Gëzim Zilja: Qeveria i dhuron koncesionarit veç Portit të Vlorës edhe 37 miliard lekë

922
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në pranverën e vitit 2014 kryeministri shqiptar pasi zbuloi Portin e Vlorës,  ( një sipërfaqe 10.5ha, me akuarium 5 ha) trumbetoi me të madhe rehabilitimin e tij si pasuri kombëtare. Në një intervistë të gjatë të firmës italiane dhe drejtorit shqiptar të portit asokohe, u deklarua se punimet e filluara do të mbaronin më shtator të vitit 2016. Parashikoheshin punime për terminalin e ri, thellimin e akuariumit dhe shtimi i dy kalatave të reja midis dy moleve, që do të bënin të mundur ankorimin e jahteve, anijeve dhe kroçerave të tonazheve të mëdha. Gjithë investimi sipas përfaqësuesit të Autoritetit Portual të Vlorës do të kapte shumën 15 milion Euro. Në muajin nëntor të vitit 2018 në një nga vizitat e shumta të tij në Vlorë, Rama deklaroi, që punimet për zgjerimin e kalatave janë kryer në masën 80%, megjithëse edhe sot atje janë vetëm dy kalata të kohës së Italisë të zgjeruara kohë pas kohe gjatë 80 viteve. Pasi bëri dhe ca llogje me përfaqësuesit e pushtetit lokal që zakonisht buzëqeshin e miratojnë, shtoi që punimet po kryhen në kuadër të investimit dhe kapin vlerën 15 mln euro. Drejtori i portit A. Malaj shtoi se: “Besoj vitin tjetër, ( 2019) për sezonin e ardhshëm, bashkë me projektin e ri për zgjerimin e kalateve do të bëjmë të mundur aksesimin e sa më shumë qytetarëve.” Për të mos mbetur pas ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, nënvizoi se po bëhen përpjekje për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë.

Gënjeu dhe ky pa ia kërkuar njeri. Askush nuk kërkoi llogari pse projekti nuk ishte mbaruar në shtator të vitit 2016 sipas kontratës, sa milionë euro i ishin paguar firmës, që zhvillonte punimet dhe sa miliona të tjera ishin shtuar e do të do të shtoheshin mbi projektin!?  Po japim më poshtë listën e parave ( të dhëna zyrtare) që janë shpenzuar për rehabilitimin e Portit të Vlorës. Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve, përfunduar në vitin 2018 me vlerë kontrate 2.6 miliard lekë; Rikonstruksioni i Kalatës Lindore në Portin Detar Vlorë, realizuar  në vitin 2019, me vlerë kontrate 115 milion lekë; Rikonstruksion i Portës Hyrëse Perëndimore të Portit realizuar në vitin 2016 me vlerë kontrate 103 milion lekë; Linja e furnizimit me ujë të portit realizuar në vitin 2015 me vlerë kontrate 59 milion lekë; Krijimi i rrjetit të transmetimit të të dhënave të sigurisë realizuar në vitin 2017 me vlerë 652 milion lekë; Rikonstruksioni i Degës së Doganës Vlorë me vlerë kontrate 300 milion lekë. Këto janë vetëm disa prej investimeve të rëndësishme me një vlerë totale mbi 3.7 miliard lekë që janë shpenzuar për pesë vjet në Portin e Vlorës, më qëllim që ai të shndërrohej në port modern turistik dhe ankorimin e  anije të tonazhit të lartë. Supozojmë se këto investime janë bërë me cilësi, pa mangësi në dokumentacion, janë zbatuar rregullat e ligjet e shtetit dhe nuk është zbatuar thënia e famshme e deputetit Shalsi: “ Do të vjedhim dhe ne por më pak se të parët.” E zemë se në Port janë ndërtuar edhe dy kalatat ( 15 milionë euro)  që mungojnë, madje edhe porti i jahteve, i hidroplanëve dhe acquaparku sipas premtimeve e kontratave. Pasi u harxhuan plot 37 miliard lekë të dokumentuara, del Vendimi nr.1 i  Këshillit Kombëtar të Territorit datë 14. 10. 2020: “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale”, i cili parashikon zhvendosjen brenda një afati 3-vjeçar të Portit Detar të Vlorës në Triport, ose në Portin e Peshkimit”. Dy muaj më vonë në 06.01.2021  Autoriteti Portual Vlorë lëshon njoftimin bombë:  “Qeveria do të japë me koncesion për 35 vite portin turistik të Vlorës. Sipas tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës porti i ri “Marina Vlorë” do të akomodojë (Vlora e ka një port jahtesh në Orikum) deri në 400 anije turistike. Ky koncesion është propozim i pakërkuar i miratuar tashmë nga Autoriteti Kontraktues.” Janë po ata oligarkë, miq të kryeministrit, që pasi përlanë Rrugët e Bardha në Palasë, ca copa të majme në Dhërmi, Himarë e gjetkë, me stomakun e tyre gjigand po gëlltitin  Karaburunin e tashmë Portin e Vlorës. Edhe tuneli i Llogorasë, edhe rruga Orikum-Dukat  janë planet e kryeministrit për të lehtësuar bizneset e këtyre  oligarkëve në bregdetin e Dhërmiut ku sigurisht Kryeministri do të ketë favoret e veta. Në një njoftim tjetër po aty thuhet: “… Porti turistik i Vlorës do jepet me koncesion për 35 vite, do kushtojë 22.7 mln €! Data e hapjes së ofertave do të jetë 26.02.2021….”  Mund të duket e pabesueshme po kjo është një nga shëmbujt më të shëmtuar sesi qeveria Rama pasi harxhon shuma maramendëse, ia bën objektin dhuratë koncesionarit me kërkesën e këtij të fundit.  Gjithçka është bërë e bëhet në bregdetin e Vlorës komuniteti nuk është është pyetur asnjëherë dhe tenderat e firmat ndërtuese gatiten e caktohen nga qeveria e Tiranës.

