Gjobëvënësit e televizioneve kombëtare, biznesmenët dhe pushimet ekzotike

461
Sigal

Në harkun kohor të 10 ditëve, një televizion kombëtar ka publikuar një duzinë lajmesh që lidhen me dy vëllezër biznesmenë indianë, vëllezërit Sandesara, të cilët kanë marrë shtetësinë shqiptare, por në vitin 2018 një gjykatë në Indi i ka shpallur fajtorë për një skemë të dyshuar si mashtrim bankar. Më datën 22 Mars në Rinas u ndalua dhe kunati i dy biznesmenëve indianë, një person i quajtur Hitesh Patel. Televizioni kombëtar po i trajtonte biznesmenët indianë sikur të ishin terroristë dhe jo investitorë që kishin probleme ligjore apo politike në Indi. Në vorbullën e raportimeve mediatike, ky televizion kombëtar nis të raportojë dhe për një investim turistik në Dhërmi që po realizonin dy vëllezërit indianë. Pak ditë para se të niste ofensivën ndaj biznesmenëve indianë, drejtuesi i këtij televizioni shijoi në shoqërinë e biznesmenit F. L. dhe të tjerëve pushime ekzotike në Amerikën Latine në një resort turistik. Një investigim i vitit 2016 i gazetares L. Ç. zbuloi se kunati i F. L. shtetasi A. B. ishte implikuar në një skemë të falsifikimit të pronësisë në rivierën e Palasës, mbi troje të dyshuar si të falsifikuar, atje ku S. M. ndërtoi resortin luksoz nw bregdet. Hetimet e prokurorisë dhe gjykata vërtetuan falsifikimet e titujve pronësorë, atje ku F. L. kishte ndërtuar resortin, mirëpo qeveria e kryeministrit Rama i kishte dhënë këtij resorti statusin e “investitorit strategjik”. Kjo do të thotë, se ndonëse ky resort është ndërtuar mbi një truall të dyshuar si titull i falsifikuar, dëmshpërblimin për pronarët e vërtetë do e realizojë qeveria dhe buxheti i shtetit dhe investimi i F. L. nuk do preket, sepse është shpallur “investim strategjik”. Kunati i biznesmenëve indianë u ndalua në Rinas, sepse shteti indian e ka shpallur në kërkim, ndërsa kunati i zotit F. L. mund të bredhë i qetë ku të dojë, sepse nuk ka rëndësi çfarë ka bërë, qeveria dhe kryeministri Rama e ka shpallur “investitor strategjik”, duke i dhënë imunitet absolut nga çdo hetim mbi grabitjen e pronave. Cili prej kunetërve bën më shumë dëm në Shqipëri? Kunati i F. L. apo kunati i biznesmenëve indianë?