Astrit Hafizi: Silvinjo pa guxim, fatkeqësi që drejton Kombëtaren

53
Sigal

Gjithmonë profesor Astrit Hafizi njihet për stilin e tij kritik, por këtë herë është treguar edhe pak më i vrazhdë në analizën e tij.. Që herët ai ka shprehur pakënaqësi për lojën që ekipi kombëtar ka zhvilluar gjatë drejtimit të trajnerit Silvinjo.

Pas dy ndeshjeve të grupit në kualifikueset e Botërorit 2026, kundër Serbisë dhe Letonisë, Kombëtarja shqiptare ka arritur të marrë vetëm 2 pikë. Ish-trajneri i përfaqësueses bën apel se me Silvinjon nuk vazhdohet, pasi, sipas tij, është një fatkeqësi që me këtë grup lojtarësh, të të drejtojë një trajner si braziliani. Ai jep edhe opinionin e tij në lidhje me dy ndeshjet e skuadrës.

Një rezultat zhgënjyes në Letoni, si e komenton ishtrajneri i Kombëtares Astrit Hafizi këtë paraqitje?

Shiko, edhe para disa ditësh, kam dëgjuar nga stafi drejtues i ekipit, trajnerë, lojtarë dhe një pjesë e opinionit, që ne luajtëm mjaft mirë me Serbinë, por nuk na deshi fati, nuk arritëm të shënojmë apo humbëm penalltinë. Unë nuk kam qenë dakord me këtë opinion.

Po thoni se edhe me Serbinë lamë për të dëshiruar?

Ishte një nga ndeshjet e dobëta që ne zhvillojmë zakonisht me kundërshtarë të tillë. Ata që thonë se ka qenë një nga ndeshjet më të mira të ekipit kombëtar, gabon rëndë, dhe rëndë shumë madje.

Ku e mbështesni një konkluzion të tillë?

Mbështetem tek ajo që ne bëmë për ta fituar ndeshjen, që krijuam pak raste, me goditjen e Mitajt apo penalltinë që morëm në pjesën e parë apo edhe një rast të Bajramit në pjesën të dytë që i pasoi portierit. Ku ishte pjesa tjetër? Askund! Nuk mund të fitohet kështu një ndeshje. Pastaj dëgjoj edhe Silvinjon që tha jam i zhgënjyer me rezultatin, por jo me paraqitjen.

Kjo është pastaj të mos nxjerrësh konkluzione të sakta. Njëkohësisht diçka e tillë u paraqit edhe në ndeshjen me Letoninë dhe për vetë faktin e rëndësisë së kundërshtarit, është e patolerueshme që një skuadër të renditur aq poshtë, me aq diferenca me ne, nuk arrijmë të bëjë absolutisht asgjë. E pranojmë që nuk kemi luajtur mirë pjesën e parë, pastaj u munduam në të dytën, duke dëgjuar justifikimet e Silvinjos. Kjo është e pafalshme.

Çfarë mund të bënim ndryshe me Letoninë, sipas jush?

Mund të dominosh lojën me mbajtjen e topit, por kur nuk krijon rrezikshmëri, për mendimin tim, nuk quhet dominim. Dominim quhet kur krijon raste, godet portën vazhdimisht, ke raste të humbura. Ne nuk i shohim këto dhe unë kam kohë për këtë mënyrë loje që përdor Silvinjo.

E kam thënë: ose ky nuk njeh lojtarët që ka, sepse është e pafalshme që me këtë grup shumë të mirë lojtarësh të mos marrim maksimumin. Nuk mund të fitohet në këtë mënyrë. Nuk krijuam asgjë, vetëm Manaj goditi njëherë portën, Broja jo, Hoxha jo. Vetëm dy goditjet e Asllanit nga distanca. Këto janë disa gjëra që një trajner duhet të marrë përgjegjësi. Jo gjithmonë justifikime, të cilat janë për të vënë duart në kokë. Të gjithë gabojnë.

Si t’u dukën zgjedhjet që ai bëri në formacionin titullar?

Nuk mori masa për të freskuar skuadrën. Ai mund ta ndërronte 40 % të skuadrës nga ana fizike. Nuk e kuptoj lënien e Hysajt jashtë. Në sulm që na duheshin forca, mund të kishim aktivizuar lojtarë të freskët. Pse, ato janë zëvendësimet? Pse duhet të luante sërish Manaj? Aq më tepër, për t’i bërë karshillëk edhe opinionit duke e vënë kapiten skuadre. Për çfarë, se humbi penalltinë? Ku dëgjohet një sulmues përpara, çfarë force ka ai për t’u folur shokëve?

Ndoshta për ta mbështetur, sepse edhe opinioni iu kthye kundër pas humbjes së penalltisë…

Ka disa justifikime dhe argumente që një lojtar si Manaj nuk mund të futet në lojë kur ka qenë i sëmurë dy ditë para ndeshjes. E dyta: vjen nga një kampionat ku skuadra e tij ka dalë nga kategoria. Pra, ana psikologjike është e prishur. Ka pasur disa probleme me klubin, sepse ne i kemi ndjekur ndeshjet e kampionatit turk. Duke u kapur me trajnerin, duke dalë me forcë nga loja. Ka treguar disa kapriço dhe egoizma të theksuara. Për çfarë i bën këto lëvizje? Nuk është vetëm te penalltia, mund ta humbë çdo lojtar. Por, duke pasur mundësinë për ta caktuar, më mirë se Asllani nuk mund ta godasë askush tjetër. Ne e shohim në kampionatin italian. Një lojtar që vjen nga nënkampionët e Italisë dhe nënkampion i Europës, me aq sa luan. Unë i kam parë edhe penalltitë kur i ka gjuajtur. Si mund të më thotë mua ai që Manaj i gjuan më mirë se Asllani? Ka qenë i qartë dhe i qetë. Pastaj shkon dhe aktivizon sërish Manajn në Letoni.

