Gazeta italiane artikull për Ramën: Artisti i famshëm që punon si kryeministër

42
Sigal

Një nga gazetat  njohura në Itali “Libero” i ka kushtuar një artikull figurës së kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur jo aq në karrierën e tij politike sesa në atë artistike. “Artisti i famshëm që punon si kryeministër” është titulli i artikullit, ku shkruhet se Rama është një artist mjaft i kuotuar në nivel ndërkombëtar. Artikulli mori jetë nga vizita e fundit e kryeministres Giorgia Meloni në Shqipëri, e cila nxori në pah edhe detin me plazhet e bukura të Shqipërisë, por edhe mikpritjen e tyre, riktheu vëmendjen tek figura e Edi Ramës, Kryeministër i vendit qysh prej vitit 2013. Gazeta italiane shkruan: “Jo të gjithë e dinë, nga ana tjetër, që Edi Rama është një artist mjaft i kuotuar në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht angazhimeve të tij institucionale, ai gjen mënyrën dhe kohën për të mos braktisur projektet e pikturës, vizatimit dhe projektet e instalimeve të ekspozitave ku ai ftohet shpesh. Kurikulumi i tij multidimensional është vërtet i rëndësishëm: ai mori pjesë në tre Bienalet e Venecias, në 1999, 2003 dhe, veçanërisht e rëndësishme, në atë të vitit 2017 me një hapësirë personale në ekspozitën e kuruar nga regjisorja Christine Macel. Disa galeri prestigjioze e përfaqësojnë atë: Carlierfgebauer në Berlin, Marian Goodman në Nju Jork dhe Alfonso Artiaco në Napoli me të cilët ka krijuar marrëdhëniet më intensive njerëzore dhe profesionale. Si djalë Edi Rama ka qenë basketbollist profesionist dhe ka luajtur për kombëtaren e vendit të tij. Para rënies së regjimit komunist punoi si profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, më pas në vitin 1994 emigroi në Francë së bashku me mikun e tij Anri Sala, i cili do të bëhej një nga artistët më të rëndësishëm të skenës europiane, i cili është edhe sot.” shkruhet në artikullin e “Libero”. Më tej në shkrim thuhet: “Të jesh kryetar i Bashkisë së Tiranës është forma më e lartë e artit konceptual. Është art i pastër puro, deklaroi Rama disa vite më parë. Kjo sigurisht mund të jetë forca shtytëse që e shtyu atë të vinte dorën për planifikimin urban të qytetit në lagje ku shtëpitë private ishin të degraduara. Rama, si një piktor i vërtetë, i kishte rilyer fasadat gri me ngjyra të ndezura dhe modele të gjalla. Rezultati ishte befasues: banorët e pritën me entuziazëm transformimin dhe së shpejti “qyteti me ngjyra” u bë një atraksion i vërtetë turistik. Harmonizimi i ngjyrave të gjetura nga Rama dhe rivitalizimi i Tiranës fillon nga ajo periudhë.