Futbolli pa top i tifozave të “Rilindjes”

401
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Moisi Dalipi                                 

Atë ditë së bashku me një mikun tim të përkushtuar për futbollin  ndodheshim në Kamzë . Të ulur diku së bashku , bisedës tonë i erdhi rradha të flasim  për sportin. Ai tregonte  me shumë pasion se si ka lindur futbolli në këtë zonë në  vitet përpara çlirimit , ku një banor i kësaj zone i quajtur Fuat Toptani krijoi ekipin me emrin “Dajti” që në vitet e mëvonshme  është quajtur  Klubi i Futbollit “Kamza”. Me të drejtë disa vite  më parë këshilli bashkiak e nderoi kontributin e tij duke i dhënë emrin  e tij stadiumit . Por jo, nuk  zgjati shumë, sepse me ardhjen në pushtet të rilindasve  emri i stadiumit u  zëvendësua  me emrin që ka dhe sot, stadiumi i futbollit ”Kamza”. Por sikur të mos mjaftonin këto fakte që po prodhonte biseda jonë, krejt papritur të gjithë hapësirën  për rreth e rrethuan shumë automjete me bori të ndezura dhe të ngakuara me pankarta  flamuj dhe banderola që drejtimin e kishin  drejt stadiumit të qytetit të Kamzës. Miku im që e kuptoi shqetësimin tim në çast më sqaroi se :”Nuk është ndeshje futbolli , sepse ne kemi 4 vjet që nuk kemi skuadër futbolli. Gjithçka ka mbaruar këtu për sa i përket sportit. Janë tifozët e “Rilindjes” që do kenë programuar të zhvillojnë në stadium nga ato lloj ndeshjesh  ku futbolli luhet pa top” Ka mjaftuar kaq për të kuptuar gjithëçka që po ndodhte. Stadiumi ishte pushtuar i tëri nga këta tifoza të Partisë Socialiste për  mitingun politik të rradhës për zgjedhjet e 25 Prillit.

nga stadiumi i Kamzës

Në fakt në atë stadium dëgjohej deri larg ajo atmosferë politike e ndezur ku fjalët “Do të  fitojmë ne të Rilindjes” ishte kryefjala e çdo oratori, që merrte mikrofonin e fliste. Një fakt i tillë e irritoi diçka më shumë mikun tim  që  tha:  “ Këta kanë më shumë se një vit që nuk lejojnë në stadium asnjë tifoz , kurse sot e kanë mbushur fushën e lojës dhe shkallët me militantë të zjarrrtë. Nuk e kuptoj si nuk foli askush asnjë fjalë për  sportin që i bashkon njerëzit , por të gjithë për politikën. Ekipi ynë i futbollit është bërë “kurban” vetëm  nga kjo politikë djallëzore. Sot me këtë miting në stadium u binda plotësisht se askush nuk do të dijë për fatet e sportit , por më e rëndësishme është të fitojë P.S. Kjo është  një ironi e një fakti që flet vetë për gjithëçka “. Por, si të mos mjaftonte kjo ngjarje e politizuar në stadiumin e Kamzës , pak ditë më vonë ishte rradha  e stadiumit “Flamurtari”. Militantët e tifozerisë të “Rilindjes” e mbajtën të pushtuar fushën e blerët të këtij stadiumi për  më shumë se 2 orë .Parrullat sintetizoheshin vetëm tek  fjalët “ Votoni numërin 12 “! Disa figura sportive të Vlorës, që e kanë parë sportin si privilegj për interesat e tyre nuk ju bënte fare përshtypje që skuadra e tyre “Flamurtari” ka   disa vite që është peng i politikës së majtë me premtimet pa zgjidhje  që bënë sa herë që bie fjala për skudrën e futbollit të “Flamurtarit”. Dihet tashmë se skuadra vlonjate është në një korsi të gabuar tërësisht dhe mbytur në borxhe, të cilat shumë shpejt do sjellim dhe falimentimin. Ata “tifozë” militantë që shkelën atë ditë për mitingun rilindas as nuk e dinë fare se ai Flamurtar në vitet 1980-1991  me futbollin  dhe rezultatet e tij  trondiste fort dhe skuadrat më të njohura të Evropës, si “Barcelona” “Partizani”- Beogradit  dhe “Goteberg”. Dhe po të  bisedoje atë ditë me Mexhit Haxhiun ,Vasil Ruçin, Rrapo Tahon , Kreshnik Çipin , Sokol Kushtën  e të tjerë , do ta thoshnin qartë se ata “Ndiheshin keq që të shkelnin në atë stadium për të marrë pjesë në këto mitingje elektorale , kur skuadra e tyre e zemrës    është  e mbërthyer nga një krizë pa asnjë rrugëdalje.

