Nënkryetari i VV-së pesimist: Mund të shkojmë të enjten në Kuvend dhe pa marrëveshjen me LDK-në

519
Sigal

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, është shprehur sot partia e tij mund të shkojë në Kuvend të enjtën dhe pa një marrëveshje. I ftuar sot në mbrëmje në emisionin “Debat Plus” më RTV Dukagjini, Konjufca u shpreh se nëse deri të enjten në ora 15:00 nuk ka marrëveshje me LDK-në do të ketë vetëm betim të deputetëve.

Ai ka thënë se nuk e përjashtojnë edhe opsionin për të propozuar kryetarin e Kuvendit që u takon me Kushtetutë, pavarësisht se, sipas tij, ka shumë deputetë që mund ta votojnë, e mjaft të tjerë që të mos e votojnë. “Ne garantojmë që nëse nuk kemi marrëveshje me LDK-në nuk do të veprojmë si PAN-i në vitin 2014 duke shtyrë konstituimin e institucioneve për shtatë muaj”, tha ai.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se nuk do të ishte moment i mirë për Kosovën nëse Vetëvendosje shkon në Kuvend pa marrëveshje koalicioni edhe nëse arrin të zgjedh kryetarin e Kuvendit.

LDK dhe VV prej shumë javësh janë në negociata për krijimin e një koalicioni qeverisës, pasi dolën fituese të zgjedhjeve të shtatorit. Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës negociuan dhe afruan programin e tyre, por duket se ndasitë kanë nisur për ndarjen e posteve. LDK kërkoi që ta ketë ajo propozimin për postin e Presidentit në 2021, ndërsa VV nuk e ka pranuar këtë gjë.