Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka zbardhur detajet nga diskutimi i sotëm në kryesinë e grupit parlamentar të PD. Ai konfirmoi faktin se Lulzim Basha e ka quajtur anti-amerikane anëtarësinë e PD-së.
“Është e vërtetë që ka pasur një debat të gjatë mes kryetarit të PD dhe meje në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar.
Debati ka qenë i mbështetur mbi parimet. Unë e kam kundërshtuar pasi nuk kam pranuar të diskutojmë çështje të rendit të ditës sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk është marrë një vendim vrastar kundër kësaj force.
Në debatet e shumta që patëm, Basha kundërshtoi idenë e respektimit të statutit. Kundërshtoi idenë e një kongresi të jashtëzakonshëm dhe citoi ‘unë nuk do lejoj një kongres anti-amerikan’. Ai e bëri këtë koment pasi i thashë se 80 përqind e anëtarësisë janë kundër vendimit tuaj,” tha Noka.
“I thashë që ky është diabolizëm ekstrem që nuk ka guxuar ta thonë as kundërshtarët më ekstreme.
Pra ju po thoni se keni 8 vite që keni drejtuar një parti anti-amerikane. Por në këtë parti na ka bashkuar gjithmonë ëndrra amerikane, për të implementuar vlerat demokratike amerikane. Kush ka qenë anti-amerikan ka shkuar te partia tjetër”, tha Noka, duke theksuar se Sali Berisha është pro-amerikani më i madh.