Kadare dhe muzika: Prof.Dr. Agron F. Fico: Në korpusin letrar të Kadaresë romani “Kronik në gur” e afirmoi si shkrimtar dhe Gjirokastrën e futi në hartën e botës. Sfida shkencore nga Vasil Tole, kënga, Lordi dhe Çështja Homerike

1386
Sigal

 

KADARE DHE MUZIKA

(Sfidë shkencore nga Vasil Tole)

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

Pogradec, gusht, 2019

Universi letrar i Kadaresë është një vepër madhore që përfshin gjini dhe lloje të larmishme. Korpusi letrar i Kadaresë tashmë është pronë e letërsisë botërore, botuar në 45 gjuhë dhe përshin 1301 botime. Studimet për krijimtarinë e Kadaresë janë të panumërta dhe mund të formojnë një bibliotekë më vete. Vasil Tole është i njohur për kërkimet dhe studimet në fushën e muzikologjisë. Ai është kompozitor i mjaft këngëve moderne edhe me motive popullore. Është edhe publicist. Meriton nderim për kontributin e dhënë për hartimin e dosjes për iso-polifoninë, që u vlerësua nga UNESCO si thesar gojor i njerëzimit.

ANATOMIA E PËRMBAJTJES

Libri Kadare dhe muzika i Vasil Toles është përpjekja e parë dhe e guximshme për një vështrim tepër origjinal të krijimtarisë së Kadaresë në raport me muzikën. Këtë qëllim autori e shpreh qartë kur shkruan se Puna për të provuar një makrotekst muzikor te Kadareja do të jetë synimi ynë kryesor. (Vasil Tole, Kadare dhe muzika, Tiranë, 2019, f. 28.) Në përballimin e kësaj sfide shkencore Vasil Tole ka përzgjedhur një laborator të pasur. Libri ka 213 faqe, me 12 kapituj dhe shoqërohet me këto piketa: inventar (synopsis), inventar pa numra, epilog, shënime për autorin. Kryesorja, libri është i pajisur me një bibliografi prej 204 zërash, shqip dhe në gjuhë të huaja.

 

QYTETËRIMI GJIROKASTRIT

Në korpusin letrar të Kadaresë romani Kronikë në gur e afirmoi si shkrimtar dhe Gjirokastrën e futi në hartën e botës. Tole në librin për Kadarenë, ashtu si bëjnë gjeologët e minierave për mineralet e rralla, ka gërmuar me zell që të zbulojë atë lidhje të dukshme dhe të padukshme të shkrimtarit, krijimtarisë së tij me muzikën si pasqyrim i jetës tradicionale etno-zakonore të Gjirokastrës.

Këto marrëdhënie Kadare-muzikë janë brenda krijimtarisë së tij dhe mund t’i gjesh në të gjitha indet e vargut të veprave të shkrimtarit. Në Gjirokastër, qytetin e lindjes, Kadare dëgjoi dhe regjistroi në kujtesën krijuese atë repertor të pasur të këngëve gjirokastrite, të iso-polifonisë, për dasma e gëzime, dëgjoi edhe “oi…oi’-të e të qarit me botë, aq tipike për traditën e vajtimit në qytetin e Gjirokastrës. Tole nënvizon faktin se si në romanin Kronikë në gur të Kadaresë ashtu edhe në mjaft krijime të tjera të Kadaresë gjen të pasqyruara elemente të traditës gjirokastrite. Kështu, në romanin Dimri i madh Kadare na sjell një skenë të vajtimit me botë, kur sekretarja e Partisë Komuniste të Spanjës, Dolores Ibarruri, ngrihet të flasë me shifonin e zi mbi krye dhe del në tribunën e kongresit të përfaqësuesve të partive komuniste të botës e qan me “oi…oi” shthurjen e komunizmit. “Arti i Kadaresë, shkruan Tole, është komplementar, pasi aty ku mbaron jehona e fjalës e zë vendin heshtja e tingullit… Prandaj Kadareja është shumë-shtresor, ashtu si një valle rrethore.” (Po aty, f. 22.). Përpjekjen e parë për përshkrimin e iso-polifonisë, si trashëgimia që mbart kujtesën kolektive, e gjejmë qysh në romanin e tij të parë Qyteti pa reklama, i përfunduar në Moskë më 22 nëntor 1959. Në hyrje të romanit ai tregon se si grupi këndon vargjet:

N, o N, qytet me vulë,

Që nxore Sheme hajdutë. (Po aty, f. 67.)

Kadare në librin Eskili ky humbës i madh flet për festat për nder të Dionisit, por si thotë Tole, shkrimtari “ngriti siparin e thelbit të tragjedisë si gjini, që lidhet me vajtimin në grup e jo me gëzimin në grup.” (Po aty, f. 80.)

Të qarët në grup, ose siç njihet të qarët me botë, ka qenë mjaft i përhapur në qytetin e Gjirokastrës që, sado rrallë, mund të dëgjohet edhe në ditët e sotme. Kjo është një traditë e lashtë.

