Sefer Pasha: Gjethe kujtimesh të Dritëro Agolli në Kryezi të Pukës

28
Qysh nga Ura e Bardhetit udhën e bëjmë në këmbë nëpër Luginën e lumit të Kryeziut. Mua më shoqëron biri i këtij fshati, intelektuali Bilbil Dervishi. Do të shkojmë dhe tek kullat e atit të tij, Nuhiut. Trashëgimtarët, përfshi dhe djalin e madh Shkëlzenin, i cili banon në Amerikë po investojnë që banesa e të parëve pas rikonstruksionit të kthehet në një vilë për turistët që kanë filluar të vijnë në Kryezi nga e gjithë bota. Kulla e qëmotshme është ndërtuar në krye të Arës së Epërme. Mbi të është Qafa e Benës, kurse përballë të mahnit Kunorë Dardha.
Sigal

Udha në këmbë anës lumit që gurgullon e shpërndan tinguj çiftelie. Shoqëruesi, miku im Bilbil Dervishi nuk e pranon mendimin tim se Avni Rustemi e ka vizituar Kryeziun. E kam dëgjuar qysh fëmi më thotë ai. Por nuk ka asnjë dokument që ta vërtetojë atë që thuhet gojarisht se Avni Rustemi ka qenë në Kryezi. Unë përpiqem që t’i mbush mendjen. Kur isha në Gjirokastër historiani Lefter Dilo e që ishte biograf i Avni Rustemit dhe kishte botuar disa libra për të më thoshte se deputeti i Lumës Avni Rustemi ka qenë dhe në Kryezi të Pukës. E kam besuar atë që më ka thënë Lefter Diloja në Gjirokastër. Trimi Avni Rustemi ishte njeri erudit. Qe e pamundur që të mos e vizitonte Kryeziun e cila ishte vendlindja e Shtjefën Gjeçovit. Gjithsesi anës së lumit fantazoj. Natyrisht që Avni Rustemi është futur në luginën e Kryeziut që nga Ura e Bardhetit. Po përse e vizitoi Kryeziun? Cilat ishin interesat e tij politike? Nuk e nxjer dot mendimin mbi majën e Kunorë Dardhës. Në jug të vendit këndohet labërisht: /Djal i popullit o Avni!/.

***

E kështu çap pa çapi në udhën e asfaltuar për bukuri me bashkudhëtarin rrahim mendime. Me Moikom Zeqon patëm ardhur në Pukë dhe në Kryezi disa herë. Unë me aparatin fotografik i kam bërë shumë foto sidomos në udhëtimin e fundit kur ai u godit nga leuçemia. Po përgatis të botoj dhe një album me fotot magjepsëse. I thoja Moikomit siç më kishin thënë se Migjeni kishte shkuar në Kryezi. Moikomi më kundërshtonte. Unë jam botues i Migjenit më thoshte ai. Jo! Migjeni nuk ka qenë kurrë në Kryezi. Ai ishte në siklet të madh për arsyet e njohura shëndetësore. Që Migjeni të vinte nga Puka në Kryezi në kushtet kur nuk kishte as rrugë dhe as mjete kjo ishte një sakrificë e madhe. Poeti i madh kombëtar ishte me tuberkuloz. Ai edhe kur shkonte në restorant në Pukë i merrte pjatat dhe lugët me vete që të mos infektonte të tjerët. Prandaj është e paimagjinueshme që Migjeni të merrte udhën nga Puka për në Kryeziun e skajshëm. Këto mendime ia them dhe mikut tim, i cili më shoqëron në këtë udhëtim për në fshatin e tij të lindjes. Ai qesh dhe më tregon për një pukjan që ka humor të hollë. Ai në një rast u kishte thënë miqve nga Kryeziu: – Pa shikoni se mos i gjeni ndonjë “RRANJË” dhe Migjenit në Kryezi! Humoristi e kishte fjalën se kryeziasit e reklamonin më shumë se ç’duhej fshatin  e tyre. I veshin dhe ca merita që nuk i ka. E bëjnë Paris.

