Genc Pollo: Lepuri i vogël në ferrën e madhe

22
Sigal

Shumë është shkruar e folur tek ne për pretencën e janarit të ekipit të  prokurorëve amerikanë me në krye Matthew Graves kundër Charles McGonigal, ish agjentit të lartë të FBI-së (shef i zyrës në New York), i cili mori ryshfete nga persona të qeverisë Rama për të vepruar në shkelje të rregullave të FBI-së dhe të ligjit amerikan. Gjyqtarja federale në Washington D.C. znj. Colleen Kollar-Kotelly në 16 shkurt i pranoi këto akuza dhe e dënoi ish agjentin me 2 vjet e 4 muaj burg.

Nga kjo pretencë por dhe nga aktakuza  e Departamentit të Drejtësisë të ShBA e publikuar në janar 2023 publiku mësoi se McGonigal mori shuma të mëdha parash dhe informacione mbi opozitën nga të besuarit e KM Rama për të vënë në lëvizje FBI kundër Partisë Demokratike dhe lobistëve amerikanë të pajtuar prej saj; po ashtu mësoi se McGonigal & co shantazhuan e xhvatën oligarkë shqiptarë e rajonalë duke luajtur kartën “non grata”. Burimet në Amerikë konsiderojnë se McGonigal ka luajtur rol edhe në “dosjen Berisha” që çoi në përcaktimin “ndalim-hyrje në ShBA” të ish kryeministrit.

Por pranimi i pjesshëm i fajit nga i pandehuri çoi në një “plea deal”, praktikë e rëndomtë e drejtësisë penale amerikane,  sipas të cilës prokuroria në shkëmbim heq dorë nga pjesa tjetër e akuzave; i pandehuri siguron kështu një denim më të butë e një gjykim të shkurtuar. Si rregull prokurorët përfitojnë informacione të vlefshme për punën e tyre dhe evitojnë qindra orë pune e shpenzime jo të vogla tipike për një proces gjyqësor me juri. Në rastin tonë Administrata Biden, pjesë e të cilës është edhe Departamenti i Drejtësisë, i kurseu vetes një ekspozim turpërues me detajet e zullumeve të McGonigalit që rezulton të jenë hetuar me thellësi nga FBI.

Para një viti, duke patur parasysh sa më lart, kam shkruar se shpresë për zbardhjen e plotë të këtij skandali jep hetimi parlamentar i nisur në Dhomën e Përfaqësuesve; aty mazhoranca republikane, në opozitë me Administratën Biden, nuk ka veriga politike; vetëm lipset të hulumtojnë  aspektin shqiptar të skandalit McGonigal, i cili nuk di a lidhet direkt me interesin e tyre e me debatin e ditës në ShBA. Gjithashtu kam shënuar se meqë SPAK-u do të vihej nën trysni qeveritare e mbase edhe diplomatike në Tiranë një komision parlamentar hetimor në Kuvend do të ishte më i dobishëm. Koha tregoi se Rama nuk do të pyeste për Kushtetutë e ligje për të penguar këtë komision duke sjellë anomalinë në Kuvend që vazhdon edhe sot.

Sa më lart është përgjithësisht e njohur për lexuesin. Por pretenca e janarit ka një element të ri: një pohim që implikon në vepër penale një ministër socialist të qeverisë Rama. Në faqet 3-4 të saj shënohet:

“Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, ai (McGonigal) u takua me të dy ata: ish-ministrin e Energjisë dhe Kryeministrin e  Shqipërisë. Me kërkesën e personit A  (Neza), i pandehuri (McGonigal) i sugjeroi Kryeministrit të Shqipërisë që lidhur me dhënien e licencave për fushat e naftës në Shqipëri të shmangte kompanitë  ruse (me fasadë tjetër); në të njëjtën kohë personi A (Neza) dhe ministri i energjisë kishin interes financiar në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e licencave për fushat e naftës.”

Pra Departmenti i Drejtësisë së ShBA pohon se ministri D. Gj., i cili ishte përgjegjës për dhënien e licensave për fushat e naftës, në fakt ja jepte ato licensa vetvetes; dmth kompanive ku ishte ai personalisht ishte aksioner. Kjo aferë është denoncuar publikisht nga Marc Crawford, Kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri në kohën e vizitave në Tiranë të Charles McGonigal. Ai ka folur për penetrimin e maskuar të interesave ruse në sektorin e naftës në dëm të kompanive amerikane si dhe për veprime jo-transparente e të parregullta të qeverisë.

Në vitin 2017 nuk kishte sankione kundër Rusisë, operimi i firmave ruse në fushën e hidrokarbureve nuk ishte ligjërisht i ndaluar tek ne; por gjithashtu nuk ishte në linjë me euroatlanticizmin e proklamuar të qeverisë Rama. Por denoncimet e z. Crawford për veprime jo-transparente të qeverisë gjejnë një konfirmim transparent në pretencën e Departmentit të Drejtësisë. Një ministër që me veprimet zyrtare të tij i jep vetes përfitime ekonomike jo vetëm është në konflikt interesi por ka kryer veprën penale të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Penal.

Natyrisht ish-ministri ka të drejtën të konsiderojë këtë pohim të pretencës së prokurorit Graves si të pavërtetë dhe të pretendojë prezumimin e pafajsisë. Edhe para Gjykatës së Posaçme (GjKKO) nëse do të vijë ajo ditë.

Por ndërkohë publiku, dhe me pak guxim edhe gazetarët, kanë pyetje për të bërë. Akuzat e paraqitura kundër McGonigal-it kanë qenë një ndër pikat e rralla të konsensusit mes qeverisë dhe opozitës po të shohësh deklarimet mbështetëse të Ramës dhe Berishës. Por kryeministri i ka interpretuar ato duke hequr nga vetja çdo faj e përgjegjësi.

Në rastin e mësipërm të ministrit licensues-përfitues KM Rama duhet të shpjegojë: a e dinte ai se nga licensat e naftës që ai diskutonte në zyrën e tij në shtator 2017 me McGonigal, ministrin e tij dhe personin A (Neza) këta dy të fundit do të ishin përfitues? A bëri kallzim për ministrin siç i detyron Kodi Penal ofiqarët shtetërorë?

Në rrafshin politik Rama gjithashtu duhet të shpjegojë pse nuk e shkarkoi menjëherë ministrin licensues-përfitues por e bëri këtë vetëm pas dy vjetësh? Pse e rikandidoi si deputet e shef liste në zgjedhjet parlamentare të v2021? Pse vazhdoi t’i besonte detyra të rëndësishme partiake e parlamentare?

Ashtu si edhe lexuesi i ketyre radhëve nuk besoj do të ketë zbulesë në përgjigjet e KM Rama (nëse do të ketë të tilla). Por pyetjet duhen bërë gjithësesi. Ashtu si edhe opozita e palodhur lipset të bëjë letrat e kallzimit edhe për këtë rast e t’i dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme. Si shumë të tjera; le të behen vandak aty.