Kancelarja pa etikë e Prokurorisë së Tiranës dhe përgjegjësia e Adriatik Llallës

2086
Zvarritja e hetimeve të dosjeve të padive penale që janë dorëzuar në prokurorinë e Tiranës, është fenomeni më i rëndomtë, për të cilin tashmë, jo vetëm që asnjë titullar insitucioni përgjegjës, por edhe titullarët e institucioneve kushtetuese nuk bëhen më merak, aq sa ata janë ambjentuar dhe e quajnë një normalitet pune, paçka se padia penale mund të përmbajë edhe përgjegjësi dhe dëme të mëdha, jo vetëm personale, por sidomos shtetërore. 
2 vjet që prokuroria nuk heton padinë penale të PS ndaj KQZ
Kështu, mbushen 2 vjet që PS ka dorëzuar padi penale në prokurorinë e Tiranës, saktësisht më 20 qershor 2013 kundër kryetares së KQZ Leferi Luzi (Lleshi), si edhe 3 anëtarëve të tjerë të KQZ, “Për shpërdorim të detyrës në bashkëpunim”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, për dështimin e numërimit elektronik në Qarkun e Fierit, dhe të verifikimit elektronik në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Kjo padi penale e PS ndaj kryetares së KQZ Lefteri Luzi (Lleshi) dorëzuar në prokurorinë e Tiranës në 20 qershor 2013. Mirëpo deri tani, kjo prokurori nuk ka bërë asnjë veprim hetimi dhe dosjen nuk e ka çuar as në gjykatë, dhe as e ka pezulluar çështjen. Askush nuk e di arsyen. 

Kancelarja e Prokurorisë, Valentina Qokaj me sjellje joetike
Padia penale e PS ndaj Kryetares së KQZ Lefteri Lleshi, “Për shpërdorim të detyrës në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 248 dhe 52 të Kodit Penal, bart përgjegjësi të madhe penale, pasi u sabotua projekti elektronik që parashikonte Kodi Zgjedhor në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, duke vënë në rrezik standartet e zgjedhjeve, por edhe i shkaktoi dëm të madh financiar taksapaguesve shqiptarë, në shumën e 4,2 milionë euro që Kryetarja e KQZ Lefteri Luzi i pagoi kompanisë spanjolle “Indira System SA”, edhe pse nuk zbatoi projektin. U interesuam pranë prokurorisë së Tiranës, me kërkesë, bazuar në ligjin numër 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, për të mësuar ecurinë e hetimit të çështjes. Mirëpo, prokuroria e Tiranës, na kthen përgjigje, se do kohë, edhe pse ne kërkesën e kishim bërë para 1 jave. U interesuam, te kancelarja e prokurorisë Valentina Qokaj, për zvarritjen e kërkesës tonë, por edhe të çështjes së hetimit. Edhe pse në zyrën e saj, kancelarja e prokurorisë së Tiranës po bisedonte me 2 persona për çështje mode e emisionesh televizive, kërkesës sonë iu përgjigj me arrogancë e shpërfillje. – Ju keni fletëhyrjen që të flisni me mua? – Kam fletëhyrjen në prokurori, fillimisht vajta te sekretaria dhe erdha të pyes te ju, ngaqë përgjigja që mora atje, ishte e pamjaftueshme për mua. – Ik poshtë në hyrje e merr një tjetër hyrje për mua. – Po unë jam këtu te ju, e ju nuk keni ndonjë punë që t’ju shqetësoj, ndaj pse të shkoj të rimarr fletëhyrje vetëm për ju? – Kështu është ligji këtu. Ik poshtë dhe merr tjetër fletëhyrje dhe nëse kam kohë unë, të vini te unë. Ndryshe, hajdeni ditë tjetër. U detyrova të shkoja në hyrje të prokurorisë, për të marrë sërish fletëhyrje për te kancelarja. Nëpunësja, më qortoi pse shkova edhe te kancelarja, pa fletëhyrje të posaçme, ngaqë ajo sapo e mori telefon dhe i bërtiti. I kërkova një fletëhyrje të posaçme, për kancelaren. Nëpunësja mori në telefon kancelaren. Pas pak, më thotë nëpunësja e recepsionit, se kancelarja nuk ka kohë. Dhe vërtet, pas pak shikoj, që kancelarja doli fare nga godina e prokurorisë së Tiranës, edhe pse ishte ora 11.30. Prokuroria e Tiranës, le të shikojë pamjet e kamerave për të vërtetuar dëshminë tonë.
Përgjegjësia e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla
Që kancelarja e prokurorisë së Tiranës, e cila paguhet nga taksapaguesit dhe duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, të sillet me arrogancë dhe joetikë, madje, duke mos pritur as të dëgjojë kërkesën e qytetarëve, por kohën e punës ta shpërdorojë duke biseduar për emisionet televizive të modës, e të largohet nga institucioni kur të dojë ajo (nuk pashë që kancelarja të shënojë andresën dhe arësyen e largimit nga institucioni në orarin e punës), do të thotë, që kancelarja ka mbështetjen e plotë të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Prandaj, kancelarja ka të drejtën e saj, të sillet me këdo si t’i dojë asaj qejfi, sepse askush nuk e tund nga karrikja e saj, edhe pse sillet me arrogancë e nuk u shërben qytetarëve. Dhe ky rast i sjelljes joetike të kancelares së prokurorisë së Tiranës, Valentina Qokaj, nuk është një rastësi dhe as i vetëm, sepse punonjës të prokurorisë, që u bënë dëshmitarë të sjelljes arrogante të kancelares, nuk u çuditën aspak, përkundrazi, na pohuan që ajo kështu sillet përherë. Por, edhe më gjerë ta shikojmë çështjen. Cila është mbarëvajtja e punëve në prokurorinë e Tiranës, në të cilat duhet t’i kryejë kancelarja? 
Kreu i prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha nuk reagoi
Kreu i prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, edhe pse u vu në dijeni për sjelljen jo korrekte dhe jo etike të kancelares së prokurorisë, Valentina Qokaj, heshti, duke mos bërë asnjë reagim, thua, se edhe për atë vetë, si kreu i prokurorisë së Tiranës, është e pamundur të reagojë. Ndërsa pyetjes sonë, përse në këto 2 vjet, që nga 20 qershori 2013 dhe deri tani, prokuroria e Tiranës nuk ka hetuar çështjen e padisë penale të PS ndaj KQZ, për shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim, kreu i prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, u përgjigj, se nuk është e vërtetë. – Zoti Prokuror, si ka mundësi që në këto 2 vjet prokuroria nuk e ka hetuar padinë penale të PS ndaj KQZ? – Kush tha që nuk e ka hetuar? Po ne nuk mund të publikojmë hetimet, ndaj ju nuk dini asgjë. – Po deri tani, nuk është bërë publike, nëse hetimi ka mbaruar, cilat kanë qenë rezultatet dhe a është çuar çështja në gjykatë? – Nuk ka mbaruar akoma afati ligjor i hetimit dhe çështjet e hetimit janë sekret. – Ka kaluar 2 vjet nga dorrëzimi i padisë penale të PS ndaj KQZ. Sa kohë do prokuroria e Tiranës, që ta hetojë? Nuk mjaftojnë këto 2 vjet? – Jemi brenda afatit ligjor, i cili parashikon deri në 3 vjet. – Cila është vështirësia? Kaq e vështirë është të mbarojë hetimi i kësaj çështjeve penale? – Nuk mundem t’ju përgjigjem. Ne respektojmë ligjin dhe kryejmë punën tonë. 
Sigal