SIGURIA EVROPIANE PËRBALLË RREZIKUT NGA LINDJA

447
Sigal

Prof.Dr.Qemal Lame

 

NATO dhe Rusia me qëndrime gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kundërta nuk arritën t’i japin zgjidhje mosmarrëveshjeve për sigurinë dhe Ukrainën në bisedimet e zhvilluara në Bruksel, të mërkurrën, në 12 janar 2022. Diskutimet nuk kanë qenë të lehta. Takimi i 30 anëtarëve të NATO-s me përfaqësuesit e qeverisë ruse lidhur me gjendjen e sigurisë në Europë me theks të veçantë ndaj Ukrainës, nuk arriti të ndryshojë qëndrimet. Edhe për sa i përket dislokimit nga të dyja palët të raketave në Europë nuk pati rezultate, pasi pala ruse nuk ishte në gjendje të vendoste.

Rritja apo mbajtja e tendosur e presioneve politike dhe e kërcënimeve ushtarake duket e pashmangshme, pavarësisht nëse të dyja palët janë të gatëshme mirëkuptohen për bisedime më pak të diskutueshme mbi kontrollin e armëve dhe forcat e armatosura konvencionale. Në këto kushte bëhen më të ndjeshme shqetësimet se Kremlini po kërkon një justifikim për të deklaruar se çdo zgjidhje e mundshme diplomatike është e pamundur.

 

Problemet kryesore të bisedimeve ishin dhe mbeten kërkesat e Rusisë për sigurinë evropiane dhe kundërshtimi i tyre i vendosur nga Aleanca. NATO mendon të vazhdojë përpjekjet për bisedimet dhe gjetjen e një zgjidhje. Parësor është mënjanimi i rrezikut të situatave të pakontrolluara dhe bindja e Rusisë që të tërheqë rreth 100.000 ushtarët nga kufiri me Ukrainën. Putin prej disa viteve ka përfituar në kohë dhe ka shkuar aq larg sa të investonte në pozicionimin e dhjetëra mijëra trupave dhe burimeve ushtarake në perëndim të vendit të tij për një periudhë të pacaktuar. Deklarimet e Moskës zyrtare se nuk do të pushtojë Ukrainën duhen vlerësuar, por nuk janë garaci. Përqëndrimi masiv i trupave ushtarake është kërcënim real. Ky fakt nuk mund të justifikohet nga Rusia me premtimet se ndjehet e rrezikuar nga afrimi i NATO-s në kufijtë e saj.

Brukseli dhe Uashingtoni kërkohet të qëndrojnë në gjendje alarmi dhe të mos lejohet asnjë zbutje e qëndrimeve si në kohën e presidentit Obama, kur u aneksua Krimeja. Reagimi i vendosur i aleancës duhet të avancohet edhe me masat konkrete që duhet të merren nga Ukraina dhe ndihma për përgatitjen e trajnimin e trupave ushtarake e forcimin e brezit të mbrojtjes në rast të një sulmi nga Rusia.

Zgjerimi i Aleancës dhe i bashkësisë evropiane janë problemi tjetër kryesor i kërkesave ruse. Diplomatë rusë sërish parashtruan kërkesën e Kremlinit që NATO të mos pranojë më anëtarë të rinj dhe të tërheqë trupat nga vendet e reja anëtare në Lindje. Nëse NATO do të bashkëpunojë, duhet të pranojë rolin e Rusisë si fuqi e paqes”, kërkoi Aleksandër Grushko.

Aleanca i hodhi poshtë kërkesat e Rusisë, tha Jens Stoltenberg. NATO dhe vendet aspirate për anëtarësim e vendosin vetë, se çfarë rruge duan të ndjekin. “Askush nuk duhet të ndërhyjë. Natyrisht Rusia nuk ka veto për këtë, nëse Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s.” Zëvendëministrja e jashtme e SHBA, Wendy Sherman sërish theksoi, se porta e NATO-s është e hapur. Rusia kërkon pikërisht të kundërtën: „Ne duhet t’i japim fund politikës së portës së hapur.” Presionet janë të papranueshme. Aleanca do të vazhdojë politikën e saj të hapjes dhe Bashkimi Evropian atë të vazhdimit të zgjerimit.

