Prof. Dr. Alqi Naqellari: Kriza, shpopullimi dhe themelet e shtetit

482
Sigal

Zgjidhja e krizës së thellë politike dhe institucionale është domosdoshmëri për të frenuar ritmet dramatike të shpopullimit të vendit.

Populli, elementi themelor i shtetit

Alqi NAQELLARI

Presidenti ka theksuar: “Ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë, sfida më e madhe që kërkon reflektim urgjent!”. “Ka projekt për shpopullimin e Shqipërisë, ikin 12 persona për çdo 1000 banorë”. “Zgjidhja e krizës së thellë politike dhe institucionale është domosdoshmëri për të frenuar ritmet dramatike të shpopullimit të vendit. Ndërsa të gjithë forcat politike duhet të angazhohen me politika konkrete për t’i motivuar shqiptarët e sidomos të rinjtë, për të patur mundësi më të mira të punësimit dhe karrierës këtu.

 Një vend pa rini, si një shtëpi pa fëmijë! Shqipëria meriton një të ardhme të sigurt! Të bashkohemi kundër shpopullimit! Koha po rrjedh me shpejtësi dhe nuk kthehet mbrapa.”

Dy javë më parë Presidenti shpërndau me të njëjtin shqetësim edhe parashikimin e përditësuar të OKB-së që thoshte se pas 80 vitesh popullsia e Shqipërisë rrezikon të bjerë në rreth 512 mijë banorë.

Shqetësimi i Presidentit duhet të bëhet shqetësim i çdo shqiptari: Të frenohet zbrazja e Shqipërisë.

Populli dhe territori janë dy elementët kryesorë të ekzistencës së shtetit. Sot në Shqipëri në shekullin e XXI, janë në objektiv goditje pikërisht këto dy elemente themelore, diskutohet kufiri detar me Greqinë dhe largimi shqiptarëve nga vendi. Sot në Shqipëri diskutohet shteti. Shteti nuk është qeveria, nuk është parlamenti, ato janë pjesë e tij.

Po çfarë është shteti si koncept? Shteti është organizatë e sundimit politik. Bashkësi që vepron brenda një hapësire të caktuar e që vepron si organizatë më e lartë e rendit juridik dhe njëkohësisht nuk i nënshtrohet asnjë organizate tjetër. Në kuptimin politiko-gjeografik shteti përbëhet nga tre elemente: nga  territori, nga populli,  dhe nga pushteti publik. Pa popull dhe pa territor nuk ka shtet. Dhe pa shtet nuk ka ekonomi.

Cilët janë elementët kryesore të zhvillimit të një ekonomie? Janë pikërisht elementët dhe premisat e shtetit. Në këtë shkrim do prononcohem kryesisht te populli, te fuqia punëtore.

Elementët kryesorë të zhvillimit të një ekonomie janë:

E para, fuqia punëtore, populli,

E dyta, pasuria nën dhe mbi tokësore, territori

E treta, asetet ekonomike të trashëguara nga sistemet paraardhëse ekonomike, etj, etj.

Fuqia punëtore është faktori ekonomik kryesor i realizimit të të mirave dhe shërbimeve të një vendi, është ajo forcë që vë në lëvizje gjithçka, që nga karrocat e thjeshta deri në robotët dhe paratë virtuale. Mund të kesh teknologji moderne, inteligjencë artificial, por po nuk qe mendja dhe krahu i punëtorit, gjithçka mbetet e vdekur. Prandaj njeriu vlerësohet si kapitali më i çmuar. Por jo të gjitha vendet e vlerësojnë njësoj. Në Shqipëri nuk vlerësohet as punëtori dhe as intelektuali, më së shumti vlerësohen militantët, prandaj administrata shtetërore ka qenë është dhe do të jetë problem, nëse nuk ndryshohet mentaliteti drejtuesve.

