Zamira Çavo: Pa një ndryshim rrënjësor të elitës politike, problemet nuk do kenë zgjidhje

469
Alma Çuka
“Rritja e pakënaqësinë në popull, papunësia, varfëria dhe përpjekjet e kësaj politike për interesat e saj, duhet të ngrenë qytetarët në këmbë”
Pedagogia e Shkencave Sociale, Zamira Çavo, njëkohësisht analiste e problemeve të shumta në vend, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, jep mendimin e saj lidhur me situatën politike në të cilën ndodhemi dhe për mënyrën se si dilet nga kjo krizë. Për Çavon, për aq kohë sa në krye vazhdon të qëndrojë një elitë politike e vjetër, vendi nuk do të ketë zgjidhje dhe problemet do vazhdojnë të mbeten të njëjtat. I bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg “luftës” politike, që sipas saj bëhet për interesa personale të politikanëve. Ndërkohë, ngritjen e çadrës dhe kauzat e Partisë Demokratike i cilëson artificiale. 
Zonja Çavo, tashmë jemi përballë një realiteti që çdo ditë e më shumë duket se po rëndohet. Politika dhe qytetarët si analizohen ne këndvështrimin tuaj? 
E kam thënë edhe herë të tjera, jetojmë një krizë artificiale që e kanë krijuar e nxitur artificialisht politikanët tanë të të gjitha krahëve politike. Deri tani kjo krizë nuk ka prekur shoqërinë. Deri tani qytetarët e kanë parë krizën si një ndeshje ku bëjnë “tifo” për skuadrën e zemrës. Por nuk mund të vazhdojë më kështu. Jemi lodhur. Kjo ka anën e vet pozitive po aq sa ç’është negative. Është pozitive, pasi e ka çuar deri në fund pakënaqësinë popullore ndaj elitës politike të vendit. Me pak fjalë njerëzve, tashmë u vjen për të vjellë kur dëgjojnë lajmet. Kjo me siguri do ndikojë në zgjedhje. Por nga ana tjetër, ka mpirë gjithë aktivitetin tonë të përditshëm. Dhe të duam të rrimë jashtë kësaj gjendjeje tashmë nuk do mundemi as edhe një ditë më tepër. Po afron stina e verës ku duhet të kemi më shumë qetësi sociale, ekonomike e shpirtërore. Kjo lloj qetësie që sjell mirëqenie është tashmë në rrezik.
Mund t’i shpjegojmë qytetarëve të thjeshtë, se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë, kush janë ata që po pengojnë zhvillimin e vendit dhe ku do të arrijmë? 
Cilët pengojnë zhvillimet e vendit? Të gjithë ata që duan të ruajnë privilegjet e tyre! Pa përjashtim. Ata që në këto 26 vjet kanë vjedhur e plaçkitur çdo thesar të këtij vendi, ata që kanë vrarë në emër të demokracisë, ata që kanë shitur çdo interes tonin për interesa personale. Ata janë elita jonë politike! Fatkeqësisht! Nëse do bëhej sot një referendum popullor për dënimin e kësaj elite, jam e bindur që shumica e popullsisë do kërkonte sekuestrimin e pasurive të saj dhe syrgjynosjen e saj nga politika! Ku do të arrijmë? Nuk e di. Por historia ka vërtetuar, se nga kaosi lind një shpresë e re dhe lindin modele të reja. Unë jam optimiste.
Cili mund të jetë çelësi që do të hapë dritën jeshile për rritjen ekonomike, numrin e të punësuarve dhe zhdukjen e krimit e të korrupsionit? 
Nuk ka çelës. Ka rritje të ndërgjegjes shoqërore, ka forcim të kulturës sonë politike. Nëse arrijmë këtë edukim, do dimë të organizohemi për këto që thoni ju e që janë problemet tona reale. Pa një ndryshim thelbësor të elitës politike, zor se do të gjejnë rrugën e zgjidhjes këto probleme. Ndaj them, se vetëm Ne e kemi në dorë këtë.
Tashmë situata është e njohur. Kush do të përgjigjet në fund të tunelit për rrënimin e vendit në çdo drejtim? 
Do dëshiroja të thosha Vetingu, por nuk guxoj. Përgjegjësit realisht do të duhet të japin llogari. Puna është se kush do ua kërkojë atë. Nëse ia kërkojmë ne si popull, po. Ndryshe ata asnjëherë nuk do mbajnë përgjegjësi. Si nuk kanë mbajtur deri më sot as për 97-n, as për 21 janarin, as për Gërdecin, as për shitjen e detit e as për shitjen e pasurive tona të përbashkëta.
Politika, nga ato që jemi duke parë e dëgjuar, duket se është e vendosur të ecë përpara vetëm me llogari matematikore. Sa është e vlefshme kjo llogari për ata që do shkojnë drejt kutive të votimit?
Kjo është detyra jonë, dhe tuaja si media, për t’ua bërë të qartë njerëzve. Politika nuk është thjesht matematikë. Kështu kanë dashur ta bëjnë dhe kështu iu ka interesuar ta përhapin. Politika është jeta jonë e përbashkët. Nuk ka llogari që e bën dot këtë. Ndaj jemi këtu ku jemi. Duhet të mësojmë të kuptojmë, se politikë do të thotë një model s,e si të jetojmë së bashku, si të ndajmë të mirat materiale. Vlerat e gjithçka e si do duhet ta bëjmë këtë. Ndaj është detyra jonë t’ua sqarojmë njerëzve këtë.
PD në çadër prej 18 shkurtit me një kauzë.. Si e sheh Zamira Çavo? 
Nuk ka kauzë të PD-së. Ka interesa të Berishës, dhe Bashës i duhet t’i kthejë nderin Babait që e solli në krye të PD-së pa e merituar. Pse nuk ka kauzë? Ja e shihni vetë; janë gati që për interesa të tyre të heqin dorë nga gjithçka që na intereson të gjithëve, vetëm që të mbeten lojtarë të politikës me synim, që të mos u cenohen pasuritë e fituara, duke na vjedhur ne. Kauzë? Po si mund të quaj kauzë, një lëvizje që drejtohet nga Berisha, i cili dy herë e ka djegur vendin për interesat e veta?

