Kim Mehmeti: Regjimi i Ramës, si ai i diktaturës me sabotatorë!

67
Sigal

Asnjë sipërmarrje e Shqipërisë nuk është e kontrolluar nga regjimi i ‘Rilindjes’’, aq sa ‘Albcontrol’. Edhe atë jo vetëm pse aty punojnë shumë fëmijë e nipa të ‘Rilindësve’, po pse është e mbikëqyrur nga gjitha shërbimet që kujdesen për stabilitetin e shtetit. Pra është e pamundur dhe është e pabesueshme që regjimi i ‘Rilindjes’ të mos e ketë ditur se çka do ndërmarrin kontrollorët e fluturimit, siç është shumë e logjikshme dhe e besueshme se rrëgjimi i ‘Rilindjes’ është ai që ka mundur t’i fut në kurth kontrollorët e pakënaqur nga zbritja e pagave mujore. Andaj sido që ta kthesh dhe nga cili do këndvështrim që ta shqyrtosh dhe analizosh këtë ngjarje, vjen në përfundim se protesta e fundit në Rinas, më shumë se sa vetë kontrollorëve të fluturimit, i shërbeu dhe i duhej regjimit të ‘Rilindjes’, i cili regjim mbahet në këmbë si ai i dikurshmi i Enverit: duke e trishtuar popullin me armiqtë që i kanosen dhe e sabotojnë Shqipërisë. Ndërkohë nuk duhet harruar se regjimet në fillim i trillojnë armiq, pastaj fillojnë t’u besojnë e t’u frikohen trilleve të veta, ashtu siç sot Piktori trishtohet sa here që dikush ia përmendi Presidentin e shtetit, apo kryetarin historik të Partisë Demokratike.  Por sido qoftë duhet thënë: mos e bëftë Zoti që protestën e Rinasit ta ketë organizuar kushdo qoftë nga jashtë, sepse kjo do të thotë se Shqipërinë e kontrollojnë banditët, e jo institucionet. Pra, nëse do ishte ashtu siç thotë regjimi i ‘Rilindjes’, do të thotë se Piktorit i kanë dalë duarsh banditët dhe tani ata e drejtojnë vendin.  Më në fund, asgjë nuk është e pamundur në një shtet si Shqipëria, ku krye bashkiaku i Tiranës i mëson shqiptarët si mbillen pemët, thuajse vetëm sa për ta fshehë mbjelljen e kanabisit. Po pra, asgjë nuk është e pamundur në një Shqipëri ku shumë nga votuesit nuk e kanë kuptuar se kur partisë ia shet votën, ti e ke blerë fatkeqësinë dhe turpin tënd.  Dhe shumë çka u ndodhë votuesve që mburren se i takojnë një populli evropian dhe inteligjentë, por të cilët kanë votuar edhe të atillë që nuk u kanë ofruar gjë, përpos prapanicën cullak.  Siç u ndodhin shumë të këqija edhe atyre që lëvdohen se janë pjesë e popullit më të vjetër në Evropë dhe më inteligjentët e kontinentit, por të cilët janë të paaftë të dallojnë politikanin që është për ta votuar nga ai që duhet mjekuar.  Dhe votuesit e tillë, paguajmë çmim dhe bien në duart e atyre që rrënojnë Teatër dhe të cilët, për shkak të tekeve të veta, e dënojnë popullin të paguaj me qindra milion euro.  Shkurt dhe shqip, nuk është thënë mëkot se ai që përkrahë të papërgjegjshmin, se ai që e voton të pafytyrin e hajdutin, nuk është viktimë por bashkëfajtorë. Andaj për qindra milionët që Shqipëria do ia paguaj Beketit, janë fajtorë edhe të gjithë ata që kanë votuar për ‘Rilindjen’.