Në bllokun e shënimeve ku hedh ndonjë motiv më kujtohen qortimet e mikut tim poetit dhe studiuesit erudit Moikom Zeqo. Ai më thoshte mos thuaj Shtjefën Gjeçovi se emri i vërtetë është Mëhill Kostandin Gjeçi – Kryeziu. Kështu më porosiste Moikomi ta shkruash kur përcjell materiale për këtë fenomen të Kryeziut të cilin e vranë serbët në Zym të Kosovës në vitin 1929. Ti Sefer nëpër libra thua të njëjtat gjëra. Zogjtë e Kryeziut kanë mbjellë qershitë e Gjakovës nëpërmjet bërthamave që i marrin me sqep. Por për Gjeçovin në Kryezi dhe sidomos në Janevë të Kosovës qarkullon mendimi se një libër i Gjeçovit dhe pikërisht ai me titull:-  “Princi i Dibrave” gjendet në një familje në Kryezi. Libri është i shkruar me dorë nga Mëhill Kostandin Gjeci – Kryeziu. Nëse do të gjendej ky libër do të ishte një ngjarje jo vetëm për Kryeziun, por për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës.

***

Rrugës për në Kryezi takojmë miq e udhëtar të panjohur. Flasim me ta. Përveç të tjerave u themi se e kemi makinën, por po lëvizim në këmbë për të hequr ca “dhjam” të tepërt. Unë në mënyrë të veçantë u tregoj malësorëve të Kryeziut se po mbledh disa fakte rreth vizitave që ka bërë dikur Dritëro Agolli në Kryezi kur ai ishte gazetar i “Zërit të Popullit”. Po shkruaj një libër për ato që më ka rrëfyer poeti dhe gazetari i njohur. Unë kam mbushur disa blloqe me shënime nga ato që më ka rrëfyer Dritëro Agolli kur ai kishte qenë me shërbim nga gazeta në fshatin Kryezi. Dritëroi më ka molloisur se ai tre ditë në Kryezi ka qenë mysafir tek Mark Dodë Alia. Dritëro Agollin e shoqëronte mjeku Alfred Serreqi. E kisha intervistuar Dritëro Agollin në shtëpinë e tij në Tiranë. Por kam biseduar me të edhe kur ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Me shumë emocion Dritëro Agolli më ka treguar se atij i ka bërë një pritje të paharrueshme Mark Dodë Alia. Natyrisht që miqësia me Mark Dodë Alinë i hapi telashe gazetarit të “Zërit të Popullit” Dritëro Agolli. Familja e Alisë kishte cene në biografi. Për këto e kritikuan Dritëro Agollin në kolegjumin e gazetës. Por publicisti i njohur nuk qe thyer. Ai kishte folur fjalët më të mira për familjen e nderuar në Kryezi siç qe familja e Mark Dodë Alisë. Para se të vija në Kryezi unë i shfletova blloqet. Dritëroi në sy të Sadijes më kishte thënë se  në odën e Mark Dodë Alisë atë dhe mjekun Alfred Serreqi i kishin pritur me të gjitha të mirat. Mish, raki, djathë, byrek, fli e ëmbëlsira. Mark Dodë Alia kishte ftuar miq dhe të afërmit e Aliajve sipas zakonit. Kishte buçitur oda nga kënga dhe vallja. Vetë Dritëro Agolli kishte hequr valle. Në odë qenë treguar historira pa fund. Dritëro Agollit në pije e sipër i kishin kërkuar që dhe ai të tregonte ndonjë ngjarje nga jeta e tij në jug të vendit. Dhe Agolli nuk kishte përtuar.

