Kryebashkiaku Subashi, gati 200 mijë euro, për rrugën e inceneratorit të Fierit

488
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, është tërhequr nga tenderi për rregullimin e rrugëve të inceneratorit të Fierit, të ndërtuar në fshatin Verri. “BoldNews” investigoi disa ditë më parë këtë çështje, duke sjellë dokumente sesi Bashkia e Fierit po shpenzonte plot 200 mijë euro për ndërtimin e disa rrugëve, që kalojnë në afërsi të këtij impianti, të fituar nga një firmë private me koncesion. Frika e një hetimi të mundshëm të SPAK, ka sjellë këtë tërheqje të kreut të bashkisë, i cili u denoncua publikisht edhe nga deputeti socialist i Fierit, Petro Koçi. Por, tërheqja e bashkisë është edhe një sinjal alarmi, pasi vetë Subashi e ka pranuar se me këtë investim do të ndihmohej privati. Por, a e dinte z.Subashi që rruga në fjalë ishte për inceneratorin?

Përse u tërhoq në këto momente? Dhe kur pritej shpallja e fituesit, apo hapja e zarfeve, Subashi është tërhequr në mënyrë të beftë, duke pranuar edhe gabimin. Sipas dokumentit të mësipërm, në pikën 5 të tij thuhet se “anulimi erdhi për arsye të interpretimit kontraktual përkatës, sipas kërkesës së bërë autoriteteve kompetente, nëse financimi dhe realizimi i këtij projekti mund të realizohet nga autoriteti kontraktor Bashkia Fier ose jo”. Pra,  Subashi ka kërkuar anulimin dhe dërgimin e projektit  të institucionit  që ka dhënë kontratën koncesionare për inceneratorin e Fierit. Sipas dokumenteve, Bashkia e Fierit kishte hapur një tender me objekt “rikonstruksion i segmentit të rrugës hyrja Kallm – Incenerator dhe segmenti Kryqëzimi – Qendër Kallm”.

Nga hulumtimi, rezultoi se rrugët që do të bëheshin kalojnë, apo janë “private” të koncesionarit të inceneratorit. Vlera e këtij tenderi është 20.397.004 lekë, ose mbi 200 mijë euro me TVSH. Një “ndihmë” e madhe në këtë situatë, ku koncesionarit duket se i kishin mbaruar paratë. Në dokumentet e këtij tenderi ka edhe specifikime se çfarë do të bëhet. Dhe, rezulton se janë pikërisht rrugët lidhëse dhe në afërsi të kësaj vepre që po ndërton kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi. Dhe, në atë investigim ngritëm disa pyetje: Nëse Tushe i Lushnjes u arrestua për një tender kanali, përse kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi ka dorë të lirë në koncesione apo ndihmon këto firma? A mos ndoshta mes Subashit dhe Tushes ka pasur konflikt për mbetjet? A janë kërkuar mbetjet e Lushnjes të dërgohen në këtë incenerator? Pyetje që janë akoma pa përgjigje, pavarësisht tërheqjes së kryebashkiakut të Fierit Armando Subashit?