KE: Të ndalohen rreptësisht mbetjet për depozitim

427
Sigal

Drejtoria e
Përgjithshme e Mjedisit e Këshillit Europian i ka kthyer përgjigje autoriteteve
shqiptare lidhur me kërkesën e tyre për një vlerësim të ligjit për menaxhimin e
mbetjeve të integruara, nëse ai është në përputhje me normat (acquis) të BE-së.

Në letër theksohet se
ligji është i përshtatshëm për Shqipërinë për momentin, por në afatin e gjatë,
nëse Shqipëria bën progres në anëtarësimin në BE, atëherë duhet të rregullojë
sistemin e saj legjislativ në përputhje me kërkesat e rregullores së KE. Sipas
letrës, legjislacioni i BE-së është më tolerant për importin e mbetjeve që
përdoren për riciklim, në raport me ato që thjesht depozitohen.

Tekstualisht në letër shkruhet

“Duke marrë parasysh
situatën e veçantë të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe
mungesën e infrastrukturës së duhur të menaxhimit të mbetjeve në vend, ne
besojmë se ndryshimet në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve janë
përshtatur mirë dhe të zbatueshme për Shqipërinë në këtë moment kohor.

Në perspektivën
afatmesme, nëse Shqipëria bën progres të dukshëm në rrugën e saj drejt
anëtarësimit, Shqipëria do të duhet të rregullojë sistemin e saj legjislativ në
një mënyrë të tillë që të mos ketë kundërshtime me kërkesat e Rregullores (KE)
1013/2006. Kjo vetëm do të ketë një efekt sqarues, sepse Rregulloret direkt të
aplikueshme të BE-së në mënyrë automatike shmangin ligjet ekzistuese kombëtare
që bien ndesh me to.

Sipas Rregullores (KE)
1013/2006 për dërgesat e mbeturinave, Shqipëria mund të ndalojë importin e çdo
lloji të mbeturinave (të rrezikshme ose jo-të rrezikshme) për një operacin
depozitimi në Shqipëri, bazuar në një nga arsyet e renditura në nenin 11, në
momentin që ajo do të jetë shtet anëtar i BE-së. Sipas nenit 11 (6), mund të
aplikohet në përgjithësi ndalimi i importit të mbetjeve për depozitim.

Në kontrast me
depozitimin, importi i mbetjeve të rrezikshme për rikuperim (riciklim,
ripërdorim, nxjerrje e lëndës së parë dytësore) mund të refuzohet vetëm mbi
bazën e elementeve të renditura në nenin 12 të Rregullores (KE) 1013/2006.
Mbetjet e destinuara për çdo operacion rekuperimi (riciklimi, ripërdorimi) të
listuara në Shtojcën II të Direktivës 2008/98 / KE mbi mbetjet, në përgjithësi,
konsiderohen si një mall që përfiton nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave.
Një ndalim i hapur i importit të mbetjeve të rrezikshme të destinuara për
rikuperim, siç është përcaktuar në bazë të aktit në fjalë, mund të mos jetë në
përputhje me nenin 12. Megjithatë, Rregullorja (EC) 1013/2006 është e
detyrueshme në tërësinë e saj vetëm në shtetet anëtare të BE. Ndërkohë që
Shqipëria ndërton kapacitetin e saj për të trajtuar mbeturinat në vitet e
ardhshme ne presim që ajo të jetë në një pozitë më të mirë për të zbatuar
plotësisht acquis e BE-së për mbeturinat, ndërkohë që anëtarësimi  bëhet gjithnjë e më i afërt”, thuhet në
letër.

Vendimi i qeverisë për
të lejuar importin e mbetjeve në shtator ngjalli shumë debate, teksa shoqëria
civile e kundërshtoi këtë vendim. Pasi presidenti e riktheu për rishqyrtim në
Kuvend ligjin e mbetjeve, ai pritet të kalojë testin e radhës po në Kuvend.