që do të marrin pjesë në garim për anëtarë të KZAZ, por nuk përjashtohet që ata komisionerë të përzgjidhen edhe me ato kritere që ju thatë. Do të jetë vetëm KQZ-ja që do të përzgjedhë komisionerët e KZAZ, dhe në kushtet konkrete që jemi, cilido ka të drejtën e paragjykimeve, se do të përzgjidhen persona me kritere partiake.

-A ka sens që të gjithë komisionerët e KZAZ-ve të jenë përzgjedhur vetëm nga Partia Socialiste, duke pasur parasysh edhe faktin që KQZ-ja e cila dominohet nga PS-ja rrëzoi kërkesën e PD-së që të kishte edhe opozita komisionerët e saj në KZAZ?

– Ka kaq sens kjo, sa të bësh garë elektorale me vetveten. Nuk ka zgjedhje, por do ketë votim me vetveten. Këtë e ka pranuar publikisht edhe kryetari i Aleancës së Majtë, i cili ka thënë me mburrje: Nuk janë zgjedhje me kundërshtarin politik, por me kundërshtarin e zgjedhjeve. E kë kanë kundërshtar në këto zgjedhje? Ky kryetar, do të ishte më i sinqertë, nëse u thoshte shqiptarëve: Në 30 qershor janë votime, jo zgjedhje! Pra, në 30 qershor nuk do të jetë proces zgjedhor me standarde dhe norma demokratike, sado kryeministri të na thotë se në garë do të jenë edhe të tjerë, veç Partisë Socialiste. E gjithë fushata elektorale që bën tani, është energji e shpenzuar kot, thjesht për propagandë, për t’u thënë mbase disa ndërkombëtarëve se bën zgjedhje.

– Prof. Kume, ju si e shpjegoni, a është e ligjshme që qeveria me VKM të japë nga fondi rezervë i Buxhetit të shtetit edhe 650 milionë lekë shtesë për partitë që do garojnë në zgjedhjet e 30 qershorit?

– Nuk e kuptoj, pse qeveria me VKM të japë fonde shtesë nga rezervat e buxhetit të shtetit për partitë që marrin pjesë në zgjedhje, kur KQZ e ka ndarë fondin, që përcakton ligji. Kjo shtesë fondesh nga rezervat e buxhetit, është keqpërdorim, është shpërdorim fondesh. Është si ta them, bakshish elektoral që qeveria u jep partive që marrin pjesë në zgjedhje, në një kohë kur njerëzit flenë nëpër çadra. Edhe kjo VKM është tregues i qartë që zgjedhjet e 30 qershorit janë farsë elektorale.

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së

KQZ-ja ka marrë vendim të gabuar

  • Zoti Lazaj, meqë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi kërkesën e opozitës që të kishin komisionerët e tyre në KZAZ, nga cili kah politik do të jenë këta komisionerë? As nga partia opozitare e re parlamentare, jo, sipas vendimit të KQZ-së.
  • Anëtari që duhet të ishte nga opozita në KZAZ, do të zëvendësohet nga shoqëria civile, që do ta caktojë KQZ-ja. Kjo zgjidhje, nuk është korrekte, por shkon në vazhdën e qëndrimeve të gabuara të KQZ-së, pasojë e presionit dhe arrogancës së Rilindjes.