Gentian Çala: Tërheqja në përrallën e Ramës

682
Sigal

Nga Gentian Çala

KM-ja ka qenë gjithmonë një lojtar në terrenin e manipulimit të publikut përmes fushatave, ku dekori, tema dhe elementët mediatikë tërheqin në vorbullën e tyre thuajse një pjesë të mirë të aktualitetit dhe të debatit publik. Anti-KÇK-ja u hodh fillimisht si tezë dhe aktualisht si aksion në terren. Përralla duhet të jetë kaq mirë e ndërtuar, sepse ajo duhet të spostojë vëmendjen nga hallet e tjera më të rëndësishme. Nëse arrin ta bëjë këtë, atëhere ka funksionuar si duhet. E duket se po i tërheq thuajse të gjithë.

Shumëkush e di se kriminaliteti dhe pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme, nuk mund të luftohen kësisoj, as me metodën që po përdoret dhe as nga ata që flirtojnë me të për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë. Masat ekstraligjore dhe zhurmëmëdha nuk mund të prodhojnë rezultatet e pritura nga publiku. KM-ja mendon se të veshësh një kostumi të ri i ndryshon njeriun brenda tij. Mendjet e arsyeshme nuk do ta pranonin aspak këtë lloj mashtrimi, madje do të qeshnin me këtë lloj propagande.

Popullit i duhet një përrallë në vend të realitetit dhe një hero, ndaj Rama mendon se Anti-KÇK-ja ia jep të dyja. Por, është vonë sepse përralla nuk besohet dhe nuk frymëzon, kurse heroi është anti-hero dhe i dalë boje. Pra mbetet vetëm propaganda që e besojnë vetëm ata që nuk duan ta pranojnë realitetin. Ndoshta KM-ja mendon se përrallën e tij mund ta pëlqejnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë?! Ata fillimisht duken mosbesues dhe janë mjaftuar me deklarimet se po e vëzhgojnë. Një gjë është e sigurtë se negociatat nuk mund të hapen sepse Rama po përpiqet të ndërtojë një përrallë “të bukur”!

Dekoret me policë të armatosur në dyert e vilave në dukje të boshatisura kanë mbushur gjithë edicionet e lajmeve, kurse portalet gëlojnë nga shkrimet rreth kësaj teme. Vorbulla e krijuar ka filluar të tërheqë pas saj aktualitetin, deri sa faktet të mësohen apo deri sa e vërteta të dalë sheshit. Ky vend ka dhjetëra tema më të rëndësishme, me të cilat duhet të merret seriozisht politika, shoqëria civile dhe opinioni publik. Nuk duhet humbur as kohë dhe as energji me përrallat e Ramës, me sajesat e tij, që kanë për qëllim vetëm të na çoroditin e të na bëjnë lëmsh.