“Freedom House”,mazhoranca zotëron 80-90% të pushteteve

318
Sigal

Raporti zyrtar  i “Freedom Hous” për vitin 2020 është më kritiku  në 30 vitet e pluralizmit. Në Shqipëri demokracia është dobësuar  dhe mazhoranca ka filluar rënien e lirë prej korrupsionit, autoritarizmit, mungësës së zgjedhjeve të lira dhe shtypjes së medias. Reagojnë Meta, Rama, Basha dhe Prof. Afrim Krasniqi

Freedom House: PS ka ndërprerë reformën zgjedhore, po punojnë për të shtypur median

Shqipëria udhëheq rënien nga standardet demokratike në Ballkan

 

Raporti i Freedom House për vitin 2020 është shumë kritik qeverisë dhe mazhorancës së Edi Ramës. Freedom House shprehet se mazhoranca e Edi Ramës ka bllokuar reformën zgjedhore. Në raport një vend i veçantë është edhe për lirinë e medias. Sipas raportit, qeveria e Edi Ramës po punon për të shtypur lirinë  e medias. Në vitin 2019, opozita në 4 nga 29 vendet (Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi dhe Serbia) e bojkotuan parlamentin, ndërsa një bojkot i shkurtër parlamentar u zhvillua në një vend të pestë, Xhorxhia, në fillim të vitit 2020. Kushtet themelore për këto bojkote mund të vërehen më gjerësisht, pasi partitë në pushtet ndërmorën hapa për të margjinalizuar opozitën. Rënia e parlamentit shtrihet më larg sesa thjesht degradimi i lehtë që mund të shkaktojë bojkoti: në një numër vendesh, ligjvënësit gjithnjë e më të irrituar ende ulen në opozitë ndërsa bërja dhe shkelja e rregullave nga supermazhorancat aspak tolerante degradojnë idealin parlamentar. Në Shqipëri, ligjvënësit e opozitës pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017 dhe 2018 duke dhënë dorëheqjen në bllok  në shkurt 2019. Ata kërkuan zgjedhje të reja pasi një hetim zbuloi se Partia Socialiste në pushtet kishte përfshirë ndihmën e rrjeteve të krimit të organizuar në votimet e vitit 2017 që e solli atë në pushtet. Plot këmbëngulje, Socialistët kanë ndërprerë reformat zgjedhore ndërsa po punojnë për të shtypur median e vendit dhe duke vazhduar me planet për të shkarkuar presidentin.

