KQZ e pafuqishme për zbatimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore

332
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Raport monitorimi i Akademisë së Studimeve Politike për zgjedhjet parlamentare

Periudha 25 mars – 25 prill 2021,  mbi kufizimet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore

Akademia e Studimeve Politike, zbardhi raportin e monitorimit për zgjedhjet parlamentare, në periudhën 25 mars-25 prill 2021, mbi kufizimet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore. Ky raport vëren se KQZ dhe KAS kanë marrë vetëm një rast masë ndërshkuese kundër një zyrtari të lartë për shkeljen e ligjit zgjedhor, ndërkohë, që vërejnë se “Problematika në zbatimit e kufizimeve të Kodit Zgjedhor për shkak të përcaktimeve evazive ligjore, e përforcuar më tej me rregullimet lehtësuese të Vendimit nr.9/2020 të Komisionit Rregullator pranë KQZ, por edhe praktika e interpretimeve të mëtejshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), kanë zhvlerësuar plotësisht mekanizmat në dispozicion të KQZ-së, për të ushtruar rolin kontrollues dhe sanksionues për zbatimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore”.

Kufizimet e akteve ligjore

Në shkelje të Kodit Zgjedhor janë miratuar 1 VKM dhe 4  Vendime Këshillash bashkiakë, të cilat sjellin përfitime apo masa lehtësuese (Në total konstatohen 14 Ligje, 2 akte Normative, 10 Vendime Këshilli të Ministrave, 7 Vendime Këshilli Bashkiak për periudhën katër mujore para zgjedhjeve)

Vendimmarrja e KQZ – Pranë KQZ-së janë regjistruar  95 denoncime për përdorimin e burimeve shtetërore, për të cilat janë marrë 43 vendime nga Komisioneri  Shtetëror duke caktuar: 3 masa administrative gjobë; 5 njoftime për marrje masash; 24 çështje të përfunduara pa konstatim shkelje; 11 çështje për mosfillim procedure

Veprimtaritë publike të ndaluara të zyrtarëve – Procesi i raportimit nga ana e ministrave në kostumin e kandidatit u kthye në një proces që e ka humbur sensin dhe praktikisht të pakontrollueshëm.

Ja shkeljet e Kodit Zgjedhor

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri më 25 prill, u regjistruan gjithsej 95 denoncime për shkelje të ndryshme të parashikuara në Vendimin nr.9/2020 për përdorimin e burimeve shtetërore në periudhën zgjedhore. Konfirmohet se Komisioneri  Shtetëror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar dhe marrë vendim për 43 raste të denoncuara, duke caktuar:

  • 3 masa administrative gjobë (çështja ndaj Drejtorit të Kadastrës Lushnjë ,dhe kryetarëve të bashkisë Tiranë dhe Vorë)
  • 5 njoftime për marrje masash (Bashkisë Tropojë për aktivitetet publike me prezencën e kandidatit të PS; – bashkisë Librazhd dhe PS në Kamëz për vendosjen e materialeve propagandistike; – 2 njoftime policisë bashkiake për mbyllje zyrash elektorale pranë Qendrave të Votimit të PS në Gjirokastër dhe PD në Tiranë)
  • 24 çështje të përfunduara pa konstatim shkelje;
  • 11 çështje për mosfillim procedure (raste jashtë kompetencës)

“Mes denoncimeve për të cilat është vendosur rrëzimi, janë edhe ato mbi kontratat koncesionare apo marrëveshjet PPP, për investime strategjike si, portet dhe aeroportet, të miratuara gjatë javëve të fundit para zgjedhjeve”

Vendimmarrja e kësaj periudhe të fundit nga ana e Komisionerit mund të konstatohet se ka qenë tepër e ngjeshur. Vlen të theksohet se nga data 2 – 24 prill, janë shqyrtuar 36 denoncime të mbërritura në të dyja portalet online të ndërtuara nga KQZ, por siç mund të konstatohet, në pjesën më të madhe është vendosur për mbylljen e shqyrtimit administrative, për shkak të “moskonstatimit të shkeljeve të dispozitave të Kodit Zgjedhor”. Mes denoncimeve për të cilat është vendosur rrëzimi, janë edhe ato mbi kontratat koncesionare apo marrëveshjet PPP për investime strategjike si portet dhe aeroportet, të miratuara gjatë javëve të fundit para zgjedhjeve.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ka lënë në fuqi gjatë kësaj periudhe masën administrative në vlerën e 10.000 lekëve të Komisionierit (Vendim nr. 234 / 14.04.2021), ndaj z. Gentian Picari, kryetar në detyrë i Bashkisë Vorë, i denoncuar nga LSI për mosfunksionimin e faqes zyrtare të internetit të bashkisë, duke sjellë pamundësinë e publikimit të vendeve publike në territorin e Bashkisë, për afishimin e materialeve propagandistike (nenit 79, pika 1 të Kodit Zgjedhor). Ky vendim mbetet deri më sot e vetmja masë ndëshkuese ndaj një zyrtari të lartë në kuadër të kufizimeve të Kodit Zgjedhor, e mbetur në fuqi edhe pas shqyrtimit në KAS. Duke mos zhgënjyer parashikimin, ankesa e regjistruar më 10.03.2021 pranë Gjykatës Administrative Tiranë, për rrëzimin nga KAS të procedimit administrativ ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, ende nuk është marrë në shqyrtim. Për çështjen e regjistruar me nr. 31138-01809-80-2021 janë zhvilluar aktualisht dy seanca përgatitore nga kjo gjykatë, në të cilat është kërkuar që të ketë një opinion të Gjykatës së Lartë mbi kompetencat e gjykatës administrative për të shqyrtuar çështjen në fjalë. Kujtojmë se edhe Kolegji Zgjedhor, u shpreh më parë (vendimi nr. 2, datë 04.03.2021) për “mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj kërkesë padie”.