Më 2008 NATO i ofroi anëtarësimin Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Por se kur kjo është çështje e hapur. Pas këtij premtimi Rusia pushtoi pjesë të Gjeorgjisë dhe më 2014 aneksoi Krimenë ukrainase. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg kërkon nga Rusia që të heqë dorë prej qendrimit të saj duke ndezur konflikte, “Rusia ka trupa në Gjeorgji, Moldavi dhe në Ukrainë. Këto trupa ndodhen atje pa miratimin e qeverive të këtyre vendeve. Ato nuk janë ftuar dhe nuk janë të mirëpritur atje. NATO i kërkon Rusisë, që t’i tërheqë këto trupa dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe të Ukrainës.”

Moska ka shprehur hapur pakënaqësinë dhe bëri përgjegjës Perëndimin për mosarritjen e marrëveshjeve të afruara prej saj. Kryenegociatori rus, zëvendësministri i Jashtëm Aleksandër Grushko, akuzoi NATO-n, se nuk i përgjigjet ofertave për zbutjen e situatës. “NATO i përmbahet taktikës nga Lufta e Ftohtë për kufizimin e Rusisë. Një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe serioze për sigurinë europiane”, tha Grushko pas bisedimeve në ambasadën ruse në Bruksel.

Putini kërkoi bisedime të drejtpërdrejta me SHBA për sigurinë evropiane, pa evropianët. Më këtë qëndrim të padrejtë dhe me qëllime imponuese për rikthimin në të kaluarën të shteteve ish- republika sovjetike, si dhe për të dëshmuar pushtetin e tij të pakufishëm, ai donte të tërhiqte vëmëndjen në rëndësinë e dy superfuqive për fatet e Evropës, përmasat e Rusisë së sotme si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik, ndarjen e zonave të influencës sipas kritereve të Luftës së Ftohtë dhe anashkalimin e realitetit të sotëm politik e gjeografik të Bashkimit Evropian.

Siç ishte dakortësuar më parë midis Moskës dhe Washingtonit, bisedimet u zhvilluan midis Rusisë dhe SHBA, pa pjesëmarrjen e BE. Thjeshtë ajo u “anashkalua”, për të mos thënë hapur u nënvleftësua. Qëndrimi rus mbetet shqetësues për evropianët. Kadri Liik, zyrtar i lartë i politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, vuri në dukje se është më pak e impresionuar nga vëllimi i komunikimit amerikan. “Sigurisht që të gjithë janë të shqetësuar,” -tha ajo, “sepse siguria jonë po diskutohet pa ne. Unë nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara po konsultohen vërtet me partnerët brenda apo jashtë NATO-s,” shton ajo. “Ata mund të informojnë aleatët, por ndoshta edhe mbi baza selektive dhe jo për të gjitha detajet”.

Sipas Liikut, Këshilli NATO-Rusi është një “mundësi për evropianët që të përfshihen”, por efektiviteti i tij në paraqitjen e një fronti të unifikuar kundër Moskës nuk është aspak i garantuar. “Mund të ndodhë që pozicionet e Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve të jenë aq larg njëra-tjetrës sa takimi i NATO-s është vetëm një përsëritje e pikave shumë heterogjene të bisedimeve”, -tha ajo, “në vend që të vazhdojë një diskutim serioz.”

SHBA shprehu solidaritetin me Ukrainën. U qartësua se veprimet ruse e kanë nxitur këtë krizë. Aleatët e NATO-s janë të gatshëm të pengojnë agresionin e mëtejshëm rus. Nëse Rusia ndjek rrugën e konfrontimit dhe veprimit ushtarak, Aleanca ja ka bërë të qartë Kremlinit se do të përgjigjemi me vendosmëri, duke përfshirë një sërë masash ekonomike me ndikim të madh. Aleanca është e përgatitur të përforcojë mbrojtjen e NATO-s në krahun lindor dhe do të imponojë një çmim të rëndë për agresionin e mëtejshëm rus në Ukrainë.