Dobësimi i demokracisë në Shqipëri

Viti 2019 shënoi një rënie të fortë të demokracisë në Europën Lindore, bëri të ditur organizata amerikane Freedom House në një raport të titulluar: Rënia e fasadës demokratike. Shqipëria humbi pikë në standardet demokratike për herë të parë në tre vjet, duke mbyllur edhe një dekadë përkeqësimi të ngadaltë por të vazhdueshëm. Shqipëria shënoi një përkeqësim të standardeve demokratike gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve njëpartiake për pushtetin vendor, vëren organizata Freedom House në raportin e vet vjetor, Kombet në tranzit. Shqipëria ra nga 3.89 pikë në vitin 2018 në 3.82 pikë në raportin e vitit 2019 në një shkallë nga 1 në 7 ku 1 përfaqëson nivelin më të ulët dhe 7 nivelin më të lartë. Raporti i vlerëson vendet nga “demokraci të konsoliduara” kur kanë mbi 5 pikë, dhe më pas, në “demokraci gjysmë të konsoliduara” kur kanë 4 deri në 5 pikë, te “regjime hibride apo në tranzicion” 3 deri në 4 pikë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kategoritë më poshtë vijojnë me “regjimet autoritare gjysmë të konsoliduara” 2 deri në 3 dhe “regjime autoritare” me më pak se 2. Raporti vlerëson proceset demokratike në nivel kombëtar apo vendor, si zgjedhjet apo jetën parlamentare, funksionimin e sistemit të balancave dhe kufizimeve në ushtrimin e pushteti e të tjera si dhe tregues të tjerë të lidhur me lirinë e shtypit, pavarësinë e sistemit gjyqësor, nivelin e korrupsionit apo ekzistencën e një shoqërie civile aktive. Në Europën Lindore dhe botën post-sovjetike, vende si Uzbekistani, Azerbajxhani apo Rusia klasifikohen si regjime autoritare ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia apo Hungaria klasifikohen si regjime hibride. Ndërsa Shqipëria në treguesin e përgjithshëm klasifikohet si regjim hibrid, vlerësimi për korrupsionin është 2.75, që bie në kategorinë e regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara ndërsa treguesit e tjerë janë në kategorinë e regjimeve hibride. Pavarësia e gjyqësorit është vlerësuar 3.25, gjë që është vetëm një shkallë më sipër se sa niveli i regjimeve autoritare të pakonsoliduara. Reforma në drejtësi, e cila një nga synimet kryesore kishte rritjen e pavarësisë politike të gjyqësorit, duket se nuk ka sjellë përmirësim në këtë tregues, së paku jo për vitin 2019. Rënia me 0.07 pikë në indeksin e përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 2019 është më e madhja e shënuar në Ballkanin Perëndimor. Gjergji Vurmo, eksperti i angazhuar nga Freedom House për raportin e Shqipërisë, thotë se në fakt rëshqitja në Shqipëri nuk ka nisur vitin 2019 por është vërejtur edhe në raportet e viteve të mëparshme. Por duket se ishin zgjedhjet e zhvilluara me vetëm një palë pas vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në to, të cilat sollën përkeqësim. Raporti publikohet çdo vit nga organizata që vepron që nga viti 1941 për të mbrojtur demokracinë nëpër botë dhe që raporton për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Europës Lindore që nga koha e rënies së komunizmit duke krijuar një barometër për ecurinë e demokracisë. Shqipëria mbylli në këtë mënyrë më shumë se një dekadë të tërë rënieje graduale por të vazhdueshme të standardeve demokratike. Vendi ynë kishte 4.07 pikë në vitin 2010, ndërsa një seri ngjarjesh antidemokratike që përfshijnë tre maxhoranca të ndryshme qeverisjeje dhe pesë palë zgjedhje për parlamentare dhe lokale kanë sjellë gërryerjen e shtetit të së drejtës. Sipas Vurmos, shumë nga këto probleme kanë lindur nga marrëveshja politike mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në vitin 2008, të cilat krijuan sistemin aktual zgjedhor, ku parlamenti përbëhet më së shumti nga persona të emëruar nga kryetarët e partive dhe për rrjedhojë, ka humbur funksionin e vet demokratik si kontrollues i ekzekutivit duke u kthyer në një aneks personal të kryeministrit. Ndonëse në treguesin e përgjithshëm Shqipëria klasifikohet si regjim hibrid, për disa nga treguesit,  rënia e standardeve demokratike në Shqipëri është pjesë e një tendence më të gjerë e vërejtur përgjatë viteve të fundit në të gjithë Europën Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe Hungarinë e Poloninë, dy vende anëtare të Bashkimit Europian.

Korrupsioni udhëheq rikthimin në autoritarizëm

 

E përbashkëta e shumë prej vendeve që kanë pësuar përkeqësim në standardet demokratike gjatë viteve të fundit është se fillimisht kanë pësuar rritje të korrupsionit, e cila është përkthyer në rënie të cilësisë së medias dhe sulmeve të hapura të politikanëve ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e korrupsionit duket se i kanë mundësuar qeverive që në mandatet e tyre të dyta të punojnë për të manipuluar rregullat e garave zgjedhore në përfitim të pushtetit të vet ndërkohë që media degradon nën kontrollin gjithnjë e më të madh të interesave korruptivë dhe shoqëritë humbasin fuqinë për të reaguar ndaj degradimit të demokracisë. Por Freedom House vëren gjithashtu se në vitin 2019 gjërat mund të kenë filluar të ndryshojnë për mirë sa i përket reagimit popullor. Protestat kanë qenë të fuqishme në shumë vende ndërsa aktivizmi në mbrojtje të mjedisit vërehet se i ka dhënë hov fuqizimit të shoqërive, duke goditur në këtë mënyrë thelbin e keqqeverisjes, korrupsionin dhe klientelizmin që ushqehet mbi shkatërrimin e mjedisit. “Si në shoqëritë e lira ashtu edhe në ato jo të lira, protestat mjedisore janë bërë çelësat përmes të cilave qytetarët mund të luftojnë kundër korrupsionit dhe për qeverisje të mirë si dhe të presin rezultate konkrete,” shkruhet në raport.