Hyqmet Zane: Presidenti Meta përulet para Kristoforidhit, “Nderi Kombit”

404
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shoqata Normalisti “Nderi Kombit” vlerëson Presidentin për nderimin e “Babait të Gjuhës Shqipe”

Me një ceremoni të mirëmenduar dhe me një përulje të lartë ndaj figurës së Kostandin Kristoforidhit, Presidenti i Republikës ka bërë një vlerësim të lartë me titullin “Nderi Kombit” për “Babain e Gjuhës Shqipe”. Edhe pse Covid-19 shtyu në kohë një nderim për personalitetin e madh të Rilindjes Kombëtare, nuk kishte se si të mos jepej një vlerësim i tillë për një nga personalitetet e larta të shekullit XIX dhe bashkuesin me vepra të gegërishtes dhe toskërishtes në një libër të vetëm,

Me fjalë superlative dhe me një ndiesi të lartë mirënjohje për veprën e Kristoforidhit, z. Ilir Meta e cilësoi Kristoforidhin njeriun e një stadi të veçantë jo thjesht për gjuhën shqipe, por edhe për sakrificat e një shqiptari të madh që krijimtarinë e tij në kohën e Rilindjes Kombëtare e vuri në shërbim të kombit me veprën e tij.

Për dekoratën e lartë, kryetari i Shoqatës “Normalisti”, Rudolf Deliana, vlerësoi aktin e Presidentit Meta,  që i dha vendin e merituar në piedestalin e nderit, njeriut që me pathos atdhetari dhe mirësie prej një mësuesi që, edhe pse në një moshë 90 vjeçare nuk rreshti së punuari për të ngritur lart figurën e një biri të Elbasanit dhe të lagjes Kala ku ndodhet edhe varri i Kristoforidhit.

Bashkë me anëtarët dhe trashëgimtarët e familjes së Kristoforidhit, Presidenti Ilir Meta gjeti rastin të cilësojë një rilindas të shquar personalitetin e Kristoforidhit që nuk ka asnjë lidhje me Rilindjen e sotme politike. Zv/Rektori Profesor Peçi Naqellari, trashëgimtari i familjes Kristoforidhi, Kostandin Bibaja, si dhe vetë fjala e kryenormalistit Rudolf Deliana, ishin mjaft për të plotësuar mozaikun e punëve  që ka bërë Kostandin Kristoforidhi në luftë me Patriarkanën greke që gjuha shqipe të ishte zonja e parë në gjuhën e nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe që më pas e përvetësuan atë me dashuri.

Siç cilësuan oratorët, ajo përpjekje e madhe e rilindasit Kristoforidhi, ishte edhe baza e njësimit të gjuhës shqipe edhe në Kongresin e drejtshkrimit më 1972, me gjithë penalitetet që iu bënë gegërishtes. Me prezencën e një përfaqësuesi dinjitoz të pasuesve të Normales dhe nga një familje me kontribute historike, Rudolf Deliana u shpreh se “Kristoforidhi u shua në një ditë të zymtë shkurti e u përcoll nën nderimet e merituara nga elbasanllijtë, që e deshën dhe nderuan aq shumë. E në këtë lamtumirë, mendoj se iu gdhend përjetësisht nderimi më i lartë, që ai meritoi, dhënë nga ish nxënësi i tij, Dhimitër Tushpina, kur u shpreh:  “ Qani ju o malet e Shqipërisë se sot vdiq Kostandin Kristoforidhi, Babai i Gjuhës Shqipe.“

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe që në qendër të Elbasanit të mos ishte monumenti i parë ai i Kristoforidhit si një simbol i kryeqytetit të Arsimit mbarëkombëtar, që ai burrë i madh i dha jetë gjuhës shqipe, që më pas i kënduan poetë e shkrimtarë, që fjalosën sot akademikë dhe studentë e nxënës shkollash dhe kudo në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Me një mendësi mësuesi të mirë dhe një njeriu me intelektualizëm, kryenormalisti i Elbasanit Rudolf Deliana gjeti rastin të shprehej “një shekull e ca pas largimit të Kristoforidhit prej kësaj bote: “Ju, i nderuari zoti President, po  vlerësoni mundin dhe sakrificën e filluar prej tij dhe të vazhduar prej një plejade njerëzish të shquar të Kombit tonë, të cilët punuan për formësimin e Gjuhën Shqipe, që ajo të vinte tek ne sot :

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim t’prillit,
porsi i ambli fllad i erës,
qi l’mon gjijt’ e trandafilit,
porsi shkuma e valës s’detit,
porsi gjama rrfesë shgjetare,
porsi ushtima e nji tërmeti,
nji ashtu asht gjuha jon shqiptare.
Andaj trojet shqipëtare, sa të jetë jeta, do të përshëndeten, me Tungjatjeta!”

Bashkëbisedimi i lirë me Presidentin Ilir Meta bëri që të shkëmbeheshin mendime se vlerësimi i lartë që kreu të shtetit i bën Kristoforidhit, përkundër kësaj, institucionet e tjera të shtetit si Instituti i Monumenteve të Kulutrës dhe Ministia e Kulturës dhe vetë qeveria kanë lënë në mëshirë të fatit shtëpinë ku ka lindur Kristoforidhi, kur duhej të ishte muzeu i Babait të Gjuhës Shqipe. Me thjeshtësinë karakteristike, Presidenti dëgjoi mendimet e Rektorit të Universitetit të Elbasanit Skënder Topi dhe të studiuesit Xhevat Lloshi që ka shkruar monografinë për Kristoforidhin, por edhe me trashëgimtarin tjetër Ardian Turku, ish ministër kulture dhe nënkryetar parlamenti.