Vrasja e 23-vjeçares, Xhixho: Këmbanë alarmi, ta mbrojmë jetën e gruas me forcën e ligjit

130
Sigal

Deputetja e LSI, Erisa Xhixho, ka reaguar pas vrasjes së 23-vjeçares Sabrina Bengaj nga ish-bashkëshorti Elton Meta në shtëpinë e prindërve të saj. Xhixho shprehet se nëna e një vajze të vogël është viktima e radhës nga mosveprimi i institucioneve të vendit.

Ajo thekson se vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2021, ka pasur 1549 kërkesa për urdher-mbrojtje, 2436 raste të dhunës në familje, 383 raste më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Reagimi

Sabrina Bengaj ishte 23 vjeç. Ish – bashkëshorti vrasës ia mori jetën, edhe pse ajo gjendej nën urdhër mbrojtjeje. Ai e vrau edhe pse shteti e kishte për detyrë ta mbronte. Nëna e një vajze të vogel 3 vjeçe është viktima e rradhës e vrarë nga një vrasës, por e vrarë edhe nga mosveprimi i institucioneve të shtetit.

Sot fjalët nuk kanë më vlerë. Sepse ato as mund ta mbrojnë dhe as mund ta rikthejnë në jetë Sabrinën, ashtu sikundër nuk mund të ringjallin më as Zhaneta Metanin, as Kristina Bardhin, as Liljana Buzon, as Dorina Allën, as Fëllënza Shirjen, as Irvana Hykën, të gjitha të vrara në nëntë muaj të këtij viti!

Janë jetë të vrara si dëshmi e një realiteti ku dhuna dominon e krimi inkurajohet nga një psikologji dhune e nga gjuha e dhunës që e dominon realitetin tonë, përkundër fasadës dhe shifrave të propagandës!

Standardi i jetës dhe siguria e jetës së gruas, mbrojtja e saj nga dhuna dhe diskriminimi, nuk është çështje statistikash! Është padyshim çështje kulture dhe mentaliteti e gjithë shoqërisë tonë, është çështje e familjes, e shkollës, por edhe e autoritetit në zbatimin e ligjit.

Vetem në 6-mujorin e parë të 2021 sipas burimeve të Policisë së Shtetit ka pasur 1549 kërkesa për urdher-mbrojtje, 2436 raste të dhunës në familje, 383 raste më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Sabrina Bengajn e vrau ish – bashkëshorit vrasës. Por bashkë me të e vrau edhe pandëshkueshmëria, e vrau mos zbatimi i ligjit, e vrau mosveprimi i institucioneve që e kishin për detyrë ta mbronin, e vrau indiferenca jonë!

Ndaj sot ngjarja kërkon një hetim të menjëhershëm të të gjithë hallkave të sistemit të drejtësisë ,për të dënuar me forcën e ligjit të gjithë autoret që me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan të ndodhi kjo tragjedi.

Jeta e Sabrina Bengaj nuk është jeta e parë që vritet nga mosveprimi. Po nëse ne nuk zgjohemi e të ngrihemi në këmbë, nesër do të ketë një tjetër Sabrinë të vrarë e të tjerë fëmijë që mund të mbeten jetimë!

Jeta e Sabrina Bengajt nuk është çështje statistike, është këmbana e madhe e alarmit që bie për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë shqiptare: ta mbrojmë jetën e gruas me forcën e ligjit dhe me reagimin e të gjithë shoqërisë dhe jo me statistika që përballë këtij realiteti kriminal e humbasin vlerën!