Ja një nga tregimet e Dritëroit të rrëfyer në odën e Mark Dodë Alisë. Unë u kishte thënë Dritëro Agolli para se të vija në  Kryezi isha në fshatin Gradec të Skraparit. Edhe aty i zoti i shtëpisë kishte shtruar një darkë dhe kishte ftuar miq e shokë. Oda qe mbushur plot e përplot. Por në fshatin Gradec kishte një zakon të egër. Në fund të shtëpisë përdhese ishin me dhjetëra hunj. Në çdo hu do të lidhej me litar dhije ai mik që do të dehej nga dollitë. Nuk pinte vetëm i zoti i shtëpisë. Ai mik që nuk do të dehej dhe do të shpëtonte pa u lidhur do të merrte një dash si dhuratë. Qëllimi i asaj darke ishte që të dehej Dritëro Agolli dhe ai si të gjithë të tjerët të lidhej me litar pas një huri. Filloi dollia me nga shtatë e me nga nëntë filxhanë plot me raki. Filluan të dehen të gjithë ata që i kishte ftuar i zoti i shtëpisë sipas zakonit të Gradecit. Dhe i zoti i shtëpisë të dehurit i lidhte një e nga një në hunjtë në fund të odës ku qe shtruar darka. Kaloi mesi i natës. Dolën yjet në majën e Tomorrit. Dritëro Agolli vazhdonte të pinte raki pa e prishur terezinë. Ishte esëll. Më në fund i zoti i shtëpisë e mbyll darkën. Dritëro Agollit që nuk u deh dhe që shpëtoj nga lidhja me litar në hu i thanë se në mëngjes do të merrte për në Tiranë një dash që ishte pas derës.

***

Jemi larguar shumë nga Ura e Bardhetit. Anës kthesave të lumit të Kryeziut kemi folur për prijësat si Bajram Curri, Hasn Prishtina, Azem Galica e të tjerë që janë strehuar në Kryezi. Unë mendjen e kam tek kapitulli që do t’i shtohet librit kushtuar Dritëro Agollit e që do ta botojë Mehmet Gëzhilli. Nuk do të shkoj tek trolli i Mark Dodë Alisë. E kam filmuar dhe fotografuar kohë më parë. Trashëgimtari Tonin Alia, i cili është një biznesmen i suksesshëm kullën e të parëve të tij e ka përshtatur për një vilë historike. Ai ka studiuar pemën gjenealogjike të familjes Alia. Dhe Shtjefën Gjeçovi është i kësaj peme. Tonin Alia pemën gjenealogjike e ka reklamuar në sofën Pukjane. Për këtë cështje kam një ese në dorë.

Në një nga kafenetë e Kryeziut unë hedh në letër ato që më kanë thënë anës lumit të moshuarit e Kryeziut për poetin Dritëro Agolli. Udhën nga erdhi gazetari, urat ku kaloi mbi lumin e Kryeziut, intervistat që mori për “Zërin e Popullit”, cigaret që ndezi tek Qershitë e Gjeçovit, këngët që mbajti shënim, baladat, legjendat dhe vargje nga Eposi i Kreshnikëve: /Kur ka nis mali me dushkue//A ndal qyqja n’muran’ t’ vorrit të ri//Ka gjet’ blinin të tan’ degash tha/.

Vet Dritëro Agolli ka treguar se atij malësorët e Kryeziut i kanë folur për engjëjt e Kunorë Dardhës. Edhe kaprollet janë engjëj. Po të shikosh një kaprolle në Kunorë Dardhë dhe t’i vërshëllesh ajo ndalon dhe të sheh në sy. Prandaj në Kryezi të nëmin po të vrasësh një kaprolle. E kanë të shenjtë. Në Kunorë Dardhë ka disa “vende të mira”. Po të shkelësh në to nuk të zë magjia e zezë, bëhen me fëmijë ato gra që nuk lindin, të shtohet bereqeti e nuk dëgjon lajme të liga.

Në shtëpinë e tij Dritëro Agolli në Tiranë më pati treguar një ngjarje të cilën e kishte qëmtuar në Kryezi, por që kishte ndodhur në një fshat tjetër emrin e të cilit nuk ka ia kishin treguar. Një bari delesh që qe ngritur herët për të nxjerrë delet në kullotë kishte dëgjuar në një kasolle të braktisur tek po qante një foshnje. Bariu qe futur në kasolle. E kishte mbështjellë foshnjen me fanellën e leshit dhe qe nisur për në maternitetin më të afërt. Foshnjes gjatë rrugës i jepte pika qumështi. Për fat fëmija shpëton në maternitet. Por gazetarit Dritëro Agollit i kishte lënë mbresë të veçantë se në mëngjes në kafenenë përballë materintetit nuk zihej në gojë “kopili” e të tjera. Në kafene diskutohej heroizmi i bariut që me foshnjen ilegale kapërceu malin dhe e shpëtoi atë. Kjo kishte ndodhur në socializëm.

