Shqipëria bën detyrën me Andorrën dhe pret të dielën Anglinë në “Air Albania”

211
Sigal

Shqipëria ka fituar me rezultatin 1-0 kundër Andorrës dhe e nis mbarë fushatën eliminatore të Botërorit 2022 që do të luhet në Katar. Mjaftoi goli i Lenjanit në minutën e 41-të për të vulosur fatet e takimit. Pritej të ishte një ndeshje e komplikuar për kuqezinjtë, por jo kaq sa rezultoi.

Shqipëria e meritoi plotësisht triumfin, por loja dhe nervozizmi i tepruar lanë shumë për të dëshiruar. Skuadra shpesh ishte konfuze në mënyrën se si e kërkonte golin dhe munguan vertikalizimet e duhura për sulmuesit.

Gjithsesi, në fund kanë rëndësi tri pikët dhe tani shkojmë me një fitore në “xhep” kundër Anglisë, me të cilën do të ndeshemi në të dielën në orën 18:00 në “Air Albania”. “Tre luanët” asfaltuan 5-0 San Marinon, ndërkohë që Polonia dhe Hungaria u ndalën në një barazim 3-3. Shqipëria pas këtyre ndeshjeve renditet e dyta në Grupin I, me 3 pikë, aq sa ka edhe Anglia.