Kinezët kanë rreth 1.387 miliardë njerëz dhe rreth 870 milionë të punësuar dhe nuk kanë probleme në administratë si ne, dhe nuk kanë asnjë kinez të tepërt. Ne na ka dalë gjysma e popullit tepër dhe administrata callë. Kinezët kanë normë natyrore të papunësisë dhe luftojnë për ngushtimin e dallimeve ekonomike midis krahinave të ndryshme të Kinës, ne kemi 20% të popullsisë që merr përkrahje sociale dhe normë papunësie 12%.

Gjermanët, fuqinë punëtore, popullin gjerman e kanë të shenjtë dhe kjo shihet që në Kushtetutën e saj, në sistemin e kapitalizmit social që aplikon Gjermania. Gjermanët gjithçka që bëjnë e mbështesin në fuqinë e mendimit gjerman, në korrektësinë dhe inteligjencën e tyre, ky ka qenë dhe mbetet faktori kryesor i çdo qeverie. Që në vitet 30, ekonomisti gjenial Godffried Feder, ka përcaktuar pikat kryesore të zhvillimit të ekonomisë gjermane. Pranimi i tyre prej A.H bëri që Gjermania të ngrihej nga hiri dhe të bëhej një superfuqi, aq sa ju desh gjithë botës perëndimore dhe lindore së bashku për ta mposhtur.

Ja si shprehet  Hasting Ë. S. Russell për ngritjen e Gjermanisë në vitet 30: “Një luftë e financuesve dhe e budallenjve, megjithëse shumica e njerëzve, nuk e shohin ende shumë qartë se si hyjnë financuesit. Financierët gjithashtu dëshironin luftën si një mjet për të rrëzuar rivalët e tyre dhe për të konsoliduar akoma më tej fuqinë e tyre të pamasë. Hitleri shkoi aq larg, sa të deklarojë se pasuria e vërtetë e një vendi konsistonte në aftësinë e tij për të prodhuar mallra; edhe kur njerëzit dhe materialet nuk i kishin në dispozicion, ai nuk do të lejonte kurrë që mungesa e parave të ishte pengesë në rrugën e çdo projekti që ai konsideronte se ishte në interes të vendit të tij. Nën detyrimin e kësaj nevoje ne kemi mësuar në radhë të parë të marrim parasysh plotësisht kapitalin më thelbësor të një kombi, domethënë aftësinë e tij për të punuar. Të gjitha mendimet e rezervave të arit dhe të këmbimit valutor zbehen para industrisë dhe efikasitetit të burimeve kombëtare prodhuese të planifikuara mirë… shteti të promovojë industrinë dhe jetesën e qytetarëve. Duhet të jetë detyra e parë e çdo qytetari të shtetit që të kryejë punë mendore ose fizike. Aktivitetet e individit nuk duhet të bien ndesh me interesat e tërësisë, por duhet të vazhdojnë brenda kornizës së komunitetit dhe duhet të jenë për të mirën e përgjithshme”(Program NSDAP)… etj.”

Në Shqipëri që nga viti 1990, popullsia e re vazhdon të largohet. Ekonomia e vendit nuk arrin t’u sigurojë mundësi për punë dhe për një jetesë normale. Mungesa e elmentëve të domosdoshëm të jetës, mungesa e shkollave, klinikave mjekësore, rrugëve, etj. ka bërë të boshatisen fshatrat, të përgjysmohet popullsia, dhe nje pjesë e tyre të mbeten vetëm si shprehje gjeografike, “na ishte një herë”. Largimi popullsisë shqiptare filloi menjëherë pas vitit ‘90. Shqipëria njohu dy eksode të mëdha 1990 dhe 1997, ndërsa kanë vazhduar çdo vit me dhjetramijë të rinj të largohen.

Tabela e mëposhtëme është shumë domethënëse.