Kjo duket edhe nga dëshmia e kronistit turk Evlija Çelebi në vitet 1660-1664, që e pagëzoi Gjirokastrën si “qytet i vajtimit”.

 

Kam qenë dëshmitar disa raste në qytetin e Gjirokastrës të të qarit më botë. Në odën e madhe, të shtruar me mbulesa të bardha, grumbullohen gratë, të cilat vijnë me shifone në kokë dhe të veshura në të zeza. Ulen afër njëra-tjetrës. Njëra, më e afërmja e atij ose asaj që ka ndërruar jetë, nis me fjalë të zgjedhura vajtimin, gratë e tjera vënë dorën e djathtë më një anë si spreth dhe e shoqërojnë korifenë (marrësen e vajtimit) me “oi…oi” të zgjatura. Ky ritual zgjat rreth një orë ose më shumë, kjo varet nga korifeu. Kur ndalet vajtimi, pjesëmarrëseve u ofrohet kafe dhe pastaj njëra pas tjetrës largohen pa zhurmë dhe të përlotura.

Vasil Tole i kushton një kapitull, kapitullin e katërt, me titull “Kadareja për origjinën e tragjedisë nga vajtimet”. (F. 79-90.)

Studiuesi Vasil Tole sjell, gati me imtësi, skena dhe rituale të vajtimeve në qytetin e Gjirokastrës, madje edhe ndonjë tepër të çuditshme, siç është rasti i babazotit të Kadaresë, që e kishte lënë amanet që ta qanin me violinë!

 

ARKITEKTURA E KËNGËS POPULLORE

Kur është fjala për këngën popullore, veçanërisht për iso-polifoninë, Vasil Tole është, siç thuhet në të folurën popullore, si në shtëpinë e vet.

Lindur në një familje muzikantësh, rritur me tingujt e këngëve të bukura të Përmetit, me tingujt e të sazeve të mjeshtërit të madh Laver Bariu dhe mbi të gjitha me një jetë kushtuar këtij thesari gojor, Vasil Tole është bërë “ustai” i studimeve dhe botimeve të etno-muzikologjisë.

Në disa kapituj të librit Kadare dhe muzika, sidomos në kapitujt 3, 4 dhe 7, autori me gjuhën e specialistit trajton një varg konceptesh specifike si: “gjuha e muzikës”, “gjuha e vallëzimit” dhe “iso-polifonia si arketip”. Ai thotë se “Kënga polifonike e jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje kjo murmurinë kolektive, anonime, është ndofta më e rëndësishme se vetë kënga. Kjo është elementi në të cilën jeton kënga.” (Po aty, f. 67.)

Shembujt që përmend Tole janë të shumtë. Në romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur Kadare vendos në krye të këtij këndimi krye-këngën popullore “Mbeçë, morë shokë mbeçë”.

Autori i librit Kadare dhe muzika përmend edhe romanin e Kadaresë Kush e solli Doruntinën, ku gjejmë të pasqyruar riprodhimin e polifonisë në vajtim.

Studiuesi Tole e trajton dhe e zbarthen në elementet e vet vokalë:

Zëri I (këndon) zë i dridhshëm

Zëri II (këndon) zë më i dridhshëm

Zëri III (këndon) ligjërim

Zëri IV (këndon) vajtim.

 

Mjeshtëri Tole e dekodifikon gjuhën e këngës, ose më saktë atë të raporteve veprës së Kadaresë me muzikën; dhe pajtohem me përfundimin e Toles se “Kadareja e hapi veprën e vet bujarisht për gjithçka që është nga goja e popullit – nga djepi deri në varr.”

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem.
The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

LORDI DHE ÇËSHTJA HOMERIKE

 Në kapitullin “Homeric question dhe përgjigjia letrare e Kadaresë”, Vasil Tole ka trajtuar bashkë dy çështje të lidhura ngushtë.

Njëra i kushtohet dijetarëve të Harvardit, Milman Parry dhe Albert B. Lord, krijuesit e Teorisë së Letërsisë Gojore.

Tjetra, “Dosja H e Kadaresë si përgjigje letrare” e kësaj Teorie të Letërsisë Gojore.

Siç njihet publikisht, në vitin 2016 botova librin “Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”, ku kam folur për njohjen dhe shoqërimin e Lordit, që erdhi në Tiranë në qershor 1966 për të marrë pjesë në simpoziumin e organizuar nga AISEE.

Vendin kryesor në këtë libër e zë puna kërkimore në Harvard, në mars 1996 për fondin shqiptar. Këto kërkime në arkivat e Harvardit zbuluan një fond të pasur dhe të panjohur, gjer atëherë, të eposit shqiptar, mbledhur nga Parry dhe Lordi, në vitet ’30 të të shekullit të kaluar. Këtë ngjarje të shënuar shkencore dhe kulturore e bëra të njohur në masmediat shqiptare në Tiranë dhe Nju Jork.

