Rustem Peçi, Kreu i komitetit të Veteranëve të LANÇ. Jam i pakënaqur nga Edi Rama. Ministrat socialistë na harruan

669
Sigal

Kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ: Ministrat  e deputetët socialistë mungojnë në përvjetorët e Epopesë së Luftës

Rustem Peçi:   Jam i pakënaqur nga Edi Rama

Veteranët e LANÇ janë tradicionalisht elektorati më besnik i Partisë Socialiste, e cila është vazhdimësia politike e Partisë së Punës së Shqipërisë. Mirëpo, me ardhjen në krye të PS-së të Edi Ramës, veteranët përditë e më shumë po zhgënjehen, pasi PS-ja i shfrytëzon veteranët vetëm për t’u marrë votën në zgjedhje, pasandaj, i harron. Jo vetëm, kaq, por qeveria e Rilindjes Socialiste, në 5 vitet e qeverisjes së saj, i ka braktisur veteranët, duke mos u dhënë vlerësimin moral dhe material që meritojnë. Ndërsa qeveria e Rilindjes Socialiste nuk ka treguar asnjëherë as kujdesin më të vogël për monumentet kushtuar LANÇ, madje, nuk ka investuar asnjë qindarkë lekë për mirëmbajtjen as të varrezave të Dëshmorëve të Kombit, ndërkohë që ka dhënë mbi 3 miliardë euro koncesione pasuritë e Shqipërisë. E megjithatë, veteranët sërish, edhe pse me zemër të thyer nga Edi Rama, nga ministrat  e deputetët socialistë, pohojnë se do të votojnë PS-së…

Rustem Peçi shpërthen: Rama ia fut kot…!

Kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ  Rustem Peçi, ka shprehur pakënaqësitë  ndaj kryeministrit Rama, sepse i ka braktisur veteranët, nuk merr pjesë në  festat përkujtimore të ngjarjeve të LANÇ.  Rustem Peçi, dje, në ceremoninë e organizuar në Patos, në përkujtim të 75 vjetorit të betejës së Kalasë së Margëlliçit, midis të tjerave tha: “Rama ndonjëherë ia fut kot”. Rustem Peçi: Jemi në prag të fushatës për zgjedhje. Shumë baltë po i hidhet nga të gjithë. Mos harroni, jemi të majtë. Unë kam qenë i ri komunist, kam qenë anëtar i Partisë së Punës, jam anëtar i PS dhe ju bëj thirrje të votojmë vetëm për PS, pavarësisht se ia fut ndonjëherë kot Edi Rama.

Peçi: Të pakënaqur nga Rama, ministrat e deputetët socialistë

Gjatë aktivitetit në Patos në përkujtim të 75 vjetorit të betejës së Kalasë së Margëlliçit, ai ka shprehur pakënaqësinë e tij për kryeministrin Rama, i cili nuk merr pjesë në festimin e 75 vjetorit të 7 brigadave sulmuese. Rustem Peçi: Si juve, jam i pakënaqur nga Edi Rama që nuk ka mundur të marrë pjesë në festimin e 75-vjetorit të 7 brigadave sulmuese. Qoftë edhe ministrat dhe deputetët, me përjashtim të atyre të Fierit dhe të shokut Gramoz, që bëjnë përjashtim në të gjithë ata që kemi zgjedhur. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është Epopeja më e lavdishme, është krenaria jonë dhe ne duhet të jemi krenarë për partizanët, për heroizmin e tyre.