 Vitet Mesatarja e popullsisë Lindje të gjalla Vdekje Ndryshimi natyror Ndryshimi natyror (për 1000) Shkalla e lindshmërisë
1950 1,215,200 47,291 17,215 30,076 24.7 6.07
1960 1,608,800 69,686 16,775 52,911 32.9 6.85
1970 2,135,479 69,507 19,774 49,733 23.3 5.16
1980 2,671,997 70,680 16,981 53,699 20.1 3.62
1990 3,266,790 82,125 18,193 63,932 19.6 3.04
2000 3,060,173 51,242 16,421 34,821 11.4 2.25
2010 2,913,021 34,061 20,107 13,954 4.8 1.63
2019 2,854,191 28,561 21,937 6,624 2.3 1.36

Popullsia e Shqipërisë,  në 1 Janar 2020,  rezulton 2.845.955 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me 1 Janar 2019. Gjatë vitit 2019, shtesa natyrore e popullsisë është 6.624 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 7,1 %, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) është -23.082 banorë. Në 1 janar 2020 mosha mesatare e popullsisë rezulton 37,2 vjeç,  nga 36,7 që ishte në 1 janar 2019.

Popullsia e sotme është sa ka qenë para 40 viteve. Të gjithë treguesit e lidhur me popullsinë janë negativë. Janë ulur lindjet në 60%,  është rritur numri vdekjeve. Ndryshimi natyror nga 30076, është ulur në  6624 dhe po tenton zeron, ndryshimi natyror në mijë është vetëm 2.3. Shifra të frikëshme që të çojnë në 512 mijë banorë pas 80 vjetësh!

Në 1 janar 2020 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me 1 janar 2019, nga 25,1 % në 24,6 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka pësuar rritje, nga 20,5 % në 21,6 % gjatë të njëjtës periudhë.

Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar rënie në 1 janar 2020, në krahasim me 1 janar 2019, nga 99,8 në 99,7 meshkuj për 100 femra.

Raporti gjinor në lindje ka pësuar rritje, duke shënuar vlerën 109,0 në vitin 2019 nga 108,0 që ishte në vitin 2018. Gjatë vitit 2019, lindën 28.561 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2019 është 21.937 persona, duke patur një rritje prej 0,6 %, krahasuar me një vit më parë.

Treguesit e mësipërm janë shqetësues, sepse flasin për një rënie jo vetëm të numrit të popullsisë, por edhe të fuqisë punëtore e cila do mbulojë pensionet e ardhëshme. Kështu në njërin krah, numri pensionistëve do rritet dhe në krahun tjetër do ulet numri personave që do derdhin kontribute për pensione. Fuqia punëtore e punësuar në 2020 (TII) ka qenë 1.105 milionë, prej të cilave 173 mijë në sektorin shtetëror, 486 mijë në sektorin privat jo bujqësor dhe 446 mijë në sektorin bujqësor. I takon afërsisht 1/1(pa bujq) ndërsa kjo shifër do ulet në të ardhmen. Duke pasur parasysh se lindjet në vitet ‘50-‘60 kanë qenë nga 49-69 mijë, pas dhjetë vitesh numri pensionistëve do kalojë një milion, po aq sa është numri të punësuarve, por jo i numrit të atyre që paguajnë sigurime. Ky do jetë një fenomen i pa precedent që do sjellë probleme sociale dhe ekonomike, sidomos në kushtet e strukturës së PBB-së së sotme, që synon të ketë për drejtim kryesor sektorin e shërbimeve, sektorin e turizmit.

Rënia e numrit të popullsisë është e ndryshme në qarqe dhe bashki të ndryshme, ajo është shumë më e theksuar në rrethet malore të Shqipërisë, duke filluar nga Dibra, Kukësi, e deri  në Gjirokasër e Berat. Gjirokastra ka vetëm 40% të popullsisë që ka pasur në 1990. Rrethet më të goditura janë Përmeti dhe Tepelena, ku ka fshatra që janë boshatisur, nuk banon më asnjë familje. Këto qarqe dhe rrethe kanë qenë dhe mbeten pas viteve ‘90 më të varfërat në Shqipëri. Edhe sasia e investimeve të kryera nga qeveria ka qënë shumë e paktë. Deri tani kanë zhvilluar ekonomitë e tyre modeste vetëm me të ardhurat nga emigracioni. Qarqet që nuk kanë pasur rrjedhje të madhe kanë qenë Fieri, Elbasani dhe Lezha, ndërsa Tirana thuajse është dyfishuar.