 

nga stadiumi i Flamurtarit

E ka thënë bukur një ditë një tifoz vlionjat kur është shprehur se:” Këta që shkelën sot barin e stadiumit jo vetëm që nuk   kanë asnjë lidhje me sportin , por nuk dinë se  kush është  trajneri që drejton sot skuadrën tonë”. Mund  të vazhdosh të sjellësh edhe fakte të tjera, ku veprimet e pushtimit të stadiumeve  nga militantët e Rilindjes është kthyer në një ironi të skajshme që ka rritur shumë zemërimin qytetar. Faktet duan të thonë se në këto mitingje dikush dhe mund të belbëzojë  se  “kemi bërë atë dhe këtë për sportin” dhe “do të bëjmë dhe këto  “, por harron se me gjëndjen që po kalon futbolli i Vlorës ai është drejt zhdukjes siç ka ndodhur me sportet e tjera në këtë qytet si: noti , atletika , gjimnastika , çiklizmi , qitja  e të tjerë.  Për se askush nga  këta oratorë militantë nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë kaos sportive, që ka pushtuar Vlorën? Ku janë premtimet që janë bërë sa herë kur vjen rradha për zgjedhjet? Por si kopje e Vlorës ishte dhe mintigu elektorak i P.S. në stadiumin e Gjirokastrës. Parrulla, etusiazëm  i servilosur dhe premtime poltike të skajshme. Dhe në  Gjirokastër askush nuk tha as një fjalë për ekipin e futbollit ‘Luftëtari”, që  në fillim të këtij sezoni u shkri plotësisht dhe tani me disa djem të rinj garon në Kategorin e Tretë. Një pamje e tillë që të afronte  atë ditë  stadium “Subi Bakiri “ i Gjirokastës ishte sa  trishtuese, po aq  e frikshme për fatet e futbollit të kësaj skuadre në të ardhmen.

nga stadiumi i Flamurtarit

 

Në fakt  në historinë 91 vjeçare të këtij klubi të krijuar në mars të vitit  1929,   ndoshta nuk ka ndodhur kështu  asnjëherë tjetër, por fakti dhe realiteti i tillë duhet pranuar ashtu siç po ndodh. E thënë më qartë gjithëçka tek klubi “Luftëtari” është në një kaos të vërtetë. Kështu skuadra  me histori që në vitet 1976-1977  mori pjesë në Kupën Ballkanike, skuadra bluzi që dy sezone më parë mori pjesë në Kupat e Evropës, tani është  duke  falimentuar  plotësisht. Por jo vetëm kaq, por ky qytet që ka prodhuar futbollistë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar si Braho, Kalluçi, Seiti, Caro, Millo, Xhumba, Bellaj e të tjerë po mbetet  pa skuadër, pa futboll. Kështu  në një farë mënyre “Luftëtari” i ka  dorëzuar  “armët” e fushës të futbollit , duke  shkatërruar një traditë të krijuar me aq mundin dhe djersë nga brezat e futbollit në vite dhe dekada. Janë ndier vërtet keq veteranët e futbollit të këtij qyteti kur shikonin që në stadiumin e tyre në vend të tifozëve të futbollit ishin  tifozët e “Rilindjes”. Por stadiume të  pushtuara nga tifozët dhe oratorët e “Rilindjes” janë  konstatuar dhe në Burrel , në Dibër dhe Tropojë, ku në  vend të sportistëve janë parë oratorët , militantët dhe “tifozët: që me sa duket në këtë fushat nuk po shpikin futbollin “ bashkëkohor” pa top.   Ndoshta në ditët në vijim  do jetë rradha e stadiumeve të tjera për të përjetuar emocionet e këtij lloji “futbolli”. Gjithsesi , ky veprim aspak i moralshëm në këto hapësira publike, por që administrohet nga krybashkiakët monopartiak  të P.S  është  një absurditet më vete edhe për atë, që jemi në zbatimin e  kushteve  sanitare nga Covid -19. Si ka mundësi që lejohen të mbushen stadiumet me këta lloj “tifozësh”, kur  për zhvillimin e ndeshjeve të kampionateve të futbollit nuk lejohen të jenë të pranishëm asnjë tifoz?

nga stadiumi i Luftëtarit

Përse politizohet deri në këtë farë mënyre sporti , kur dihet mirë misioni që  ai përcjell? Përse kandidatët për deputet të  Rilindjes nuk thonë asnjë fjalë se çfarë do bëjnë për sportin në të ardhnmen? Përse drejtuesit e tyre nuk thonë asnjë fjalë se çfarë bëhet për premtimet e bëra dhe të pambajtura  për “Ligjin për sportin dhe sponsorizimet”? Kush   do të  përgjigjet për heqjen e pasaportave diplomatike pa mbaruar afati për  futbollistët e ekipit kombëtar, që morën pjesë në finalet e Franc -2016? Ku janë financimet  e premtuara nga granti  financiar për ngritjen e 100 fushave të futbollit? Ka dhe shumë pyetje të tjera  që kanë të bëjnë  me infrastrukturën sportive dhe  mbështetjen e munguar të sporteve elitare: Përse premtohet për sportin dhe pastaj harrohen shpejt ato që thuhen ? Ja këto  duhet të thonë  ata  që hiqen se  ju digjet shpirti për sportin, por në fakt e kanë braktisur atë. Një gjë është  e qartë dhe shumë e kuptueshme se  futbolli pa top, që kanë filluar të luajnë tifozët e ‘Rilindjes’ në stadiumet e qyteteve shqiptare mund të sjellë dhe ndonjë “autogol’ në portën e tyre,  për ta kuptuar mirë se çfarë është  në të vërtet sporti.