Kadri Disha: Pakënaqësi për qeverisjen, nuk ka mbajtur premtimet

785
Kadri Disha është anëtar i KQ të PSPSH dhe në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se edhe partia e tyre është në koalicion me PS, qeveria e Majtë nuk i ka mbajtur premtimet për të drejtat e punëtorëve, sidomos për minatorët, që sot punojnë në kushte Mesjete të punës. 
– Zoti Disha, partia juaj me kë është në aleancë në këto zgjedhje?
PSPSH është në aleancë me PS. Objektivi kryesor është që të mbështetin koalicionin e Majtë, sepse kemi bindjen se kjo qeveri mund të mbrojë më shumë të drejtat e punëtorëve. 
– Çfarë alternative do të paraqesin në zgjedhjet vendore kandidatët për këshilltarë te partisë tuaj?
Qëllimin kryesor ne kemi mbrojtjen e interesave të punëtorëve, intelektualëve, e kryesisht mbrojmë interesat e minatorëve, që janë shtresa më e vuajtur dhe kemi kërkuar që të miratohet statusi i minatorit. Këtë duhet ta kenë obligim edhe partitë që janë në pushtet. 
– Në këto 20 muaj, çfarë ka bërë qeverisja e Majtë, për të mbrojtur interesat e punëtorëve, e sidomos të minatorëve?
Deri tani është miratuar vetëm ulja e moshës së daljes në pension të minatorëve, e cila ka qënë e studiuar që në vitin 1956. Atualisht, kjo qeveri deri tani nuk ka bërë asgjë, për të drejtat e punëtorëve dhe minatorëve, sepse statusi i minatorit është zhdukur nga faqja e dheut, edhe pse deputetët e majtë na kanë premtuar në fushata elektorale, që do ta miratojnë (më në fund) këtë status të minatorëve. 
– Cila është mosha e daljes në pension të minatorit, që ju kërkoni?
Minatori duhet të dalë në pension 50 vjeç, kjo është studiuar që në 1956, sepse minatori ka punën më të vështirë dhe nuk mund ta gëzojë pensionin, nëse e merr në moshë më të madhe. 

– Cilat janë kushtet e sotme, në minierat tona të Bulqizës, ku ju jetoni?
Kam qënë 18 vjet minator dhe kushtet i kishim më të mira se sot. Kishte menca e të tjera privilegje. Sot paga e minatorit është qesharake, sa një pastruese në ministri merr më shumë pagë nga një minatori. Deri tani kanë humbur jetën 600 minatorë, nga mungesa e kushteve të punës në minierat tona sot. Aktualisht duhet që miniera të jetë shtetërore, që të kthehet dinjiteti i Bulqizës dhe i banorëve e minatorëve. 

– Mendoni që kjo qeveri e Majtë i ka prioritet të drejtat e punëtorëve?
Nuk mendoj se të drejtat e punëtorëve janë prioritet edhe i kësaj qeverie. Shumë nga shokët e mi janë të papunë. Qeveria nuk kujdeset as për kushtet e punës, as për pagat dhe as që punëtorët të kenë të sigurtë vendin e punës dhe as nëse ata sigurohen nga punëdhënësi. 
Sigal