Intervista/ Av. Sonila Velo: Një drejtësi e paaksesueshme është një drejtësi, që nuk ekziston

478
Sigal

“Kur ishim ende në fazën e një drafti, çdo dhomë avokatie në vend ka dalë me deklaratat përkatëse me anë të të cilave shprehej mjaft qartë se harta e re gjyqësore  konsiderohej një shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve për akses në gjykatë.”

Migena Neli

Harta e re gjyqësore duket se nuk është një shqetësim vetëm për avokatët, të cilët duke qenë të shpërndarë në rrethe do të humbasin punën, por edhe për qytetarët, të cilët për të marrë pjesë në një gjyq do të duhet të shpenzojnë për rrugën e qëndrimin në një qytet tjetër. Pë problematikën në rrafshin profesional e social do të flasim me avokaten Sonila Velo.


Avokatët e kanë kundërshtuar gjatë gjithë kohës hartën e re gjyqësore në seancat publike që janë zhvilluar. Pse u prit derisa Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për pranimin e sistemit të ri për të kërcënuar me bojkotin e punës?

Siç tashmë e dimë, prej kohësh nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë gjyqësor, janë kryer tryeza konsultimi në lidhje me hartën e re gjyqësore. Këto takime të bëra me grupet e interesit, supozohej të mos shkonin në vesh të shurdhër. Mendoj se këto takime kanë qenë fiktive dhe nuk kanë pasur për qëllim në asnjë moment të marrin mendimin e specialistëve. Sa i përket avokatisë, në çdo takim të kryer janë shprehur kundërshtimet në lidhje me këtë ndryshim. Kur ishim ende në fazën e një drafti, çdo dhomë avokatie në vend ka dalë me deklaratat përkatëse me anë të të cilave shprehej mjaft qartë se harta e re gjyqësore  konsiderohej një shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve për akses në gjykatë, dhe jo vetëm kaq. Ky ndryshim sigurisht që do të reflektohej qartësisht në xhepat e qytetarëve.

A mendoni se qeveria do të ketë një tërheqje nga ky vendim nëse avokatët do vijojnë grevën?

Unë mendoj se në fazën ku jemi, duhet të ndërhyjë ligjvënësi. Situata e krijuar është detyrë e tij dhe jo vetëm që ka aksesin dhe mundësinë për të ndërhyrë në zgjidhjen e saj, por edhe për të mundësuar tashmë një diskutim më të gjerë politik e juridik duke bërë bashkë të gjithë grupet e interesit për të gjetur një zgjidhje.

Nëse një drejtësi e vonuar ështe një drejtësi e mohuar, atëherë një drejtësi e paaksesueshme është një drejtësi, që nuk ekziston. Sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, një nga parimet kryesore është ai i së drejtës për akses në gjykatë apo në raste të veçanta në organ, që zgjidh në mënyrë alternative mosmarrëveshjet, me qëllim që të zhdëmtohet nëse konkludohet se të drejtat e tij/saj janë shkelur.

Rrjedhimisht, aksesi në drejtësi është një e drejtë mundësuese, që ndihmon individët të ushtrojnë të drejtat e tjera.

“Nëse harta e re do të aprovohet, do të thotë më pak akses të qytetarëve në drejtësi, më pak çështje të adresuara në Gjykatë”


Çfarë do të thotë për avokatët nëse Harta e re gjyqësore nuk rishikohet?

Nëse nuk do të kemi një rishikim të hartës së re gjyqësore, për avokatët do të thotë që do të vazhdojnë të kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet. Aprovimi i hartës së re gjyqësore është jo vetëm një process, i cili kërkon kohë, por edhe një process, i cili supozohet të jetë efikas.

Nëse harta e re do të aprovohet, sigurisht që do jemi përpara një fakti të kryer, që do të thotë më pak akses të qytetarëve në drejtësi, më pak çështje të adresuara në Gjykatë dhe rrjedhimisht e gjithë kjo situatë do të reflektohet ndjeshëm.

Cilat kanë qenë disa nga kërkesat e avokatëve që Ministri Manja deklaroi se janë adresuar?

Ulja e numrit të gjykatave të bëhet në mënyre graduale dhe jo në mënyre drastike dhe të menjëherëshme. E rëndësishme sidomos është ceshtja për gjykatat e Apelit. Nga 6 gjykata Apeli, të paktën të zbresin në 4 të tilla. Është shumë e rëndësishme, sepse sot çështjet në Gjykatën e Apelit zgjasin për vite me radhë. Çdo të ndodhë nëse zvogëlohet kaq shumë numri i tyre? Një nga propozimet kryesore të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ishte pikërisht reduktimi në 4 Gjykata Apeli. Ato të mbeten në zonat me përqëndrim më të lartë të popullsisë si Shkodra apo Elbasani. Duke qenë një nga propozimet kryesore dhe duke qenë i mirëargumentuar, nuk u mor parasysh.


Çfarë pritet të ndodhë nëse nuk do të ketë tërheqje nga harta e re gjyqësore? A do ketë rritje të rasteve të vetëgjyqësisë?

Nuk mendoj se vetëgjyqësia është një zgjidhje dhe as nuk duhet inkurajuar si fenomen. Edhe pse duhet pranuar që janë disa faktorë, të cilët bëjnë që shumë qytetarË t’i drejtohen mënyrave të ndryshme për zgjidhjen e problemeve.

Duhet pranuar që niveli i informacionit ligjor, sidomos në zona të thella mbetet ende në nivele të ulëta. Duke i shtuar kësaj edhe  problematikën që rrjedh nga harta e re gjyqësore, siç është largësia gjeografike apo rritja e kostove për të aksesuar gjykatat, mendoj që rastet e “vetëgjyqësisë” apo të zgjidhjes në mënyra alternative mund të pësojnë rritje.

Ky organizim i ri i gjykatave do të përkeqësojë aksesin në drejtësi, duke mos e favorizuar qytetarin në raport me vendbanimin, kushtet infrastrukturore të transportit dhe kushtet sociale ekonomike, në të cilat gjendet.

Cila do të ishte mënyra më efikase për të vënë në kontroll numrin e lartë të çështjeve gjyqësore, ndërsa drejtësia të vijojë të jetë e aksesueshme për qytetarët?

Shpërndarja gjeografike e gjykatave është element thelbësor i aksesit në drejtësi. Pika e parë që  duhet zbatuar është pikërisht  mundësia e aksesit në gjykatë për individin.

Sa i përket çështjeve gjyqësore në stok në gjykatat shqiptare, mendoj që zgjidhja e kësaj problematike mund të gjendet në radhët e juristëve apo avokatëve. Ka shumë prej tyre të përgatitur dhe shumë profesionalë, që kanë eksperiencë në fushën e drejtësisë dhe që mund të kontribuojnë në pakësimin e çështjeve të pazgjidhura.