DASH: Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore

289
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Raporti 2021: Problem korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve me krimin

Departamenti i Shtetit publikoi të enjten, raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore, për vitin 2021. Raporti i këtij viti vjen në një kohë kur shumë vende u përballën me pandeminë e COVID-19-s. Ai konsiderohet si burimi më gjithëpërfshirës në botë i përpjekjeve qeveritare antitrafik dhe pasqyron angazhimin e qeverisë amerikane, për të marrë një rol udhëheqës global në këtë çështje kryesore të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e ligjit. Në një mesazh që shoqëron publikimin e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, shprehet se, nëpërmjet tij “u bëhet thirrje qeverive të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në përmirësimin e përpjekjeve kolektive për të adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse trafikimin e qenieve njerëzore”. Kjo kërkon sikurse shprehet ai, që “të zbuten praktikat dhe politikat e dëmshme që shkaktojnë dobësi social-ekonomike ose politike që trafikantët shpesh i shfrytëzojnë”. Shtetet e Bashkuara njohin dy forma kryesore të trafikimit të personave: punën e detyruar apo të ashtuquajturën skllavëri moderne si dhe, trafikimin seksual.

“Korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetën një shqetësim, duke penguar veprimet e strukturave të zbatimit të ligjit gjatë vitit”

Ndërsa COVID-19 shkaktoi një rënie ekonomike globale dhe rriti numrin e individëve të prekshëm nga trafikimi i qenieve njerëzore, trafikantët adaptuan taktikat e tyre ekzistuese për të përfituar nga rrethanat unike të pandemisë. Trafikantët e qenieve njerëzore, shënjestruan numrin në rritje të njerëzve të paaftë për t’u përshtatur, ose ndërtuar qëndrueshmëri në kushtet e përkeqësimit të efekteve ekonomike dhe sociale. Ata gjithashtu shfrytëzuan situatat kur shqyrtimi dhe identifikimi i viktimave, u bë edhe më i vështirë. Raporti i ndan vendet në tre nivele: në të parin, hyjnë ato vende e territore, qeveritë e të cilave përputhen plotësisht me standardet minimale të kërkuara. Në niveli 2, hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të ardhur në përputhje me to. Ndërsa në nivelin e tretë, futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në raport, në nivelin e dytë.

Shqipëria

Në raport thuhet se qeveria e Shqipërisë, nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eleminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme, për ta bërë një gjë të tillë. Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje, krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë në kapacitetin e saj antitrafik dhe ndaj mbeti në nivelin e dytë. Këto përpjekje përfshinin ndjekjen penale të më shumë të pandehurve dhe rritjen e konsiderueshme të burimeve për strehat për viktimat, të cilat financohen nga qeveria.

Ndjekja penale

Në raport thuhet se qeveria i uli përpjekjet e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë drejtim. Gjithashtu, thuhet se gjykatat, nuk dënuan asnjë trafikant (ndërsa kishin dënuar pesë, në 2019). Gjykata e apelit shqyrtoi dhe konfirmoi vendimet për tre trafikantë. (po aq, në 2019). Qeveria pezulloi veprimtarinë e gjykatave nga marsi deri në prill 2020, për shkak të përpjekjeve për zbutjen e pandemisë, kur stafi gjyqësor rezultoi pozitiv me COVID-19.

“Sipas disa njoftimeve të izoluara, trafikantët i shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri dhe, disa trafikantë, ka të ngjarë, të jenë të përfshirë në trafikun e drogës”

Parandalimi

Në raport thuhet se qeveria i ruajti përpjekjet për të parandaluar trafikimin. Ajo vazhdoi zbatimin e planit kombëtar të veprimit për vite 2018-2020 dhe caktoi një fond prej 4.87 milionë dollarësh për zbatimin e tij.

Profili i trafikimit

Në raport thuhet se sikurse gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët e qënieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat e brendshme dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë saj. Ata shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë për trafik seksual e punë të detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik duke u bërë premtime të rreme të tilla si martesa, ose oferta pune. Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla. Ata shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komunitetet rome dhe të komunitetit egjiptian nga vende të ndryshme të Ballkanit, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Sipas disa njoftimesh të izoluara, trafikantët i shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri dhe disa trafikantë, ka të ngjarë të jenë të përfshirë në trafikun e drogës. Trafikantët i shfrytëzojnë viktimat shqiptare për trafik seksual në vendet anembanë Evropës, veçanërisht në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoni të Veriut, Norvegji, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vendet evropiane, Gambia dhe Filipinet shfrytëzohen për trafikimin seksual dhe punë të detyruar në Shqipëri. Migrantët e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikane kalojnë nëpër Shqipëri për të arritur në Evropën Perëndimore janë të prekshëm nga trafikimi, veçanërisht fëmijët e pashoqëruar. Raporti rekomandon hetimin me forcë, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve, përfshirë zyrtarëve bashkëpunëtorë. 

“Qeveria shqiptare i uli përpjekjet e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë drejtim. Gjithashtu thuhet se gjykatat nuk dënuan asnjë trafikant”

Profili i trafikimit

Në raport thuhet se rrjetet kriminale shfrytëzuan viktimat në trafikimin seksual brenda vendit. Shumë viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza, megjithëse trafikantët kanë detyruar gjithashtu edhe gra, nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vendet e tjera evropiane për trafik seksual. Gratë dhe vajzat shfrytëzohen për trafik seksual në shtëpi dhe apartamente private, klube nate dhe sallone masazhesh. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje, janë të detyruar të lypin brenda vendit. Trafikantët i nënshtrojnë qytetarët e Kosovës ndaj trafikimit seksual dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Komunitetet e margjinalizuara rome, ashkali dhe egjiptiane janë të prekshme nga lypja e detyruar dhe trafikimi seksual. Në raport thuhet gjithashtu se, edhe personat e komunitetit LGBTQI +, migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët gjithashtu, përjetojnë një rrezik më të lartë për trafikim.

Ndjekja penale

Në raport thuhet se qeveria i ruajti përpjekjet e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë drejtim. Por në raport thuhet se, korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit, mbetën një shqetësim, duke penguar veprimet e strukturave të zbatimit të ligjit gjatë vitit. Raporti sjell një rast të vitit 2016, kur prokurorët akuzuan dy oficerë policie për dy çështje të veçanta ku dyshohej se ishte abuzuar me pozitën zyrtare dhe për shfrytëzim për qëllime seksuale të viktimave të trafikimit. Në vitin 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës, liroi një nga oficerët.