Vasil Tole në pjesën e parë të këtij kapitulli jep disa nga tezat kryesore të Teorisë Parry-Lord, që përbëjnë thelbin e Teorisë së Letërsisë Gojore.

Tole shkruan: “Ajo çka njihet me emrin e Homerit ishte produkt i një tradite gojore më të vjetër se çdo formë shkrimi në letërsinë në Evropë… Ata e vunë theksin te procesi se si këto këngë ishin krijuar e, për më tepër, duke synuar studimin e një tradite ende të gjallë…” (Po aty, f. 94-96.)

Kadare kishte treguar interes për eposin heroik shqiptar përpara se të botonte romanin Dosja H, mjafton të përmendim esenë e gjatë për Ciklin e kreshnikëve , që e përfshiu edhe në librin Autobiografia e popullit në vargje.

Romani Dosja H i Kadaresë është një krijim letrar me subjekt homerik, d.m.th. të këngëve të kreshnikëve. Në qendër të librit shkrimtari ka studiuesit e folklorit, personazhet letrarë Maks Roth dhe Vili Norton, të cilët erdhën në Shqipëri për të bërë hulumtime për eposin gojor shqiptar. Studiuesit e folklorit, në roman, do të përpiqeshin të dokumentonin vendndodhjen dhe burimin e eposit, procesin e brendshëm dhe të jashtëm të krijimit.

Kadareja shpreh mendimin, duke e vënë në gojë të studiuesve të folklorit, se “Neve nuk na intereson eposi shqiptar në vetvete, sesa teknologjia e prodhimit të tij. Prej saj ne do të përpiqemi të nxjerrim një të vërtetë universale: Si lindi ky lloj eposi. Rrjedhimisht: enigma homerike…” (Po aty, f. 98.)

Tole shkruan me të drejtë se “Edhe pse Dosja H është një krijim letrar dhe jo studimor, Kadare shfrytëzon argumentet shkencore për të evidentuar lashtësinë e eposit shqiptar në krahasim me atë serb, njëherazi evidentimin e një parauniversi të përbashkët greko-iliro-shqiptar…” (Po aty, f. 102.)

Dosja H e Kadaresë, e përkthyer anglisht dhe e botuar në Nju Jork, u prit me debate dhe diskutime, që u pasqyruan deri te gazeta “New York Times” dhe gazeta të tjera amerikane.

 

EPILOG

Qëllimi i studimit të Vasil Toles në librin Kadare dhe muzika, shkruan Shaban Sinani, është “Të provojë se në ngjizjen e krijimit artistik të Kadaresë, me apo pa vetëdije, janë të pranishëm pashmangshëm melos-i dhe lëvizja, kënga dhe vallja…” (Po aty, f. 14.)jo është për mendimin tim edhe prurja më e rëndësishme, origjinale dhe e trajtuar fare pak ose aspak gjer më sot.

Trajtimi i kësaj teme, trajtimi në të gjitha indet i marrëdhënieve letërsi-muzikë tek Kadareja mbështetet në filozofinë, në estetikën perëndimore, në evokimin e koncepteve të teoricienëve të çështjes homerike, të formuluara nga dijetarët e Harvardit, Milman Parry dhe Albert B. Lord.

Pas viteve ’60 të shekullit të kaluar, arti, letërsia, studimet folklorike, shkencat shoqërore në Shqipëri mbështeteshin në teorinë markisiste-leniniste.

Teoria e estetikës markisiste erdhi së pari në Shqipëri me librin e A. Uçit me titullin Jeta, realiteti arti. Estetika marksiste u bë Bibla dhe Kurani i kritereve kanunore mbi të cilat bëheshin studime, botoheshin libra, krijoheshin piktura kompozoheshin këngë etj.

Kjo solli si pasojë që arti dhe letërsia e periudhës së regjimit monist të ishin skematike, si pamflete politike dhe me nivel të ulët artistik. Madje ata krijues të letërsisë dhe artit që nuk zbatonin kriteret e estetikës marksiste përbuzeshin dhe, në mjaft raste, burgoseshin ose vareshin. Kjo nuk do të thotë edhe se në atë periudhë nuk pati krijime letrare dhe artistike që edhe sot vazhdojnë të na japin kënaqësi estetike.

Libri i Vasil Toles Kadare dhe muzika për fat të mirë i ka shpëtuar kurthit të kësaj teorie, prandaj lexohet dhe studiohet me një ndjenjë intelektuale kënaqësie dhe nderimi.

Kadare dhe muzika, me autor studiuesin Vasil S. Tole, i shtohet veprave të albanistikës dhe shënon një hap përpara. Kjo vepër njëherazi dëshmon se studiuesit shqiptarë të shekullit XXI janë dhe mund të qëndrojnë me dinjitet shkencor krahas kolegëve të tyre evropianë.