Ilir Beqaj, ministri që u kthye në shërbëtor të të “fortëve”

264
Sigal

Dalja e Edi Ramës disa ditë më parë në lidhje publike duke folur në telefon me Edona Bilalin, gruan që kryeson listën e PS-së në qarkun Shkodër, u përkthye menjëherë si një anashkalim i qartë i Ilir Beqajt, kreut politik të PS-së për qarkun. Në skenografinë e telefonatave të publikuara në Facebook, Rama ka folur në të gjitha qarqet jo me kryesuesit e listave por me shefat politikë. Në Vlorë me Damian Gjiknurin, i cili është i shtati në listë, me Niko Peleshin, i cili gjithashtu është i gjashti në Korçë, me shefen e qarkut Durrës Milva Ekonomi etj, anashkalimi i Ilir Beqajt ishte tipikisht një gjest politik, i cili sipas të gjitha gjasave vjen nga një degradim i vazhdueshëm i imazhit të tij publik.  Ilir Beqaj, është njeriu që ka hyrë në politikën e lartë të PS-së që me Edi Ramën, pra në vitin 2005, por ende nuk ka një zonë të tijën fikse elektorale. Ka bredhur nga Shkodra në Durrës, në Dibër e për tu kthyer në Shkodër sërish. Ilir Beqaj, është deputeti i parë i PS-së i shkarkuar nga Gjykata Kushtetuese, ndoshta edhe me tendencë, por që kishte shkelur ligjin, ngaqë kishte përfituar tendera publikë për kompaninë e tij. Por realisht qënia e tij në politikën e lartë ka vetëm një shkak; ka qenë klienti dhe shërbyesi i Tom Doshit. Beqaj, i cili nuk kishte asnjë lidhje me mjekësinë u bë ministër i Shëndetësisë, pikërisht për të blerë e furnizuar me miliona para të buxhetit të shtetit, bizneset farmaceutike të Tom Doshit në Shqipëri. Kjo solli më pas kalimin në një stad të “lartë”, ku shpiku teorinë e PPP-ve, ku shëndetësia u bë edhe epruveta ku u rrit në laborator kjo metodë. E paralelisht me miliardat e buxhetit që u shpërndanë masivisht tek kompanitë e mëdha për shëndetësinë, u rrit edhe mirëqenia personale e Beqajt, i cili ndërroi tre herë shtëpi brenda 8 vjetëve, duke u rehatuar edhe faqe publikut në rezidenca luksoze, me vetura të shtrenjta, restorante a la grande e jetë luksi. Vit pas viti, Beqja, edhe pse u largua nga qeveria prej Edi Ramës për të mos shpërthyer ndonjë tjetër skandal, kurrë nuk e rimorri veten dhe nuk ishte efektiv në politikë. Ai ishte thjesht njeri i të fortëve.