Gjyqtarja Irena Gjoka fshehu në Vetting dënimin në Greqi me burg e gjobë! Avokati:Vendimet e saj të pavlefshme

49
Sigal

“Ne njoftuam gjykatën të bëjmë kërkesën për pavlefshmëri të gjithë vendimmarrjes së Irena Gjokës. Ne disponojmë provën e pakundërshtueshme, vendimin e gjykatës greke për dënimin e saj. Ç’ka e bën gjykatën jo të krijuar me ligj, duke mos pasur kushtet e qënies së gjyqtarit. Ne kërkuam kohë për ta formalizuar, por ajo e rrëzon pa pasur kërkesë në dorë” -tha avokati Gjokutaj. 

Vendimi i Gjykatës së Janinës që dënoi me burg Irena Gjokën – një fakt që ajo e fshehu për 20 vite – sfidoi çdo filtër të drejtësisë shqiptare, përfshirë edhe vetting-un, duke e çuar madje në krye të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion. Vendimi mban datën 7 korrik 2005.

Sali Berisha publikoi vendimin e  Gjykatës së Janinës që dënon Irena Gjokën me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë. Ish-kryetarja e Gjykatës së Posaçme, sot gjyqtare në këtë gjykatë, nxori blof çdo instancë të filtrave, përfshirë edhe organet e Vettingut, duke mos e deklaruar këtë dënim, që minimalisht do ta mbante atë jashtë sistemit.

Vendimi u dha më 9 shkurt të vitit 2005, ku Gjykata Administrative e Janinës vendosi ta dëbojë nga shteti grek për falsifikim pasaporte, i ankimuar prej Irena Gjokës, ku Gjykata Penale më pas e dënoi me burg në mungesë teksa vendimi zbardh edhe mënyrën dhe kohën kur u konstatua shkelja nga e pandehura.

“E deklaron atë fajtore sepse: në datën 24.12.2002, në orën 15:30 në Kakavije të Janinës, në kontroll pasaporte u kap të mbajë dokumenta udhëtimi të falsifikuara dhe konkretisht në vendin dhe kohën e mësipërme posedonte pasaportën e Shqipërisë me nr. 1068376/98, e cila ishte ndryshuar kështu: Tjetërsim VISA në faqen 17 të pasaportës përsa i përket afatit të vlefshmërisë dhe rrjedhimisht pasaporta e mësipërme provohet se është e falsifikuar. U gjykua, u vendos dhe u shpall në sallën e gjykatës në Janinë më 7 Korrik 2005”.

Më tej, në vendim zbardhen rrethanat e kryerjes së veprës penale por edhe të qëndrimeve të palëve.

 “Prokurori propozoi që ndaj të pandehurës të deklaruar fajtore të vendosej dënim me burgim tre muaj dhe gjobë 1.500 Euro, si dhe t’i ngarkohen shpenzimet e gjyqit. Më pas gjykata, në këshillim të fshehtë me prezencën edhe të sekretarit vendosi dhe shpalli menjëherë nëpërmjet kryesueses vendimin e mëposhtëm: “Meqenëse gjykata, e cila mban parasysh rëndësinë e veprës penale që u krye nga e pandehura dhe personalitetin e saj dhe mori parasysh në vlerësimin e peshës së veprës pasojat që shkaktoi dhe rrezikun që erdhi prej saj, natyrën, llojin dhe objektin e krimit, si dhe gjithë rrethanat e kohës, vendit, mjeteve dhe mënyrës, që shoqërojnë përgatitjen dhe kryerjen e saj, si dhe shkallën e dashjes së të pandehurës, në vlerësim të personalitetit të të pandehurës nëpërmjet shkallës së treguar të predispozitës për të kryer veprën dhe identifikimit të shkaqeve që e shtynë të kryente veprën, arsyes që pati, qëllimit që synonte, karakterit të saj dhe shkallës së zhvillimit të tij, rrethanave personale dhe shoqërore dhe jetës së mëparshme të saj dhe sjelljes gjatë kryerjes së veprës, vlerëson se ndaj saj duhet të vendoset dënimi i përmendur në dispozitiv. Gjithashtu duhet t’i ngarkohen të pandehurës shpenzimet gjyqësore prej 73 Euro”.

Irena Gjoka nuk iu përgjigj thirrjes së drejtësisë greke për t’u paraqitur në gjykim, dhe seancat vijuan në mungesë si dhe shpallja e vendimit pa praninë e saj. Gjykata mes të tjerave me vendimin e saj i asgjësoi Irena Gjokës edhe pasaportën shqiptare. Dhe pikërisht dorëzimi i kësaj prove nga avokatët e liderit të opozitës Sali Berisha këtë të hënë në GJKKO në seancën paraprake, bëri që gjyqtarja Flojera Davidhi të shtynte seancën për më 19 maj. Kjo e fundit rrëzoi kërkesën e avokatëve për marrjen në shqyrtim të kërkesës gjë e cila çoi avokatët drejt kërkesës për përjashtimin e Davidhit nga çështja.

“Ne njoftuam gjykatën të bëjmë kërkesën për pavlefshmëri të gjithë vendimmarrjes së Irena Gjokës. Ne disponojmë provën e pakundërshtueshme, vendimin e gjykatës greke për dënimin e saj. Ç’ka e bën gjykatë jo të krijuar me ligj, duke mos pasur kushtet e qënies së gjyqtarit. Ne kërkuam kohë për ta formalizuar, por ajo e rrëzon pa pasur kërkesë në dorë” -tha avokati Gjokutaj. 

Se si doli një dokument i tillë dhe çfarë do të thotë kjo! Do të thotë kjo për vendimmarrjet e Irena Gjokës ndaj kreut të opozitës, e sqaron avokatja e këtij të fundit Klodiana Gjyzari.

“Ky dokument bazuar në praktikën e gjykatës së Strasburgut, në rastin e gjyqtarit Besnik Cani vë në dyshim ligjshmërinë e krijimit të gjykatës. Gjykata e Strasburgut ka thënë se procesi është i cënueshëm nëse gjykata nuk është e formuar me ligj. Sipas ligjit të gjyqtarëve, ata duhet të deklarojnë çdo dënim penal, dhe përbën shkak për ndërprerjen e mandatit. Është siguruar në përputhje me ligjin nga një palë që cënohej nga vendimet gjyqësor. Ky dokument është siguruar përmes kërkesave administrative të zotit Beleri”. 

Paralelisht me gjyqin për dosjen “Partizani”, pritej të zhvillohej edhe një seancë tjetër me rëndësi në GJKKO, ku një prej anëtarëve të trupës gjykuese ishte Irena Gjoka. Gjyqtarja e Posaçme braktisi seancën për dosjen “Metamorfoza”, ndërsa kolegia e saj Etleva Deda tha se shkak i mungesës ishin arsyet familjare. Por në fakt, vetëm 2 orë më parë, Gjoka ishte në detyrë, pasi vendosi të lërë në burg Florenc Çapjan, të ekstraduar së fundmi nga Dubai, dhe largimi i saj nga ambientet e gjykatës, vetëm pak minuta pasi Sali Berisha publikoi vendimin e dënimit të saj në Greqi.