Po thoni që Silvinjo duhet të besonte te Daku, duke qenë se është një sulmues shtatlartë?

Duhet justifikuar. Sepse një pjesë të lojtarëve i kemi nga ana psikologjike jo mirë. Brojën e kemi pa ekip, Ismajli i lirë, Manaj i larguar. Asllani nuk dihet se ku do të shkojë. Pastaj shihen edhe sa kanë luajtur, pavarësisht kategorisë, por duhet të zgjidhen edhe disa lojtarë që kanë karakter dhe luajnë për fanellën. Mund të bëheshin disa ndryshime, si Daku që po luante rregullisht në Rusi dhe po shënonte apo Uzuni që është mirë. Muçi që luan në Beshiktash. Silvinjo nuk i përdori këta dhe kjo është e pafalshme për një profesionist.

Po rastin e Jasir Asanit, si e shihni? Si mund të “zhduket” një lojtar i cili ka qenë i preferuari i Silvinjos?

Ai përmendet edhe për atë që ka dhënë në eliminatoret për të shkuaër në Kampionatin Europian. Kemi pasur gola dhe një gjendje të mirë dhe e pranojmë që kanë qenë vendimtar për pjesëmarrjen tonë atje. Por vjen një moment që duhet bërë një bilanc total: a ka një rënie të forcës së tij, a ka ndonjë gjendje jo të mirë fizike. Unë mendoj se zëvendësime të tilla mund të bëhen. Nuk ishte për t’u lënë jashtë fare, por nuk është ndonjë problem i madh. Edhe për Bajramin, e ka aktivizuar në pozicion tjetër.

Çfarë i duhet sulmit?

Ne mund t’i kritikojmë të gjithë: Manajn, Brojën, por kush i furnizon me topa këta sulmues që nuk dalin përpara portës? Mesfushorët, lojtarët organizatorë. Si Shehu, dhe Asllani janë për një pozicion. Të dy luajnë nga mbrapa, përpara mbrojtjes.

Po thoni që mund të shtonte forcat përpara?

Pikërisht. Një mesfushor me tipare sulmuese. Asnjëri prej tyre nuk shkoi. Edhe Asllani që iu afrua portës, e bëri me goditje nga distanca.

Po performanca e mbrojtjes, si ju është dukur?

Gabimi i parë ishte lënia e Hysajt në stol. Mbrojtja, duke pasur parasysh një lëndim që kishte pësuar kohët e fundit, por edhe ana morale, sepse u rrëzua me ekipin nga kategoria. Janë shumë gjëra dhe ndoshta mund të luante një mbrojtës tjetër ose të luante me tre. Duke pasur parasysh që do të luanim me një skuadër që do mbrohej. Pavarësisht se ata krijuan pjesën e parë, morën penallti dhe shënuan gol. Ishte një gëzim për ta, e pamë edhe pas ndeshjes për pikën e arritur. Kurse ne, me këtë grup, është fatkeqësi që të kemi një trajner të tillë. Që nuk i japin asgjë skuadrës sonë, për të krijuar një stil loje. Duke u munduar të rrinë mbrapa dhe mos bërë asgjë tjetër. Pa guxim dhe këta trajnerë nuk na shërbejnë. Sepse këtë grup lojtarësh nuk mund ta gjejmë më.

Si i shihni shanset për të kapur vendin e dytë, duke pasur parasysh edhe dy ndeshjet e radhës, luhet stoli i Silvinjos?

Unë, edhe pas Kampionatit Europian, me paraqitjet që ne bëmë, me lavdet që u bënë, nuk kam qenë dakord fare që të vazhdojë. Duhej ndërprerë aty, sepse nuk i dha asgjë ekipit kombëtar, përveç disa ndeshjeve spontane. Në “Nations League” dolëm të fundit, në Europian luajtëm vetëm me emrin e tyre, sepse nga ajo që paraqitën ata në fushë, ne kishim mundësi të bënim më shumë, sidomos me Spanjën. Luajmë në Angli dhe nuk është ajo skuadër e frikshme. Mezi fitoi në Andorra dhe u mposht nga Senegali 3-1. Ai e frenon skuadrën, mos avanco, mos bëj këtë dhe atë. Mos hamë 4 apo 5 gola, siç tha pas ndeshjes me Anglinë. Nuk mendoj se është vetëm faji i tij, por edhe i atyre që e mbajnë si trajner. Kur një federatë ndërhyn për të vendosur për fatet e një ekipi kombëtar, ku pëfaqësohet flamuri ynë, duhet të marrë parasysh çdo gjë. Nuk ka vend për të pasur këto denigrimet e lojës tonë, ndoshta duke u tallur me flamurin, me këto ndeshje në të cilat njëherë e fryjmë ekipin kombëtar dhe pastaj bëjmë zhgënjime. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këta trajnerë!