Kauzë do të ishte, nëse populli do të kishte flakur nga skena politike këtë racë të infektuar politikanësh e do luftonte për zgjedhje të lira!

Ndërkohë kryeministri është i vendosur për të shkuar në zgjedhje në 18 qershor, pa kushte? 
Pa kushte? Nuk e besoj. Personalisht jam për eliminimin pjesë pjesë të kësaj elite. Kryeministrit i intereson mbajtja e Berishës dhe Bashës në politikë. Ai e di mirë se, sapo kjo dyshe të bjerë, opozita e vërtetë do të drejtojë të gjithë “luftën “ e saj politike kundër tij. Me ata do bashkohem edhe unë. Por, sa kohë që Berisha mban peng vendin dhe politikën, aq kohë Rama është i qetë në qeverisjen e tij. Ndaj them, se çadra e PD-se i ka dhënë frymë Rilindjes dhe nuk ia ka shkurtuar ditët asaj. Kryeministri në kohë tjetër me këtë sjellje infantile politike do të ishte detyruar të jepte dorëheqjen. Ndaj Kryeministri do bëjë ç’të jetë e mundur ta mbajë gjendjen në këtë lloj tensioni që e ka çuar vetë PD-ja.

E djathta ka hedhur tezën e saj, se në rast të mosplotësimit të kërkesave, vendi shkon drejt revolucionit demokratik. Mendoni se jemi në kushtet për të kaluar në këtë situatë? 
Joooo! PD-ja nuk ka këllqe sot të ringrerë një çështje e jo më të bëjë një revolucion demokratik. PD-ja ka nevojë të riformatohet. Besueshmëria politike e saj brenda dhe jashtë vendit është në kuotat minimale. Në mendimin tim, koha që do i duhet PD-së të riformatohet është, realisht koha që Rilindja do jetë në pushtet. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë.
Për çfarë ka nevojë aktualisht politika e vendit tonë?
Aktualisht ka nevojë që populli të ruajë qetësinë e tij e të mos përfshihet në këtë “luftë” pa armiq e me interesa personale. Le te hyjnë ata në gropat që po i hapin njëri -tjetrit. Por për një gjë të jeni të bindur: Kur kjo elitë politike të kuptojë që litari në fytin e tyre nuk ka më vend për t’u shtrënguar, atëherë me siguri do ta gjejnë një zgjidhje që të kënaqë interesat e tyre, jo tonat! Puna është, të mos u shkojmë më pas këtyre liderëve të politikës aktuale! Le t’i lemë vetëm, sepse ata marrin forcë nga duartrokitjet tona dhe shuhen nga indiferenca jonë!
Sigal