Shënimet e Dritëro Agoolit janë të shumta për Kryeziun. Si nuk po i mbledh dot të gjitha tregimet e Kryeziut kishte thënë në sofrën e Mark Dodë Alisë kishte thënë poeti. Po më zë dimri. Dhe të zotët e shtëpisë i kishin rrëfyer për një gjahtar nga Kryeziu. Ai gjuante nëpër guvat e lumit. Ishte pranverë. Gjahtari e kishte filluar gjuetinë guvë më guvë qysh aty ku fillonin burimet e Kunorë Dardhës. Çdo ditë që gjuante lumi fshihej nëpër zall. Dhe gjahtari mezi i zinte burimet që shfaqeshin befasisht. Por një ditë duke gjuajtur ndjeu  se që nga lart po vinte me uturimë uji i turbullt. Gjahtari çuditet. Në majën e Kunorë Dardhës kishte rënë bora e parë. Dhe burimet e thara qenë mbushur e kështu lumi i Kryeziut kishte shkuar në shtratin e tij. Bobo kishte bërtitur gjahtari. Më paska zënë dimri.

Në tregimet e Dritëro Agollit zinte vend dhe poema “Dhjetë sy”. I kushtohej komandantit Bardhok Jakut nga Puka. Agolli kishte shfletuar faqen e ditarit të kufitarit:-  “Dje dëbora e bjeshkës gëlltiti pesë kufitarë, që ishin nisur të zinin Qafën e Ali Çelës, ku mund të kalonte armiku”. Ishin bandat e Udb -së. Ja si e mbyll poemën poeti për komandantin Bardhok Jakun dhe katër kufitarët që dhanë jetën/Këtu dëbora e maleve të lartë//E flakur nga tufani i tërbuar//I mbyllli dhjetë sy//Të zesë//Të kaltër//I mbylli dhjetë sy të dashuruar/.

***

Për t’i dhënë dorën e fundit reportazhit më duhet të takoj dhe Tonin Alinë. Mora vesh se kishte qenë në veprimtarinë kushtuar “Sofrës Pukjane”. Më duhet dhe ndonjë motiv tjetër për Dritëro Agollin. Por kam dhe një merak. Doja ta pyesja për mikun e tij Hashim Thaçin. Thuhet se është nga Thaçët e Pukës. Në Zym të Kosovës Tonin Alia na mundësoi të bënim disa foto me Komandantin e UÇK -së Hashim Thaçin. Kur të kthehem në Tiranë do t’i kopsis ato që nuk i gjeta vola dot  në Kryezi.

Gjithashtu me Bilbil Dervishin më duhet të shkoj dhe tek kullat e të parëve të tij. Mbase në librin që kam nëpër duar për Dritëro Agollin do të shtoj ndonjë xhevahir. Ati i mikut tim u mësonte fëmijëve të gjitha veglat muzikore dhe këngët e Kryeziut. Hallet në familje mundeshin me melodi dhe me këngë e humor. Ne në Mallakstër themi “Me këngë e të qeshur, të zezat përqeshur”.

Nëpër luginën e Kryeziut shoh që vijnë makina me emigrant. U emocionova. Dhe mu kujtua një histori me ushtarët e Odiseut. Ushtarëve të Odiseut u dhanë një ilaç magjik që quhej lotus. Po ta pije këtë ilaç të rrallë e harroje atdhenë. Por ushtarët e Odiseut nuk e pinë ilaçin. Dhe nuk e harruan atdheun. U kthyen në Itakë. Kështu do të ndodh dhe me shqiponjat e Kryeziut. Kurrë nuk do ta harrojnë Kryeziun dhe Pukën.