Hekuran Doli: Sulmet kibernetike në Kosovë po bëhen edhe nga serverat e AKSHI-t

150
Sigal

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli në një bashkëbisedim me SYRI.net, si i përfshirë drejtpërdrejtë në zbrapsjen e sulmit të hackerave në Kosovë, ka dhënë detaje në lidhje me çfarë po ndodh.

Për herë të parë, Doli ka zbuluar se sulmet në Kosovë, po bëhen edhe nga infrastruktura e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me seli në Tiranë.

Eksperti i sigurisë kibernetike, ngre dyshime në lidhje me faktin nëse AKSHI ka kontrollin e serverëve të tij, apo shërbimi që ofrojnë institucionet në Shqipëri është duke u furnizuar nga servera të tjerë, pasi AKSHI nuk e ka në zotërim të plotë infrastrukturën e tij.

Si është situata me sulmin kibernetik ne Kosovë?

Hekuran Doli: Tashmë ka kaluar më shumë se një javë që kur ka filluar sulmi kibernetik ndaj institucioneve shtetërore dhe kompanive private të Kosovës, një prej te cilave është edhe kompania që unë e drejtoj. Për fat të mirë sulmin kemi arritur ta përballojmë me sukses, pavarësisht volumit shumë të madh të oij. Megjithatë, kompanitë si Telekomi i Kosovës, kanë pësuar dëmtime nga sulmi dhe janë në proces te ri-kthimit në funksion.

A po e sulmon Kosovën i njëjti grup i Hackerave që sulmoi Shqipërinë?

Hekuran Doli: Ne nuk i kemi gjurmët e sulmit të Shqipërisë që t’i krahasojmë me gjurmët që ne zotërojmë dhe të konstatojmë drejt nëse kemi te bëjmë me të njëjtin grup të hackerave. Mirëpo, ajo çfarë dimë deri në këtë moment është se infrastruktura e Shqipërisë ka kontribuar ne masë të madhe në sulmin ndaj Kosovës. Pra një numër i konsiderueshëm i IP-ve të adresave të Shqipërisë, duke përfshire këtu edhe serverë shumë të rëndësishëm brenda infrastrukturës kritike të shtetit shqiptar, vazhdojnë edhe në këtë moment të bëjnë sulme ndaj infrastrukturës se Kosovës.

Ky fakt na orienton në disa konstatime interesante dhe alarmante njëkohësisht.

Fillimisht tregon se hackerët vazhdojnë të mbajnë prezencën e tyre, me hyrje të plotë, në infrastrukturën e AKSHI-t, dhe ketë infrastrukturë e shfrytëzojnë si proxy për të sulmuar Kosovën. Pastaj, na japin përshtypjen e një ndërlidhje në mes të këtyre dy sulmeve. Mirëpo në anën tjetër, ndryshe nga Shqipëria, ne në Kosovë ende nuk kemi vërtetuar prejardhjen e sulmit dhe gjurmët na orientojnë në drejtim tjetër, gjë që e prish ndërlidhjen në mes të dy sulmeve.

Që në fillim e kemi adresuar shqetësimin tek Departamenti për Krime Kibernetike të Policisë së Kosovës, dhe jemi të bindur se edhe ata i kanë dërguar informacionet tek institucionet në Shqipëri, mirëpo deri me tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim sepse infrastruktura e AKSHI ende vazhdon të jetë pjesë aktive e sulmit ndaj Kosovës.

A ka përfunduar sulmi ndaj Kosovës?

Hekuran Doli: Sulmi ende vazhdon, edhe pse me intensitet shumë më të ulet se në fillim. Mirëpo nuk besojmë se sulmi ka përfunduar ose se sulmi është drejt përfundimit. Sulmet e koordinuara kibernetike zhvillohen në faza, dhe tani për tani mund të jemi ne përfundim te një faze dhe në fillim të një faze të re, e cila mund të jetë edhe më e fortë sesa kjo me të cilën jemi ballafaquar deri më tani.