“Vetëm 1 masë ndëshkuese ndaj një zyrtari të lartë në kuadër të kufizimeve të Kodit Zgjedhor”

Problematika në zbatimit e kufizimeve të Kodit Zgjedhor për shkak të përcaktimeve evazive ligjore, e përforcuar më tej me rregullimet lehtësuese të Vendimit nr.9/2020 të Komisionit Rregullator pranë KQZ, por edhe praktika e interpretimeve të mëtejshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), kanë zhvlerësuar plotësisht mekanizmat në dispozicion të KQZ për të ushtruar rolin kontrollues dhe sanksionues për zbatimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore.

Deri më 25 prill, në ndërfaqen (https://aktivitete.kqz.gov.al/) rezultojnë se janë raportuar gjithsej 1.229 aktivitete nga institucionet publike qendrore dhe vendore. Edhe gjatë kësaj periudhe, KQZ nuk ndaloi ndonjë veprimtari publike të raportuar nga zyrtarët, një detyrë e caktuar nga Kodi Zgjedhor në rastet kur konstatohet se veprimtaritë përbëjnë shkelje të kufizimeve të përcaktuara.

Monitorimi i akteve normative

Në funksion të Nenin 91, pika 4 të Kodit Zgjedhor, janë monitoruar Aktet Normative dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilët janë botuar në Fletoren Zyrtare për periudhën 25 mars – 25 prill 2021. Rezultojnë si vendime në shkelje të Kodit Zgjedhor:

  • 1 vendim i Këshillit të Ministrave
  • 4 vendime të Këshillave Bashkiakë të cilat sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër mujore para zgjedhjeve.

Raporti nuk ka përfshirë në listën e vendimeve të konstatuara në shkelje të Kodit Zgjedhor vendimet e Këshillit Bashkiak Durrës të denoncuara nga Partia Demokratike, të cilat kanë akorduar grante për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në periudhën parazgjedhore shkurt – prill 2021.

Neni 91, pika 4 i Kodit Zgjedhor përcakton ndalimin për: “….propozimin, miratimin ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.” Bazuar mbi këtë përcaktim, grantet për banesat e dëmtuara nga tërmeti janë konsideruar si fonde të lidhura me fatkeqësinë natyrore dhe si të tilla jo të ndaluara. Gjithashtu, interpretimi i kësaj fryme të Kodit Zgjedhor në mënyrë lehtësuese nga Vendimi nr.9/2020 i Komisionit Rregullator, duke përcaktuar korrelacionin me “vendosjen rishtazi të fondeve në dispozicion për një aktivitet të ndaluar”, ka aministuar çdo akt ligjor apo kontrata koncensionare të muajve të fundit të denoncuara si dyshimta për favorizim dhe përdorim të burimeve shtetërore. Në disa vendime të fundit të Komisionerit në lidhje më denoncimet për kontratat koncensionare në periudhën parazgjedhore, është argumentuar se buxheti i shtetit për vitin 2021 është draftuar dhe propozuar për miratim nga Ministria e Financave në muajin nëntor 2020, pra përpara hyrjes në fuqi të kufizimeve të Kodit Zgjedhor (26 dhjetor). Sigurisht, këto dyshime mbi një vendimmarrje të qëllimshme të Këshillit të Ministrave dhe Këshillave Bashkiakë për të orientuar votat, do të ishin evituar lehtësisht në rast se vendimet do të miratoheshin pas datës 25 prill.

