Zelensky zbardh takimin me Ramën: Diskutuam nevojat tona për mbrojtje dhe prodhimin e armëve

24
Sigal

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zbardhur takimin që ka pasur ditën e sotme në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.

Më anë të një reagimi në “X”, Zelensky bën me dije se në këtë takim “kokë më kokë” me kreun e qeverisë shqiptare, kanë diskutuar “nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve”.

Ndër të tjera ai shkruan se u nënshkrua Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, që sipas tij “do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.”

Sakaq, ai ka shprehur edhe falënderimet për Shqipërinë, duke thënë: Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.

Postimi i plotë:

Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial.

Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.

Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.