 

Qark 1989 popullsia 2001 popullsia 2018 popullsia Ndryshimi (1989-2018) Ndryshimi në % (1989-2018)
Berat 222,901 193,020 127,431 -95,470 -43%
Dibër 226,324 189,854 120,978 -105,346 -47%
Durrës 218,530 245,179 289,628 71,098 33%
Elbasan 357,497 362,736 278,547 -78,950 -22%
Fier 379,342 382,544 298,144 -81,198 -21%
Gjirokastër 155,998 112,831 62,952 -93,046 -60%
Korçë 311,448 265,182 210,178 -101,270 -33%
Kukës 146,081 111,393 77,394 -68,687 -47%
Lezhë 165,254 159,182 126,800 -38,464 -23%
Shkodër 285,258 256,473 204,994 -80,264 -28%
Tiranë 449,228 597,899 883,996 434,768 97%
Vlorë 264,556 192,982 189,282 -75,274 -28%

Dinamika e popullsisë sipas qarqeve

 

Numri dhe shpërndarja e emigrantëve që shtohet nga dita në ditë nuk është i saktë. Ai më së shumti meret prej EUROSTAT, sesa nga të dhënat e Gjendjeve Civile apo INSTAT.

Sot në Shqipëri nuk ka statistika të sakta. Ja si shprehet vetë INSTAT për mënyrën e përllogaritjes së të dhënave. “Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi (migracioni ndërkombëtar), është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë ne përdorim të dhënat më të mira “proxy” për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit, nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientët e projeksioneve të popullsisë 2011-2031”.

Në vitin 2018, numri i emigrantëve ka qenë 43.835 persona, duke pësuar një rritje prej 13,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i imigrantëve në 2019  ishte 20.753 persona, duke pësuar një rënie prej 12,3 %,  krahasuar me një vit më parë.

Sipas një ankete të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” për edukimin e të rinjve në Europën Juglindore, 285 mijë shqiptarë planifikojnë të ikin nga vendi në vitet në vijim. Diaspora e vlerësuar nga INSTAT (1.1.2019) përllogaritet 1.641.354 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 862.622 individë janë meshkuj dhe 778.732 janë femra. Gjatë vitit 2019 ka një shtim të diasporës me rreth 3,6 %.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për vitin 2019, numri i emigrantëve shqiptarë në botë është rreth 1,2 milionë, 39,4% Italia, 35,3% Greqia, 8,2% SHBA, 4,2% Gjermani, 1,4% Kanada etj.

Në 1 janar 2018 shtetasit me origjinë shqiptare në Itali rezultonin të ishin 430.340 vetë dhe përfaqësonin 11,6% të shtetasve të huaj, duke u renditur në vendin e dytë për numër prezencash.

Shqipërisë po i kin njerëzit, po i rrjedh gjaku, qeveritë bërtasin ejani o turistë dhe ju ofrojnë buqeta me lule sikur të jenë shpëtimtarë të ekonomisë. Shpëtimtarë të ekonomisë janë vetë shqiptarët. Një banor shqiptar është sa 365 ditë/turist, dhe 400 mijë që janë larguar në 10 vitet e fundit janë sa 146 milionë ditë/turistë. Nëse nuk do ishin larguar, nuk do kishim nevojë për asnjë turist.

Shqetësimi i Presidentit është legjitim. Çdokush duhet të shqetësohet për këtë fenomen që po boshatis çdo ditë e më shumë vendin tonë. Më shumë se të tjerët është detyra e Qeverisë. Qeveria duhet të bëjë analizën pse ikin shqiptarët dhe çfarë masa duhet të marrë për ta ndërprerë sa më parë këtë fenomen. Mendoj se faktori kryesor është mungesa e punës dhe mungesa e perspektivës. Mungesa e shfrytëzimit të pasurive të vendit, monopolizimi  dhe oligopolizimi i degëve kryesore, koncesionet dhe PPP, turizmi që thith përditë gjithë energjitë e qeverisë, nepotizmi, paaftësia dhe korrupsioni janë faktorët mbi të cilët duhet vepruar sa nuk është vonë.