“Problematika në zbatimit e kufizimeve të Kodit Zgjedhor kanë zhvlerësuar plotësisht mekanizmat në dispozicion të KQZ-së për të ushtruar rolin kontrollues dhe sanksionues, për zbatimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore”

Rekomandime

Është tashmë e qartë se roli që iu ngarkua KQZ-së si një rojtare e çdo shkeljeje të subjekteve politike dhe zyrtarëve të lartë shtetërore në periudhën parazgjedhore, nuk u shoqërua me kompetenca të duhura për të zhvilluar hetime administrative, shtimin e burimeve njerëzore si dhe mbështetjen e duhur institucionale për të evituar vonesat dhe dekurajimin e vendimmarrjes. Rekomandohet që këto problematika të hasura, të gjejnë një zgjidhje në rregullimet apo reformën e ardhshme zgjedhore, së bashku me demostrimin e një vullneti të mëtejshëm të aktorëve politikë, për të evituar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Pa një vullnet të tillë, çdo rregullim ligjor do të jetë i vështirë që të ndalojë keqpërdorimin e drejtëpërdrejtë apo të tërthortë të burimeve shtetërore. Përsa i përket kufizimeve për miratimin e akteve ligjore në periudhën zgjedhore, konstatohet se Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe këshillat bashkiakë vazhdojnë të kryejnë në mënyrë të përsëritur të njëjtat shkelje.

Edhe në rast të një vendimmarrjeje të mundshme të KQZ, mbetet e paqartë nëse ajo ka kompetencat e duhura mbi këto institucione legjislative dhe normuese në hierarkinë institucionale të vendit. Duhet nënvizuar se kufizimi për miratimin e marrëveshjeve koncensionare apo PPP mbetet në fuqi edhe pas përfundimit të fushatës zgjedhore, deri në krijimin e qeverisë së re, me gjasa deri në muajin shtator. Vazhdimi i miratimit në shkelje të Kodit Zgjedhor i legjislacionit dhe akteve të tjera normative nga organet më të rëndësishme në vend, do të jetë një goditje e mëtejshme për ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj shtetit ligjor.

Aktet normative në shkelje të Kodit Zgjedhor

Konstatohen në shkelje të nenit 91, pika 4 të Kodit Zgjedhor, ku ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si akte që parashikojnë uljen ose heqjen e taksave:

1. Vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 50, datë 06.04.2021; “Për krijimin e lehtësirave fiskale ndaj biznesit në kuadër të masave për përballimin e pasojave të infeksionit Covid-19”. “Me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak Tiranë, nëpërmjet këtij vendimi ka vendosur përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën Prill-Shtator 2021, për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restorante dhe hoteleve të klasifikuara si biznes i vogël. Gjithashtu, shtyrjen e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjitha subjektet, deri në 20 maj 2021.”

2. Vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 56, datë 06.04.2021; “Për trajtimin me subvencionin e qirasë së disa familjeve në nevojë që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. “Me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak Tiranë, nëpërmjet këtij vendimi ka vendosur të miratojë trajtimin me subvencionin e qirasë për individët/familjet, sipas listës bashkëlidhur vendimit. Kohëzgjatja e pagesës së qirasë do të jetë për një përiudhë 1 vjeçare. Efektet financiare në shumën 338,670 lekë në muaj, do të përballohen nga fondi i bonusit të strehimit të Bashkisë Tiranë”

3. Vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 57, datë 06.04.2021; “Për trajtimin me subvencionin e qirasë së disa familjeve në nevojë ,që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. “Me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak Tiranë, nëpërmjet këtij vendimi ka vendosur të miratojë trajtimin me subvencionin e qirasë për individët/familjet, sipas listës bashkëlidhur vendimit. Kohëzgjatja e pagesës së qirasë do të jetë për një përiudhë 1 vjeçare. Efektet financiare në shumën 274,158 lekë në muaj, do të përballohen nga fondi i bonusit të strehimit të Bashkisë Tiranë.”

4. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 244, datë 21.04.2021 “Për përcaktimin e masës së financimit, në buxhetin e vitit 2021, për bashkësitë fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave” – Fletore Zyrtare Nr. 64, datë 21.04.2021; “Këshilli i Ministrave nëpërmjet këtij vendimi ka vendosur financimin, në masën 113 milionë lekë, nga fondet e buxhetit të shtetit, për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, në formën e financimit të gjysmës së pagës minimale buxhetore për rreth 508 punonjë të këtyre bashkësive fetare në Shqipëri, si dhe financimin e ndërtimit  të teqesë së Elbasanit etj,.”

5. Vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 68, datë 19.04.2021 “Për trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. “Me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak Tiranë, nëpërmjet këtij vendimi ka vendosur të miratojë trajtimin me subvencionin e qirasë për individët/familjet, sipas listës bashkëlidhur vendimit. Kohëzgjatja e pagesës së qirasë do të jetë për një përiudhë 1 vjeçare. Efektet financiare në shumën 396,882 lekë në muaj, do të përballohen nga fondi i bonusit të strehimit të Bashkisë Tiranë.”