KOMISION HETIMOR PËR INVESTIMET STRATEGJIKE

212
Sigal

Mblidhen firmat për t’i hequr mandatin e deputetes, grabitja e pronave nw bregdet, fundos edhe Olta Xhaçkën. Ja si e ndërtoi resortin me “ 5 yje” në Dhërmi dhe përdorimi i kunatës si investitore strategjike, duke përfituar nga pasuritë e popullit për një periudhë 30 vjeçare

Mazhoranca ka refuzuar ngritjen e një komisioni hetimor, ndërkohë që PD ka hedhur një hap më tej. Si grupi i Enkelejd Alibeajt, ashtu dhe deputetët krah Berishës kanë nisur të mbledhin firmat për t’i hequr mandatin Xhaçkës pasi sipas tyre ajo është në konflikt interesi, ndërsa kanë paraqitur një mocion. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka rrezikon të humbasë mandatin e deputetes. Në zgjedhjet e 25 prillit ajo u zgjodh deputete e Korçës, por përfitimet e bashkëshortit të saj Artan Gaçi mund të sjellin humbjen e mandatit. Artan Gaçi ka përfituar 8 mijë metër katror tokë në Himarë. Konkretisht, për 8000 m2 tokë e plazh, që kanë marrë për resortin “Dreamades Luxury Suites” Gjilekë-Himarë, Artan Gaçi e Olta Xhaçka, kanë paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë, tarifë për menaxhimin e procedurave të investimeve strategjike. Deputetët Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja, Merita Bakiu, Emilja Koliqi, Ferdinand Xhaferri, Ilda Dhori, Arbi Agalliu, Saimir Korreshi, Orjola Pampuri, Selaudin Jakupllari, Zheni Gjergji, Flamur Hoxha dhe Dashnor Sula, i kanë kërkuar Kuvendit ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën. Në mocion sqarohet se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TÇ shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar. Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së. “Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas neneve 70/2-3 dhe 71/2/c të Kushtetutës”, thuhet në mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD. Sipas tyre rezulton e provuar se shoqëria tregtare AG. TÇ shpk ka përfituar të drejtën për të kryer veprimtari fitimprurëse, që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve në fushën e turizmit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit. “Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Për pasojë, në kuptim të ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TÇ shpk konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka. Për pasojë, përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka”, sqarojnë deputetët e opozitës. Kemi dy precedentë që janë humbur mandate. Precedenti i parë është ai i Ilir Beqajt. Në vitin 2011 atij ju hoq mandati i deputetit, pasi një kompani e drejtuar prej tij kishte përfituar tendera për pajisjen me kompjutera institucionet në Durrës. Ndërsa në vitin 2016, ju hoq mandati i deputetit Koço Kokëdhimës. Ky i fundit kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Abissnet gjatë kohës që ishte deputet. Duke qenë se faktet për Xhaçkën janë sheshit edhe ajo është e rrezikuar të ketë të njëjtin fat.