Grabitqarët e bregdetit/ Shpallet në kërkim ish-kreu i degës së PS Sarandë, pas skandalit me tjetërsimin e pronave në përmes falsifikimit

“Merr arratinë Ardian Kola, ish drejtuesi i ASHK Sarandë dhe ish- drejtuesi i degës së PS po në këtë qytet pas zbardhjes së skandalit me tjetërsimin e pronave në bregdet”.

Ish-Drejtori i ASHK në Sarandë, Ardian Kola, është shpallur në kërkim nga policia. Raportohet se Kola ka firmosur certifikatat e pronësisë për trojet e përfituara me dokumente false, i përfshirë në skemën korruptive për tjetërsimin e një toke prej 10 mijë metra katror. Ardian Kola ka drejtuar ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020, ndërsa ka qenë edhe kryetar i Partisë Socialiste në periudhën maj 2018 – tetor 2020. Këtë të enjte janë shpallur në kërkim dy biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega, 40 dhe 51 vjeç. Behar Muçobega akuzohet për falsifikim dokumentash dhe Bedri Mucobega akuzohet për pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Më herët janë arrestuar nga policia Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter. PËRSE AKUZOHEN? Prokuroria e Sarandës dyshon se është kryer tjetërsimi e një sipërfaqe prej 10 mijë metra katror tokë, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë ndërtuar. Përfituesit e tokave përmes dokumenteve të falsifikuar janë Fredi Merkuri, Valter Llomi dhe Argonida Canaj, ndaj të cilëve janë ekzekutuar urdhër arrestet. Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrën e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar tashmë te persona të tretë, të cilët tashmë janë në prangat e policisë.

NOA