Përfaqësues të Partisë Demokratike denoncuan këtë aferë me shifra dhe fakte, “si rasti më flagrant i injorimit të interesit publik, lokal e kombëtar, që duhej të përfundonte në prokurori. Pas këtij denoncimi, vjen përgjigja nëpërmjet shkrimit të një deputeteje vlonjate. Pasi mburr me të madhe gjenialitetin e kryeministrit dhe punët e shumta që ai ka kryer në Vlorë ajo shprehet se:”… Vlora ka pësuar një dinamikë të qartë urbane gjatë këtyre viteve. Ky cikël ka prekur edhe portin … Ndërsa ka ndodhur ky proces porti nuk mund të ngelej një karikatinë jo funksionale…” Ky pohim është mjaft i vërtetë, por pasi u hodhën 3.7 miliardë lekë dhe Rilindja e bëri portin  “Lule të Vilajetit” përse i dhurohet me gjithçka (këtë sqarim duan vlonjatët) kjo pasuri kombëtare një privati, duke degdisur  Portin e Vlorës në Triport, pranë portit të peshkimit pa kurrfarë studimi, me një infrastrukturë mizerabël!? Deputetët e PS-së duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe t’i përgjigjet  seriozisht ankesave e vrejtjeve të opozitës me gjuhën e njeriut që e do qytetin, madje të kërkonin  një diskutim popullor lidhur me ankesat e opozitës dhe qytetarëve për këtë aset jetik të qytetit. Deputetja ia “përplas” në fytyrë opozitës, se Skënderbeu i Elisës,  “s’do kallauz,” pra është i pagabueshëm.  Më tej fyen e denigron opozitën më fjalitë e epitetet e mëposhtëme: ” Gjuha totalitare, gjuha e thyer a gjuha që thyen, për fat të keq, është kthyer sërish në jetën publike, cekët, shpërfillëse dhe e zymtë, si shenjë e të menduarit dhe e praktikës opozitare!?” “Opozitë e papërgjegjshme, imponuese kundër Edi Ramës,” “Opozitarë të mërzitshëm, të pabesueshëm, me zell përrallor,”  “Mëshirim i ankthit të padurueshëm, dëshmi e një mendimi të ngrirë, të pastrukturuar, pa histori” , “Opozitarët kanë shkarje logjike e duhet të bëjnë terapi” etj, etj. Një gjuhë të tillë fyese dhe plot urrejtje do ta kishte zili edhe Nevzat Haznedari me Aranit Çelën në kohën e tyre. Pyetja e përfaqësuesve të PD-së së Vlorës ishte konkrete dhe logjikshme: Pse u hodh një mal me para kur dihej që disa muaj më vonë porti do t’i jepej dhuratë privatit? Nuk mendoj se deputetja ka gisht në aferat e kryeministrit dhe grabitjet e shkatërrimet, që po i bëhen Vlorës. Po s’ka pse bën ushtarin e Rilindjes, duke shpallur të çmendur bashkëqytetarët e vet, me të cilët duhet të ndajë hallet dhe problemet. Vlora vlen shumë më tepër se një karrige deputeti sepse si thotë populli: prapanica qëndron, karrigia fluturon. Sa për Kryeministrin atë nuk e lidh asgjë me Vlorën. Ai thjesht betonizon, prish, ndreq, rrëmben për të pasuruar veten dhe grupin e madh të hajdutëve antishqiptarë. Përfundimisht taksapaguesit shqiptarë kanë paguar 3,7 miliard lekë në Portin e Vlorës, i cilësuar Aset Kombëtar nga vetë Kryeministri, për t’ia bërë dhuratë privatit ditën për diell. Këtë veprim e ka bërë Rilindja pa pyetur e pa i dhënë llogari kurrkujt të dashur qytetarë vlonjatë: të bardhë, të kuq, blu, mavi, larashë, të varur e të pavarur.