“Forca e Ligjit”, sekuestrohen pronat e Balilit

700
Policia ka sekuestruar pasuritë e Klement Balilit në Sarandë, duke zbatuar një kërkesë të prokurorisë dhe gjykatave. Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’; 28,690 m2 truall dhe 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe. “Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, deklaroi policia. Sipas saj, grupi “Balili” është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet. Policia e Shtetit ftoi këdo që disponon të dhëna apo informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të personave të mësipërm apo lidhjeve të tyre të afërta, të telefonojnë në numrat falas 112 dhe 129, duke garantuar ruajtjen e anonimatit dhe goditjen e ashpër të elementëve anti-ligjore. Klement Balili ndodhet prej më tepër se një viti në kërkim, i akuzuar për trafik droge. Ai është përmendur disa herë nga ambasadori amerikan në Tiranë si një person që arriti të evitojë arrestimin për shkak të dështimit të koordinimit mes prokurorisë, policisë dhe institucioneve të tjera. Policia e Shtetit ka regjistruar në datën 3 prill 2016 procedimin penal për trafikim lëndësh narkotike për grupin e njohur si “Balili” me aktivitet kriminal, kryesisht në jug të vendit. Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.
Sigal