NATO-ja nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë. Ajo është një aleancë mbrojtëse, qëllimi i vetëm i së cilës është të mbrojë anëtarët e saj. Pas bisedimeve mes zyrtarëve të NATO-s dhe atyre rusë të mërkurën, Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, e cila kryesoi delegacionin e Shteteve të Bashkuara, tha se aleatët transatlantikë ishin të bashkuar. “Mendoj se një nga gjërat që Rusia ka bërë, të cilën ndoshta nuk e priste, është se ajo ka bashkuar të gjithë Evropën, NATO-n dhe aleatët, që nuk janë anëtarë të NATO-s, në përpjekjet për të ndarë të njëjtat parime, të njëjtat ambicie, të njëjtën shpresë dhe përkushtim.” Mbetet aktual zotimi i presidentit   amerikan, Joe Biden, i cili ka përjashtuar mundësinë e një konfrontimi ushtarak me Rusinë, në rast se ajo vendos të sulmojë Ukrainën, por thotë se SHBA-ja dhe aleatët e saj, do të vendosin sanksione të fuqishme ekonomike nëse ndodh një gjë e tillë.[1]

Takimeve të kësaj jave janë pritur me interesim të veçantë nga politika dhe opinoni publik evropian për t’u njohur më shumë me problemet e diskutuara. Zhgënjimi ishte i pritshëm, pasi kërkesat ruse ishin ultimative. Edhe kundërshtimi i Aleancës  mbeti kategorik. Nuk u qartësua se çfarë planifikon të bëjë Putini në të vërtetë me gjithë këta ushtarë, armatim dhe teknikë luftarake të avionëve e raketave supersonike dhe strategjisë kibernetike të luftës së yjeve. Nuk ju dha përgjigje pyetjes nëse Putini do të urdhërojë ose jo pushtimin e Ukrainës.

Mendimet e kundërta tregojnë se rreziku i një lufte të mundëshme mbetet real. Megjithatë, analiza e kujdesshme e mosmarrëveshjeve, qëndrimeve të kundërta dhe shpresave optimiste nga dëshirat për bisedime dhe për gjetjen e një zgjidhjeje me anë të bisedimeve, evidenton detyrën që të veprohet në kohë që të parandalohet dhe të mënjanohet sulmi megjithë përqëndrimet e mëdha strategjike të trupave ruse dhe kërkesat ultimative, paralajmërimet e mëparëshme nga Moska. Putini nuk do të rrezikojë me një aventurë tjetër të pushtimit të Ukrainës dhe përballjen me sanksionet e rënda të Perëndimit. Ai ka nxjerrë mësime edhe nga periudha 14- vjeçare pas aneksimit të Krimesë. Ukraina kërkohet të zerë vendin e saj në zhvillimet gjeopolitike të rendit të ri botëror. Kina në rritje të vazhdueshme është sfida e së ardhmes midis Perëndimit dhe Lindjes.

Diplomacia evropiane po vepron. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, do të udhëtojë për në Kiev dhe Moskë javën e ardhshme, ku do të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba. ajo do të udhëtojë në Moskë për të takuar homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Bisedimet kanë për qëllim arritjen e përparimit në bisedimet midis Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë, një plejadë e njohur si formati i Normandisë. Grupi nuk është takuar që nga viti 2019. Bashkimi Evropian dhe Rusia do të qartësojnë sovranitetin dhe dobinë për bashkëpunim të barabartë, të preçizojnë qëndrimet e tyre gjeostrategjike, si dhe të njihen masat se si do të formësohet siguria evropiane në të ardhmen në mënyrë që shtetet të mos ndjehen të kërcënuar nga njëri-tjetri.

 

14 janar 2022  12:56

Redaktuar 15:01.2022  19:40

 

[1] VOA: Situata në Ukrainë, në qendër të bisedimeve NATO-Rusi, 12 janar, 2022

https://www.zeriamerikes.com/a/6393465.html